Ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott ka ripërsëritur qëndrimin se nuk priten ndryshime të mëdha në politikën e jashtme të SHBA-së, përfshi këtu dhe Ballkanin, pas marrjes së detyrës së presidentit nga miliarderi amerikan Donald Trump.
“Unë nuk kam dëgjuar asgjë nga administrata e re që do të ketë ndryshime të mëdha në politikën ndaj rajonit, që do të thotë se ne ende mbesim për integrim të rajonit në Bashkimin Evropian, si dhe në pajtimin mes vendeve”, ka thënë Scott.
Ky qëndrim i Scott është i njëjtë me mënyrën si është shprehur edhe kur Trump fitoi zgjedhjet. Sipas ambasadorit amerikan në Serbi interesat e SHBA-ve në Ballkan mbeten të njëjta.
“Do të fokusohemi në stabilitet, pajtimin rajonal, do të inkurajojmë vendet e rajonit të vazhdojnë modernizimin dhe reformimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Nuk kam parë diçka në fushatën e Trumpit, që do të më shtynte të besoja se do të ndryshojë politikën e SHBA-ve ndaj pavarësisë së Kosovës”, kishte deklaruar Scott.