Nga Sulejman Abazi
Pesimizmi është pasojë e rëndë në jetën tonë të përditëshme. Shkakun e kësaj gjendje sociale ne e kuptojmë mirë.
Ka 25 vite që ndodhemi nën agresionin e pamëshirshëm të politikës së mbrapshtë, me të gjithë fenomenet e saj negative, që i injektoi me shumë dinakëri për interesa klanore.
Me këtë gjendje, kot e kemi që bëjmë fjalë. Peshku është qlbur rëndë nga koka, dhe populli është gjunjëzuar për shkak të varfërisë dhe padrejtësive.
Vall tek ne, inteligjencia atdhetare nuk ka ide me frymë demokratike për ta zhvilluar këtë vend në rrugën e progresit?
Vall tek ne, njerëzit e mirë do të afrohen në politikë pa u shkatërruar nga themeli kjo kastë politike e korruptuar dhe në shumë raste antishqiptare?
Do të vazhdojmë të bëjmë sehir këtë administratë shtetërore të kalbur dhe klienteliste, tërësisht të politizuar, që mbron interesat e pushtetit?
Do t’i nënështrohemi akoma drejtësisë pa drejtësi?
Do t’ua lemë në dorë reformën të kriminalizuarve dhe të korruptuarve?
Ka shumë këtu për të folur.
Të mos tjerrim fjalë të gjithë pa kuptim apo sa për të qenë brenda, por të shikojmë se Rumania është afër dhe të vihemi të gjithë ne krah dhe në rresht, në mbështetje të ambasadorit amerikan.
Të mos heshtim kur palaçot e politikës po i kundërvihen SHBA-ve dhe BE-së për të mbrojtur perandorinë e tyre të krimit, por të dalim në shesh dhe të kërkojmë drejtësi.
A nuk po e kuptojmë “trimërimin” e firkacakëve, të cilët po parandjejnë fundin e tyre?
Po ne ku jemi në këtë situatë?
Shqipëria jonë po kërkon njerëzit e saj të mirë, por kërkon shpëtim nga djemtë dhe vajzat e barkut të saj.
Jemi bërë të gjithë pesimistë me përvojë dhe e presim shpëtimin nga qielli!!