Home I pakategorizuar Basha radikal? Nuk keni parë asgjë akoma!

Basha radikal? Nuk keni parë asgjë akoma!

Nga Alfred Lela

Nxitimi për t’i shpallur si ‘marsh lufte’ dhe, për më shumë, si të padurueshme për ‘rozën e kohëve ku jetojmë’, avancimet retorike të Lulzim Bashës, fshehin një shqetësim dhe një frikë sistemike. Të atyre që zotërojnë sistemin.

Basha është zhvendosur disa hapa para Berishës, Topallit dhe Bregut, duke u paraqitur në një ushtrim radikalizmi që mund të shihet si i huaj për të, por është i afërt për shumë nga ata që mund të konsiderohen si ‘shumica e heshtur’.

Këtu qëndron edhe zemërimi i establishmentit politik dhe mediatik, por edhe kundërshtarëve me bazuka në transhetë e Facebook-ut.

Shefi i demokratëve po krijon një profil të shkëputjes nga establishmenti i vjetër. Një kërkesë që shumë ia kanë bërë përsëritshëm, madje duke duke ia vënë edhe si kusht. Ndahu me ta dhe ne vijmë (build and they will come [will they?!]). Prit tani kur kushti të ndryshojë: vriti pararendësit e tu në PD, dhe na ke në çadër! Po ta përimtosh këtë qëndrim, që zhvendoset duke u sjellë rreth vetes, kupton se bien në një paradoks. Nëpërmjet hipokrizisë. Askush nuk deshi ta vinte re se Basha po kërkon më shumë se paraardhësi dhe mentori i tij politik, Berisha; më shumë se kontestuesja e tij Topalli; më shumë se la linda loca e Integrimit, Bregu.

Basha, me anë të shporeve radikale që i nguli në brinjë heshtjes dhe vetëkënaqësisë së Tiranës, dha dy prova: seriozitetin e sfidës dhe urat drejt shoqërisë. Kundër asaj që ai quan ‘pakicë absolute’.

Duke kaluar nga mëndafshi te shajaku i retorikës, Basha i ka bërë një sprovë vetes dhe skenës. Vetja ia mbajti ritmin, por kori sundues i skenës stonoi. Për arsyet e tyre, jo të tijat. E para e këtyre arsyeve është se Basha po u del jashtë kuadratit ku e kishin futur. Portreti i free rider që i patën vizatuar, i shndërruar sakaq në tempullar të zemëratës, me një kauzë në majë të tehut, nuk u shkon për hosh vizatuesve. Një arsye e dytë vjen e lidhet nyjë me një ‘përjashtim’ tjeter që Basha u bën ‘shkruesve të fateve’: me median qendrore kundër, ai ka përdour pa pushim mediat e reja dhe format alternative të mediatizimit. Duke futur në përdorim edhe taktika të presidentit Trump, si etiketimet ‘fake news’ të lajmeve të medias tradicionale, mënjanimin e tyre, e me radhë.

Më tej dhe së treti, Lulzim Basha ka prodhuar live zërin e parë në Partinë Demokratike duke e alternuar atë me vox populi (zërin e popullit). Duke qenë vazhdimisht në çadër (mëngjes, drekë, darkë) dhe nëpërmjet formash kreative, ai po ndërton kontakte të reja dhe përforcon të vjetrat me bazën. Lulzim Basha e ka futur partinë e vet në modernizëm. Tani i duhet ta bëjë të bukur.
Së katërti dhe së fundi, Basha është duke folur kundër sistemit dhe duke kërkuar falje në emër të tij. Ai e ka kapërcyer tashmë Partinë Demokratike si retoricien dhe politikan duke u shtrirë dorën sa më shumë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë, (ka edhe të tjerë në qarkullim dhe duhet ta bëjë edhe drejt tyre).

E ka gabim kush mendon se me gjuhën radikale të së premtes, Basha e ka humbur grinë. Përkundrazi, ai i ka bërë një ftesë sfide kësaj shtrese të shoqërisë, e cila është e pavendosur jo pse është e trembur, por sepse është inteligjente. Grija kërkon zgjidhje dhe i pranon ato, edhe kur kërkohen përmes gjuhës së ashpër. Përmes aksionesh, që duken dhe janë, politikisht jokorrekte.

Pritën e ka te dera, megjithatë. Ai nuk duhet të bëhet politikisht jokorrekt sa për të fryrë mushkëritë elektorale dhe më pas të kthehet te çadra e korrektesës me establishmentet dhe elitat. Kundërshtari i tij, Edi Rama, e bëri këtë (i premtoi popullit dhe u dha elitave) dhe tashmë është kapur ngushtë në një impas moral dhe politik. Autori i këtyre radhëve nuk do të mundet të shkruajë më vonë: e vetmja rrugë për të bërë reformat është braktisja e premtimeve.

Ka njerëz te të cilët ende banojnë dy gisht sedër e një pëllëmbë besë!

Share: