Në intervistën e parë televizive që prej marrjes së detyrës, Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, në “Tonight Iva Tare” tha se OSBE po investohet pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për të shmangur, apo më saktë për të limituar sa më shumë blerjen e votave në zgjedhjet e qershorit të këtij viti.
Protestën e opozitës e sheh legjitime por me shqetësim sheh bojkotin e Kuvendit, çka sipas tij do ngadalësojë ecurinë e reformave, kryesisht atë në drejtësi.
Ambasadori i OSBE sqaron se OSBE nuk është kundër votimit dhe numërimit elektronik, por ka paralajmëruar mungesën e një kohë të mjaftueshme për ta futur në legjislacion.
Të pamundur për tu realizuar e sheh edhe votimin e emigrantëve për zgjedhjet e 18 qershorit, pasi nuk ka një regjistër të shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Ai tha gjithashtu se qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista, por eshte pozitive që “pavarësisht se për një kohë të gjatë prodhimi i kanabisit nuk ka qenë një shqetësim i madh për qeverinë dhe opozitën, tani është bërë shqetësim për të dyja palët”.