Nga Pastor Akil Pano
U ndodha aty! Krejt rastësor, nuk kam drojë ta them këtë pasi heroi që rrëzoi monumentin ishte më i madh se unë e më i vogël se monumenti që sundonte historinë tonë, së paku kështu ishte mësuar të shihte veten për 46 vjet.
U bashkova dhe unë me turmën e madhe që lëvizte para dhe pas dhe sërish para, në drejtim të monumentit. Mijëra syresh që lëviznim krejt natyrshëm në një drejtim. Një simfoni trupash që kurrë ndonjëherë s’kishin performuar në të njëjtën skenë, veç skenës së mjerimit dhe dhimbjes. Po luhej akti final.
Davidi i vogël përballë gjigandit të madh të diktaturës. Nje goditje përballë mijëra vrasjesh, internimesh. Një ditë lirie, përballë 46 vitesh skllavërimi! Një gur i cili rrëzoi Goliathin e armatosur të diktaturës. Një 20 Shkurt i cili tanimë qëndron i gdhendur në historinë tonë.
Rrëzuam gjigandin e diktaturës por pa e kuptuar kishim lënë të parrëzuar katër gjigandët e tjerë, vëllezërit e tij! Mbase kjo është arsyeja e vazhdimit të historisë së dhimbjes tonë të vazhdueshme përgjatë viteve të tranzicionit post komunist.
Mijëra njerëz të humbur monopateve të ikjes mes malesh në përpjekje për të kaluar kufijtë. Otranto ndarjesh mes familjarëve që s’mundën të jepnin një përqafim lamtumire! Piramida skemash mashtrimi! Mijëra të tjerë të vrarë. Qeveri premtimesh të pambajtura! Përpjekje reformash! Eksod i vazhdueshëm dhe një tranzicion që vazhdon! Cila është dilema e skllavërisë tonë!?
Rrëzuam gjigandin, por s’mundëm të rrëzonim vëllezërit e tij.
E njëjta gjë kishte ndodhur dhe me Davidin. Me një gur të vetëm ai rrëzoi Goliathin. Katër gurët e tjerë mbetën të papërdorur brenda torbës së tij. Por e vërteta ishte se gjigandët e tjerë nuk mund të zhdukeshin vetiu. Diku, dikur Davidi do të takohej me ta për të fituar betejat e tij, të pa luftuara më parë.
Cilët janë katër gjigandët që sundojnë në shoqërinë tonë dhe cilët janë gurët që mund t’i rrëzojnë ata!? Cilat janë betejat tona të paluftuara me ta!?
I pari: Gjigandi i Padrejtësisë.
Është drejtësia që lartëson një komb dhe ne dështuam të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Drejtesia thërret rrugëve dhe kancelaritë ndërkombëtare i kanë hapur derën, ngaqë ajo është dëbuar prej shtepisë së saj. Ajo blihet dhe shitet si një mall konsumi në treg, i cili në ndryshim nga cdo mall tjetër konsumi, konsumon perdoruesit e saj.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë, mbi 80% e Shqiptarëve besojnë se nuk ka drejtesi në Shqiperi (nga fjala e kryeministrit në takimin me ambasadoret).
Vetëm guri i drejtësisë mund të rrëzojë gjigandin e lartë të padrejtësisë. Reforma në drejtësi është një përpjekje e cila duhet të pasohet me ndërtimin e modeleve të drejtësisë sociale dhe përpjekjen e vazhdueshme për të ndërtuar shtetin e së drejtës.
I dyti: Gjigandi i Korrupsionit.
Ai gjendet i fshehur kudo. Në çdo zemer, manifestohet në çdo parti dhe institucion. Për vite me rradhë ndërtuam një sistem të mbështetur jo mbi vlerat e meritokracisë por mbi baza të ryshfetit. Sistem që i ka mbyllur derën profesionistit të aftë dhe ka qenë e hapur për mediokritetin. Ka furnizuar mungesën e shpresës dhe inkurajuar largimin nga vendi.
Vetëm guri i integritetit dhe ndershmërisë mund të rrëzojë gjigandin e korrupsionit.
I treti: Gjigandi i Kompromisit dhe Indiferencës qytetare.
Kjo është filozofia e rrezikshme që po formëson mendesinë dhe kulturen në Shqipëri.
Kompromisi me të keqen për aq kohë sa ajo gjeneron të ardhura.
Ndërsa indiferentizmi ynë qëndron i ndërtuar mbi sterotipet të cilat gjenden në folklorin tonë popullor: “qingji i urtë pi në dy nena,” dhe “me ujin zjarrin dhe shtetin mos u merr.” Një indiferencë e ndërtuqr mbi pragmantizmin e një logjike të ftohtë per t’ju përshtatur rrugës së mbijetesës. Rruga e mbijetesës deri tani ka qenë anëtarësimi në nje parti politike e cila të mundëson punësim.
Ne jemi një shoqëri indiferente për aq kohë sa interesat tona familjare, apo të grupit nuk preken. Jemi indiferent ndaj të pafuqishmit, Romit, jetimit, etj.
Vetëm guri i besimit dhe qëndrueshmërisë qytetare mund të rrëzojë Gjigandin e Kompromisit dhe Indiferentizmit qytetar.
I katerti: Gjigandi i Mungesës së Shpresës.
Ky gjigand merr forcë prej mungesës së perspektivës, së alternativave, prej korrupsionit, prej premtimeve të pa përmbushura elektorale, të cilat nuk e kanë zanafillën në këtë legjistlaturë, por shumë kohë më parë. Në kohën kur gjysherit tanë punuan dhe luftuan mbi premtimin se do të ndërtonin një sistem i cili do t’i jepte lugën e florinjtë. Mbështetet në zhgënjimin dhe depresionin e fund viteve 80′ dhe më pas në zhgënjimin e gjatë për 26 vite tranzicion. Kjo mungesë shprese vazhdon të furnizohet prej politikave të nje shteti asocial i cili sundon në vend që të shërbejë, dikton në vend që të udheheqe. Dekurajon në vend që të inkurajoje iniciativa punesimi.
Vetëm guri i Vizionit mund të rrëzojë Gjigandin e mungesës sē shpresës. Vizion për të parë nga lart elementët e rëndësishëm socio-kulturor dhe ekonomik të cilët ndërtojnë të ardhmen e një vendi të vogë i cili 26 vjet më parë rrëzoi gjigandin më të egër të diktaturës por lejoi të bashkëjetojë dhe sundohej prej gjigandëve të tjerë!