Home KRYESORE Çili: Mos e përdorni politikisht rastin e Shkëlzen Berishës

Çili: Mos e përdorni politikisht rastin e Shkëlzen Berishës

Nga Henri Cili

Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, një prej liderëve të politikës shqiptare të këtyre 20 e ca viteve është duke u përballur me një proces në Komisionin Hetimor, shoqëruar me një fushatë në media të caktuara, e cila ka kaluar në sharje, fyerje e ofendime, deri në kufijtë e poshtërimit. Gjithashtu mënyra se si është strukturuar dhe fiksuar me caktimin në krye të tij të Taulant Ballës, një deputet i cili ka pasur një konflikt personal dhe një proces gjyqësor me z. Berisha, mënyra se si po procedohet pyetja e tij në komision- përpos faktit të thirrjes së tij në komision-tregon se kemi të bëjmë me diçka që nuk shkon, në mënyrë esenciale, me funksionimin e jetës sonë publike. Në këtë kuptim, duket se Komisioni Hetimor për çështjen “CEZ –DIA” është kthyer në një komision poshtërimor për Shkëlzen Berishën, familjen Berisha dhe ish-kryeministrin në tërësi dhe është një devijim i funksioneve të parlamentarizmit.

Ka së paku tri argumente rreth pozicionit dhe mënyrës se si po trajtohet qytetari Shkëlzen Berisha- qoftë ky edhe djali i kryeministrit Sali Berisha- në këtë komision, të cilat nuk shkojnë.

Së pari, komisionet hetimore janë instrument i parlamentarizmit kryesisht, në duart e pakicës parlamentare për të kontrolluar pushtetin. Pra, për të bërë të mundur tejkalimin e rrethanave institucionale të zakonshme të sistemit të drejtësisë apo organeve të tjera kontrolluese apo ligjzbatuese, të cilat bëhen të pamundura apo të vështira kur një qeveri është në pushtet.

Komisionet hetimore që kryesohen nga shumica –edhe pse janë të ligjshme –janë ose një gjë e kotë, ose në kufijtë e qesharakes. Kështu për shembull, Sali Berisha ngriti disa komisione qesharake në mandatin e kaluar, të cilat nuk përfunduan asnjëherë apo nuk patën asnjë raport, siç është ai më i famshmi i quajturi ‘Komisioni i Veshit’. Pra, ajo që nuk shkon është se, kemi një komision të kryesuar nga shumica që heton pakicën. Ish-kryeministri Berisha është një deputet i thjeshtë, një ish-pushtetar dhe ekzistojnë të gjitha mjetet juridike për ta hetuar atë.

Megjithatë deri tek ish-kryeministri Berisha, i cili ka qenë një person i fuqishëm politik, dhe vazhdon të jetë person me përfaqësim të fortë politik dhe parlamentar ose me impakt institucional, ndoshta kjo është e pranueshme.

Argumenti i dytë; pushtetarët, politikanët, ose ish-pushtetarët edhe mund të thirren në komisionet parlamentare, qoftë për qëllime politike, qoftë për ndriçim më të mirë dhe më të shpejtë dhe me mjete më të hapura dhe transparente –siç janë komisionet hetimore parlamentare –të vërteta të caktuara. Po, në këtë kuptim thirrja e ish-kryeministrit Berisha në komisionin, edhe pse siç e thamë se komisionet hetimore janë instrument i pakicës për të hetuar shumicën, pra pushtetin, edhe qëndron. Por thirrja e djalit të tij, që në fund të fundit është qytetari Shkëlzen Berisha, në komision është absolutisht e papranueshme, edhe pse dikush mund të thotë që është e ligjshme. Arsyeja është shumë e thjeshtë; Parlamenti që ka një fuqi shumë të rëndësishme, përfaqëson sovranin, nuk mund të hetojë qytetarët e tij që e kanë zgjedhur. Qytetarët i heton sistemi i drejtësisë me mjetet ligjore, procedurale, me katër shkallët e gjykatës e kështu me radhë. Është nonsens që një bateri parlamentare, nga deputetët e shumicës, madje me një tonalitet ose me një theks shumë të fortë politik, të mund të vërë përpara një qytetar të thjeshtë siç është Shkëlzen Berisha, që nuk ka pasur asnjëherë një funksion zyrtar dhe madje nuk ka as sot, duke e pyetur në një mënyrë gati poshtëruese.

Ish-kryeministrja izraelite Tzipy Livni, kundërshtoi ashpër disa vite më parë kërkesën e një komisioni hetimor parlamentar për të thirrur si dëshmitarë disa qytetarë të vendit të dyshuar se kishin dijeni për çështjen. Ajo tha: parlamenti nuk mund të hetojë apo pyesë kurrë qytetarët e vet, ai heton apo pyet vetëm politikanë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë.

Por ajo që e derdh pikën e ujit – dhe që është edhe argumenti i tretë – është fakti që në krye të këtij komisioni pa asnjë cedim pas kërkesave të përsëritura, qoftë të z. Berisha, qoftë të Shkëlzen Berishës, është fakti se këtë komision e drejton Taulant Balla, i njohur për një konflikt personal, verbal, gjyqësor me familjen Berisha, për të cilin ka një proces gjyqësor të përfunduar. Z. Balla është në të drejtën e tij të bëjë replika politike edhe pse është i detyruar të ruajë etikën ose anasjelltas, por gjithsesi kryesimi i këtij komisioni që nënkupton një lloj neutraliteti apo një lloj paanësie të kësaj gjykatë parlamentare është jashtë çdo perceptimi. Kryesimi i këtij komisioni nga deputeti Balla në konflikt me Shkëlzen Berishën dhe familjen Berisha është një provokim dhe synon jo ta hetojë familjen Berisha -z. Berisha apo djalin e tij- por ta poshtërojë atë.

Si përfundim, për të gjitha këto arsye, është e qartë që një komision parlamentar dhe mjetet parlamentare nuk mund të kthehen në mjet për të poshtëruar qytetarë të caktuar, qoftë këtu edhe djalin e ish-kryeministrit.

Të gjithë jemi dakord që djali i ish-kryeministrit Berisha nuk duhet të ketë asnjë privilegj si djali i ish-kryeministrit, por as të ketë ndonjë disavantazh si qytetar. Të drejtat e qytetarit Shkëlzen Berisha janë të pamohueshme, ato duhet të respektohen ad literam, por edhe në frymën e vet. Nuk ka asnjë arsye përveç propagandës dhe qëllimit politik poshtërues që Shkëlzen Berisha të thirret në një komision. Atë mund ta hetojnë organe të caktuara tani ose më vonë, në lidhje me përgjegjësitë e tij penale.

Share: