Vazhdojnë retorikat kërcënuese Ankara-Athinë. Kryeministri turk, Binali Jëlldërëm e ka paralajmëruar Greqinë që të mos bëjë gabim që ta marrë si shenjë dobësie reagimin e vakët të Turqisë ndaj “provokimeve” të Greqisë mbi ishujt e Egjeut, raporton gazeta Hurriyet.
“Ne kemi fuqinë për t’iu përgjigjur çdo akti të armikut”, kërcënoi ai.
Tensionet mes dy vendeve janë shtuar së tepërmi këto ditë dhe kryeministri turk iu referua 130 ishujve shkëmborë në Egje, të cilët janë të diskutueshëm mes dy vende dhe ku Greqia ka nisur një stërvitje ushtarake.
Jëlldërëm nisi një kërcënim indirekt ndaj Greqisë, duke thënë “ne u përgjigjemi me një buzëqeshje veprimeve provokative, por nga ana tjetër, ata nuk duhet ta interpretojnë këtë në mënyrë të gabuar”.
Në lidhje me 8 ushtarakët turq, ekstradimi i të cilëve u bllokua nga drejtësia greke pavarësisht kërkesës së Turqisë për t’i ekstraduar ata në vendin e tyre për t’u përballuar me akuzat e tradhtisë, kryeministri turk tha se ky zhvillim ishte bërë i bezdisshëm. “Unë i kam dërguar një letër zotit Cipras (kryeministrit grek) ku i shpreh gjithë pritshmëritë tona për ekstradimin përmes rishqyrtimit të verdiktit brenda kuadrit ligjor”, tha Jëlldërëm. /360grade.al