Home KRYESORE FEVZIU DHE XHA SANIU.

FEVZIU DHE XHA SANIU.

Nga Agim Xhafka

Sa mbarova universitetin më çuan mësues në Velçan të Gorës. Një fshat në këmbë të malit të Lenijes,kufi me Gramshin,pa rrugë makine,me drita dy-tre orë,pa televizor,por kish një telefon me rrotullim doreze veç me Lozhanin. Në dimër borë e qamet sa qëndronim dhe një muaj pa zbritur në Korçë.

Në këtë humbëtirë kishte njerëz të mrekullueshëm dhe një varfëri vrastare. Edhe bukën,edhe vezët,edhe pak djathë e ca fasule i sillnim nga qyteti !!!

Pas mësimit nuk shtynim dot ditën. Dhe i vetmi vend ku mund të rrije ishte kasollja e rojeve. Atje ishte telefoni që lidhej me lokalitetin ndaj ata që ruanin magazinën e misrit dhe të lopatave merrnin dhe porositë që çonte pushteti me telefon.

Ishte një bythëvend,as 2mx2m. Por futeshim nja dhjetë veta e lihej dera hapur të dëgjonin dhe ata jashtë. Roja i ditës quhej Sani. Nuk ishte i moshuar,por i pa ushqyer,me vetëm një dhëmb të dalë mbi buzën e ngritur e me qurra që i fshinte me kurrizin e dorës,të detyronte ta thêrrisje xha Sani. E ngaqë ishte “pronar” i kasolles fliste veç ai. Tregonte gomarllëqe, broçkulla, gënjeshtra, por nuk e kundështonte kush. Se nesër ai nuk e qaste,e linte jashtë në dëborë.

Ndaj shihja që dhe Bert doktori e aprovonte çdo marrëzi të tij. Një ditë na tregoi se në Qafë-Kërrabë,në një tunel u gjetën gjallë ca ushtarë italianë. Që nga lufta për 40 vjet ata u ushqyen me biskota e një curril uji që për fat rridhte aty. U pataksën shumica.

Në vend ta merrnin me dru xha Saniun filluan pyetjet se ku laheshi e ku dhisnin italianët. Mendova se po të rrija gjatë në atë fshat do besoja tek xha Saniu siç të tjerët në atë kasolle. Më zuri frika e më kapi ankthi.

Qysh atëhere kanë kaluar dekada. Por sa herë shoh “Opinion” ai emision më duket si kasollja e Velçanit,plot dallkaukë dhe Fevziu si xha Saniu. Fiks. Ka ndryshim në veshje e drita,por mendja njësoj. Broçkulla,rrena,gomarrllëqe e vazhdojnë deri sa vjen mesnata. Pastaj ikin të flenë.

Kështu dhe qëmoti. Ngopeshim me dërrdërre e përrpërre dhe ngriheshim. Iknim.

-Natën e mirë,xha Sani! Na kënaqe!-i thoshim.

Nuk e shihnim kur largoheshim se do të na ngelej në sy dora e tij që fshinte rrëkezën e një qurreje që i zgjatej,por që ai e përfshinte vërtik dhe e ngjishte ndër pantallonat plot andra…

Share: