Ndaj Ilir Metës presioni po shtohet. Nga opozita ka thirrje, tashmë edhe të drejpërdrejta, që ai ta braktisë këtë qeveri, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Nga PS ai shihet si çelësi i fitores së zgjedhjeve të 18 qershorit.
Vetë Meta e quajti legjitim shqetësimin e opozitës për zgjedhje të lira, edhe pse tha se ajo nuk është pro formave ultimative. PS duket më e shqetësuar se Meta mund ta braktisë në këtë moment kritik kur opozita ka nisur një protestë pa kthim, 4 muaj para zgjedhjeve.
I pyetur se çfarë duhet të bëjë Meta, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, e tha hapur në Top Story se Meta duhet qëndrojë në qeveri.
“Meta duhet të respektojë kushtetutën për të çuar përpara reformën në drejtësi”, u shpreh Xhafaj. Ai u përpoq të justifikonte edhe përplasjet mes tij personalisht dhe LSI gjatë diskutimeve për reformën zgjedhore, duke thënë se në disa raste ka qenë ai vetë që e ka provokuar debatin, me qëllim që të kishte një vendimmarrje sa më të drejtë. /Lapsi.al