Home KRYESORE Grabitësit profesionistë të shtetit dhe të bankave!

Grabitësit profesionistë të shtetit dhe të bankave!

Nga Enver Bytyçi

E enjte 9 shkurt 2017. Mesditë! Ora shënon 13.24 minuta kur në sallën operative të policisë bie telefoni për të lajmëruar atë që ndodhi në rrugën e Rinasit. Dy persona të maskuar kanë marrë në dorë një motosharrë dhe kanë sharruar automjetin e blinduar, pastaj i janë lutur rojave dhe shoferit të ulen poshtë. Kanë marrë blindin bashkë me milionat e eurove dhe diku te Rruga e Hajdutëve i kanë vu flakën. Jo parave, forgonit të blinduar. Dhe e gjitha kjo ka ndodhur në pesë minuta, sepse pas pesë minutash ka shkuar në vendngjarje vetë komisari i policisë së Vorës.

Të gjitha këto alibi i gjeni të nderuar lexues te komunikata e policisë. Ndërsa një ditë më parë ministri i Brendshëm kumtoi atë çfarë do të ndodhte të enjten e djeshme. Ai parafajësoi firmat private të sigurisë së bankave, se gjoja këto nuk “kryejnë detyrën”, “nuk krijojnë siguri”. Ndërsa komunikata është bërë me aq eufori, sa hartuesi i saj nuk ka menduar se gjithçka është montuar. Një prolog (fjala e ministrit), një akt drame si në filmat horror e komedi njëkohësisht (ngjarja), dhe në fund epilogu i shfaqjes (Policia për katër minuta e 44 sekonda ishte në vendngjarje).

Por kanë harruar të masin kohën e zgjatjes së dramës dhe horrorit të grabitjes e të grabitësve. Akti dramatik i tipit horror, sipas policisë paska ndodhur në 4 minuta e 44 sekonda. Pas kësaj kohe kronometrike policia në vendngjarje ka gjetur viktimat. Nuk ka mundur të gjejë as grabitësit “profesionistë” të trajnuar diku andej nga Evropi (thotë Artan Hoxha). Nuk ka mundur ta gjejë “të gjallë” as automjetin që transportonte milionat për në Rinas. Paratë jo e jo. Dhe kjo ndodh për të pestën herë në 24 muaj në kryeqytet.

Në mbrëmjen e të enjtes skenari vijoi me debatet televizive. Maksimumi i kritikës ishte “Shteti është i paaftë”. Askush nuk shkon përtej një konstatimi kaq empirik e sipërfaqësor. Askush nuk merret me shkakun e përsëritjes së pestë të vjedhjes së bankave në kryeqytet dhe të të tretës në Rinas dhe rrugën me distacion Rinasin. Askush nuk dëshiron të shprehet me guxim e të thotë: “Hajduti është vetë shteti”! Shteti që ka fuqi të burgosë 38 mijë qytetarë thuajse të pafajshëm në një vit, ky shtet nuk paska fuqi të vendos rregull e kontroll në administrimin e vlerave monetare të vendit!!! Shteti që “viëgjëlon” dhe zbulon se një fakir fukara ka lidh energjinë për t’i dhënë fëmijës së sëmurë oksigjen e më pas e burgos atë, ky lloj shteti nuk paska fuqi të zbulojë banditët që grabitin bankat, jo njëherë, por pesë herë në dy vjet. Ky shtet që ka vënë në përgjim dhe në trysni të gjithë kundërshtarët politikë, nuk po mundka të vejë në shënjestër një grup hajdutësh të Rrugës së Hajdutëve, por mburret me arrestimin e viktimave, të cilëve ua kanë gjetur një nen në kodin penal për t’i dënuar “për shpërdorim detyre”, ose “moskryerje detyre”. Nuk ka ndodhur kjo as në vitin 1997. Ndoshta atëherë nuk kishte banditë e grabitës “profesionistë”!

Ajo e djeshmja ishte ngjarja e radhës. Ishte një krim shtetëror i mirëideuar dhe mirëskenarizuar për të tredh mendjen e njerëzve, që nuk kanë haber se çfarë përfaqëson banda e grabitësve të Rilindjes. Paratë që iu vodhën një banke në rrugën e Rinasit janë para që do të përdoren për fushatën e zgjedhjeve të 18 qershorit. Ata që vodhën e grabitën dje kanë projektuar vjedhjen e grabitjen e 18 qershorit. Por para datës 18 qershor ata do të vjedhin përsëri.

Dhe krahas grabitjes do të përmbyllin skenarin tjetër të mbjelljes së hashashit në çdo cep të Shqipërisë, me qëllim që t’u premtojnë kultivuesve korrjen e parcelave në këmbim të votës. Ata që grabitën dje kanë lejuar muqjin e fundit që në Shqipëri të hyjnë kontrabandë 220 milion euro farë kanabisi. Shumëzojëni për 30-40-50 këtë shunmë të harxhuar për farën dhe do ju dalë shuma që vjen nga shitja e produktit të gatshëm gjatë verës e vjeshtës që vijnë. Këta që grabitën dje do të mburren përsëri me kapjen e burgosjen e ndonjë të pabinduri ose të ndonjë fakiri, që halli i fukarallëkut e ka çuar deri te mbjellja e kanabisit. Por këta hajdutë e grabitës që ne i paguajmë me taksat tona nuk do të godasin asnjë Balil apo Habil, Rrosh apo Frrok, sepse këta do t’i përdorin në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshmë të 18 qershorit.

Tan Hoxha thotë se grabitësit ishin profesionistë të përgatitur e trajnuar në vendet e Europës Perendimore! E ku qëndron problemi këtu?!, do të pyeste kryeministri ose Grisela. Dmth se këta profesionistët në pushtet që grabisin tendera, koncensione, partneritete, dmth para të thata nga buxheti i shtetit, janë të paaftë të zbulojnë ata profesionistët që grabisin me motosharrë në dorë furgonat e nbushur me valutë të huaj aty në hyrje të kryeqytetit, në mes të ditës me diell rrezatues!!! Paradoks! Profesionistët “i mungojnë” kryeministrit në profesione të ndryshme, por ai nuk ka folur asnjëherë për atë se qeverisja e tij nuk është profesionale! Atëherë do të thotë se janë bashkuar dy palë profesionistësh dhe punojnë në akord me njëri-tjetrin: Profesionistët e vjedhjes së shtetit dhe profesionistët e vjedhjes së bankave!

Share: