Nga Syrja Kurti
Të them të drejtën nuk ështe se kisha ndonjë qejf të madh për të shkruar për të gjithë zallamahinë e krijuar këto ditë dhe kjo jo sepse pretendoj të bëj shenjtorin brenda kazanit të purgatorit ku jetojmë, por sepse ndonjëherë më duket sikur personazheve të këtyre historive tragjikomike nuk ia ndjen shumë jo vetëm se çfarë themi ne, por nuk ia ndjen dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi dhe për ato që thonë ata vetë. Ata thjesht janë duke u përgatitur për shfaqjen e radhës duke denoncuar “bëmat” e gjithësecilit .
Të duket sikur të gjithë kanë për të gjithë, i ruajnë diku në një xhep, që t’i përdorin kur t’i duhen,dhe i nxjerrin në momentin që i kanë ngritur nga sofra, i thonë vetëm në çastin kur i kanë flakur si leckë.Dhe nuk e di pse gjithnjë e më shumë më ngjajnë me ato gratë që i nxjerrin të palarat njëra-tjetrës kur grinden për pastrimin e shkallëve apo para dyqaneve të lagjes.
Pra ata paskan dashnore!Në fillim të herës të bëjmë një marrëveshje fjale.Fjala “dashnore” nuk më pëlqen shumë sepse më duket shumë vulgare si fjalë, por do të jem i detyruar të përdor sepse mendjet e ndritura të këtij kombi e paskan shumë qejf këtë fjalë.Ndoshta për të na treguar që mund të shkohet me një femër vetëm fizikisht, po ashtu siç shkon edhe breshka me sillojin e saj, qeni ose derri dhe plot kafshë të tjera të këtij planeti.
Po mirë që paskan!Se në fund të fundit pavararësisht nga ajo që themi dhe që mua personalisht nuk më pëlqen termi dashnore, të rrallë janë ata njerëz që arrijnë të jetojnë vetëm brenda një jete..Dikush përfundon si e dashur dhe dikush tjetër përfundon si kjo fjala që ka brenda gjithë vulgaritetin e mundshëm të shqipes.Ndërsa ata të paktë që ia kanë dalë të jetojnë brenda një jete të vetme, në fund të saj kanë qenë shumë të lodhur nga roli.
Por megjithatë ne të gjithë duhet të bëjmë si burra dhe gra të ndershme sepse kështu e kërkon morali.Sepse të gjithëve ne na pëlqen të bëjmë “gjoja”, të gjithëve na pëlqen të bëjmë“sikur”.Dhe të gjithë bëjmë gjoja,sikur secili, sikur ne të gjithë jemi martuar me dashurinë tonë të parë, nuk kemi parë dhe nuk kemi ndjerë më për askënd dhe shtiremi sikur na pëlqen roli i Romeos dhe Xhuljetës dhe jemi të gatshëm për harakiri por me një ndryshim të vogël, jo të japim jetën për dashurinë, por për martesën.
Gjithsesi kthehemi tek problem madhor .Më në fund e gjetëm pse punët nuk shkojnë mirë, pse konçensionet janë shtuar dhe meqë nuk shkojnë ashtu siç duhet, shtohen dhe miliona të tjerë ,pse tenderat gllabërojnë para fund ,që nuk dihet se ku shkojnë , përse papunësia e varfëria janë ulur këmbëkryq në këtë vend.E gjetëm fajtorin!Ky është faji!
Qenkërkeshin dashnoret faji për çoroditjen e një brezi të tërë që e kalon gjithë ditën në lokal me një kafe para dhe ku përveç problemit të madh të tyre me varfërinë dhe xhepat e zbrazur të familjeve nga vijnë kanë dhe mjerimin e shpirtrave të tyre bosh dhe të ardhmes së tyre të vrarë.Dhe pastaj zbrazëtia e shpirtit i bën përfundojnë duke adhuruar disa këngëtarë tallavash e repera të cilët nuk dinë të shkruajnë as emrin e vet.
Dhe turpi qenka i dashnoreve!.Shumë mirë atëherë!.Dilni e na i thoni, me emër dhe mbiemër por mos bëni shantazh kot.Bomba sa për të bërë tym nuk duam.Nëse doni ta hidhni bombën, plaseni.Me emër dhe me mbiemër!Dilni e na thoni që pse edhe me dijeninë tuaj shërbimet partnere na i paskërkeshin përgjuar këta burrat e ndershëm në Santa Quaranta.Për dashnoret apo për diçka tjetër më të rëndësishme.?Unë i adhuroj burrat e shtetit, edhe kur ata nuk e meritojnë këtë term ose titull,unë prapë mundohem ti respektoj për arsye të faktit se ulin prapanicat e tyre, ( të mëdha ose të vogla) në karriget e këtij shteti të shkretë që kane 105 vjet që e mjelin.Kështu që ia fal edhe këtë punën e dashnoreve sepse nuk është problemi im por i familjeve të tyre dhe mënyrës se si ata e kanë ndërtuar jetën e tyre private.Por ama dua të pyes,pse ishin në Santa Quaranta shërbimet partnere?
Për të ruajtur nderin e familjeve të ministrave dhe për t’i këshilluar që këta të kthehen në udhë të mbarë dhe të bëhen burra te ndershëm?Të kujt shteti ishin dhe çfarë përgjuan?Kishin leje për të përgjuar dhe nëse kishin kush ia kishte dhënë?Pra nëse dilni herë tjetër nën petkun e burrave ose grave të ndershme na tregoni për këto dhe jo për dashnoret se nuk na hyjnë në punë.Sepse këtu u bë nami i zi për një pajisje përgjimi që na paskërkash qenë këtu dhe paskërka përgjuar pa leje.
Por ndoshta opozita akoma nuk e ka marrë vesh që këtu përgjokan dhe të tjerë dhe mund të bënte namin sepse sipas gjasave mund të jetë edhe ajo vetë e përgjuar.E per t’u quajtur të gjithë burra dhe gra të ndershme na tregoni përgjimet për gjërat e tjera dhe jo për dashnoret.
Pra për ta mbyllur siç duhet, t’ i lemë historitë me dashnore..Le të bëjmë “sikur”, le të bëjmë te gjithë deri në fund si burra dhe gra të ndershmeNdoshta do të ishte më mirë për të gjithë që kur të dalim nëpër tribuna partish, , studio televizionesh e institucionesh, a ku e di unë se ku tjetër, të vemë gishtin në plagë dhe ti themi gjërat ashtu siç duhen.Nëse prapanica jonë nuk i ka përmasat e duhura për ta bërë këtë, është më mirë të mbajmë gojën mbyllur sepse është më mirë për të gjithë ne që duam të hiqemi si burra dhe gra të ndershme
Nuk është faji i dashnoreve dhe këtë e dinë mirë te gjithë.