Home KRYESORE Kush do ta drejtojë qeverinë teknike? Ja si përgjigjet Berisha!

Kush do ta drejtojë qeverinë teknike? Ja si përgjigjet Berisha!

Ish kryeministri Sali Berisha ka vizituar çadrën e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ka dhënë edhe një prononcim për mediat.

Sipas tij, “ky është revolucion, është revolucion paqësor i një megafuqie që e shoh se akoma banditokracia nuk ka realizuar fuqinë e tij. Në 24 orë në Shqipëri u instaluan dy pushtete; pushteti qytetarëve, i moralit dhe i vlerave të shoqërisë; dhe pushteti i bandave, i Shytëve, Lul Berishës, Aldo Bares, Shullazit, i trafikantëve”.

POSTIMI I PLOTË I BERISHËS NË FACEBOOK:

Prononcim nga Çadra e pushtetit te qytetareve!

Ne Shqiperi jane instaluar dy pushtete: Pushteti i qytetarve qe ka udheheqjen ketu ne Çader -Pushteti i banditokracise qe gjendet pertej asaj maskes se zeze para zyrave te kryebanditit Edvin Kristaq Rama! -Ky është një revolucion mbarëpopullor i qytetarëve shqiptar. -Ose këta përmbushin misionin e madh, ose Shqipëria s’është më e tyre!

PYETJE: Zoti Berisha si duket protesta deri tani?

BERISHA: Ky është revolucion, është revolucion paqësor i një megafuqie që e shoh se akoma banditokracia nuk ka realizuar fuqinë e tij. Në 24 orë në Shqipëri u instaluan dy pushtete; pushteti qytetarëve, i moralit dhe i vlerave të shoqërisë; dhe pushteti i bandave, i Shytëve, Lul Berishës, Aldo Bares, Shullazit, i trafikantëve etj. Këto dy pushtete tani janë ballë përballë njëri tjetrit, janë dhëmbë për dhëmbë me njëri tjetrin. Forca e njërit qëndron tek virtuti dhe vlerat, forca e tjetrit qëndron te krimi. Rëndësi të jashtëzakonshme ka mbështetja e madhe që ky revolucion ka gjetur në mbarë Shqipërinë. Fryma e tij qytetare, ata gjysëm milioni që ishin dje në Tiranë, po përdor një shprehje të Majakovskit, ishin të gatshëm t’a fshinin nga karta dhe kufia Edi Ramën. Por para kësaj ata zgjodhën qytetarinë, zgjodhën civilitetin, zgjodhën qëndresën, zgjodhën që me sakrificën e tyre këtu, me qëndrimin e tyre këtu tu japin mesazh mbarë shqiptarëve se ata po bëjnë gjithçka që ata të votojnë të lirë dhe në zgjedhje të ndershme. Ata zgjodhën ti japin mesazh botës, se Edi Rama është një Ediskobar, një Klement Balil, është njëri prej banditëve të veshur më shumë me pushtet, ata zgjodhën tu japin mesazh partnerëve tanë amerikanë, diasporës se Edi Rama është një Norieg, Norieg është diktatori i Panamasë të cilin amerikanët e ndihmuan dikur me shpresën se do punonte për popullin panamez, dhe ai u bë zëdhënësi i karteleve të drogës dhe Xhorxh Bush dërgoi marinsat për t’a qërruar. Marinsat s’kanë nevojë të vijnë se janë qytetarët, është pushteti tyre këtu ku jemi që do t’i japë duart pushtetit të bandave dhe krimit, do t’i japë duart një njëriu që, pas Enver Hoxhës mashtroi më shumë se kushdo tjetër këtë popull, do t’i japë duart një njëriu që shndërroi vendin në Kanabistan dhe Banditistan. Thirrja ime për emigracionin dhe diasporën është të marrin të gjitha masat që të organizojnë protesta pranë selive të qeverive ku janë, pranë Ambasadave të Shqipërisë, kundër regjimit të banditokracisë. Kjo është rruga e solidarizimit në mënyrë që për Shqipërinë të votojnë të gjithë shqiptarët.

PYETJE: Zoti Berisha a mendoni që me këtë strategji që po ndjek PD mund të arrihet objektivi opozitës për qeveri teknike?

BERISHA: Forcë në botë që mund të shmangë këtë nuk ka, janë mjeruar gjithmonë ata që kanë menduar ndryshe. Ky sot është pushteti moral i vendit, karshi është pushteti i maskave. Qeveri e maskave dhe krimit.

PYETJE: A jeni ju për radikalizim të qëndrimeve që do të thotë ndoshta dhe një strategji tjetër? BERISHA: Strategjia e zgjedhur është strategjia e qytetarëve. Këtu vendosin këta, këta janë zotërit e Shqipërisë. Ky është parlamenti, kjo është qeveria dhe ky është institucioni themelor i popullit shqiptar. PYETJE: Do vazhdoni ju të jeni pjesë e protestës?

BERISHA: Çdo minutë me shpirt dhe me zemër këtu. Do të vi herë pas herë, por kudo që jam vetëm këtu e kam mendjen unë. Do shkoj e do vij, por kjo shtatmadhori e qytetarëve do eci çdo ditë drejt fitores. I bëj thirrje Edi Ramës t’i thërrasë mendjes, mos t’a pengojnë problemet e tij psiqike për të gjetur realizmin sa më parë dhe t’i hapë rrugë thirrjes qytetare.

PYETJE: Rama sot foli për herë të parë për protestën dhe tha se do vazhdojë me reformat…

BERISHA: Më së fundi doli nga vrima e miut ku ishte futur. Ky është komenti im.

PYETJE: I mbylli çdo rrugë qeverisë teknike duke theksuar se deri më 18 qershor do vazhdojë të jetë ai kryeministër.

BERISHA: Cdo Ediskobar, çdo Norieg gjithmonë i kanë mbyllur rrugën zgjedhjeve por kanë marrë në fund atë që meritojnë. Nuk ka asgjë që mund të ….ja dëgjojeni turmën. Nuk ishte ky sllogani i PD, ky buroi nga 500 mijë qytetarët që thanë “Rama ik”. Ndaj Rama avash avash le të bëj një monolog me veten e tij dhe të ikë.

PYETJE: Mund të ketë një zgjidhje siç ishte Crocodili, me praninë e ndërkombëtarëve?

BERISHA: Zgjidhja është të dëgjohet zëri i qytetarëve, pushteti i vërtetë i shqiptarëve është këtu. Ka dy pushtete sot; njëri i kalbur dhe tjetri në ringritje të madhe. Kështuqë këtij pushteti duhet ti binden të gjithë. Ky është pushteti qytetar, pushtet që s’kërkon gjë tjetër veçse zgjedhje. Këtu ke me dhjetëra e qindra socialistë që janë bashkuar me ne dhe do bashkohen. Në të vërtetë kjo është një protestë, një revolucion mbarë popullor sepse nuk duan njerëzit të qeverisen nga bandat, nga krimi, nga droga. Jo, e duan ndryshe vendin e tyre, e duan ndryshe familjen e tyre, i duan ndryshe njerëzit e tyre.

PYETJE: A mjafton kjo rrugë që ju po ndiqni për të arritur atë që po kërkoni?

BERISHA: Rruga është faktuar si arma më e fuqishme e kohërave kundër diktatorëve, kundër banditokratëve. Historia, edhe kur ndërhynë marinsat ndaj Noriegës, Xhorxh Bush e bëri si një detyrim që ndjente ndaj popullit panamez sepse e mbështetën në fillim Noriegën me shpresë se do mbështeste vlerat por kur ai vendosi trafiqet ata e ndjenë si një ndjesë ndaj panamezëve, kurse këtë Noriegën tonë e heqim vetë ne.

PYETJE: A jeni për ti përqëndruar forcat këtu në shesh apo do të jeni edhe në parlament?

BERISHA: Unë jam për vendimin e grupit, atë vendim që merr grupi atë vendim mbështes unë. Ky është një moment kritik për çdo forcë politike. Cdo forcë politike që nuk ka humbur prekjen, lidhjen me qytetarët është e ftuar të bëj bilancin, të bëj zgjedhjen nëse do qëndrojë në anën e krimit, banditokracisë apo në anën e qytetarëve. Edhe Rama, bëse do të largohet e të krijojë qeveri teknike.

PYETJE: Kush do ta drejtojë?

BERISHA: Qeverinë teknike do vendosin forcat politike se kush do ta drejtojë. Unë nuk jam më në vendimmarrjen e forcave politike por them që nuk pengohet asnjëri që të japë kontribut për qeverinë teknike.

PYETJE: Nëse pas zgjedhjeve të qershorit rikonfirmohet PS a do i njihni zgjedhjet?

BERISHA: Zgjedhjet e qershorit me Edi Ramën nuk mund të ketë. Më vjen keq por duhet të kuptojë çdo shqiptar këtë moment kritik dhe historik të kombit. Jem këtu, përvec vitit 1991 nuk ka pasur kurrë protestë 4 muaj para zgjedhjeve. E kam vënë re se jo të gjithë po e realizojnë se çdo të thotë kjo protestë. Kjo protestë 4 muaj para zgjedhjeve është këmbana më e fuqishme e alarmit për çdo shqiptar. 4 muaj para zgjedhjeve nuk proteston kurrë një forcë nëse nuk e konsideron jetike protestën. Ishin gjysëm milioni shqiptarë që erdhën në këtë mision dje, janë në një mision të madh. Të gjithë ata që analizojnë këtë protestë të mos e harrojnë se shpërtheu katër muaj para zgjedhjeve çka s’ka ndodhur kurrë që nga 1991 deri sot. Në 1991 shpërtheu se me kultin e Enver Hoxhës nuk kishte zgjedhje, edhe tani, me kultin e krimit nuk ka zgjedhje. Eshtë një protestë e një rëndësie të jashtëzakonshme por dhe e një fuqie të pandalshme.

PYETJE: Nëse Rama nuk pranon kushtet e PD atëherë ju nuk hyni në zgjedhje?

BERISHA: Nëse Rama nuk pranon, PD do imponojë që ta pranojë, me një këmbë.

PYETJE: Në ç’formë? BERISHA: Mosbindja civile ka 52 forma demokratike të saj. Kjo është vetëm njëra. Do zgjedhim gjithësecilën për t’i treguar vendin atij, Ediskobarit që nuk tregohet i ndjeshëm ndaj qytetarëve.

PYETJE: Zoti Berisha ju jeni politikan me eksperiencë, mendoni vërtet se do shkohet në qeveri teknike apo është thjesht retorikë për të mbajtur elektoratin?

BERISHA: Absolutisht nuk është retorikë por është mision, në të cilën PD ose triumfon ose pastaj ajo nuk mund të flasë më për misionin e saj. PD nuk mund të dështojë. Këtu nuk është vetëm PD dhe unë nuk dua që PD ta marrë këtë. Merita këtu është e qytetarëve. A e dini se nga ata 500 mijë që ishin dje në Tiranë, të paktën 100 mijë ishin gati ta fshinin nga faqja e dheut kazinonë e Edi Ramës, por iu nënshtruan vullnetit të qytetarëve dhe nuk lëvizi një gjethe në Tiranë por u bë protesta më e fuqishme paqësore. Ndaj dhe Edi Ramës i them të mos provokojë, kaq.

PYETJE: Me këtë që sapo thatë po thoni që PD ose e fiton këtë betejë ose rrezikon që të shpërbëhet?

BERISHA: Nuk është problem i PD kjo. Ky është problem i revolucionit paqësor të qytetarëve shqiptar. Ose këta përmbushin misionin e madh ose Shqipëria s’është më e tyre! Po këta nuk e lëshojnë Shqipërinë kurrë, mjerohen ata që mendojnë ndryshe. Uroj që mesazhi të merret sa më shpejt aq më mirë.

PYETJE: Kemi parë në protestë dhe familjarë tuaj…

BERISHA: Sigurisht që do jenë në protestë familjarët e mi.

PYETJE: Ndoshta synojnë lidershipin e partisë në të ardhmen?

BERISHA: Ata janë në protestë si qytetar të thjeshtë të barabartë me gjithë këta qytetarë, dhe do jenë. Kjo është protesta qytetare.Në revolucion, jo ata që janë qytetarë të thjeshtë por dhe udhëheqjen e PD një herë e drejtojnë ata një herë e drejtojnë këta por më shumë e drejtojnë këta se sa e drejton ajo. Unë jam njëri prej tyre, e thashë që dje.

PYETJE: Mendoni se bëtë mirë që mbështetët Bashën për kryetar PD-je?

BERISHA: Unë për asnjë çast nuk kam menduar ndryshe.

Share: