Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat duke u vendosur përkrah Adriatik Llallës deklaroi se Prokurori i Përgjithshëm ka zbatuar Kushtetutën për anëtarët e KED.
Kreu i Kuvendit, bëri me dije se nisur nga deklaratat e bëra dje nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu për prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla në lidhje me listën e kandidatëve të përcjellë për tu përfshirë në shortin e KED-sit, me kërkesën time, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit ka kërkuar sqarime shtesë për plotësimin e kritereve e kushteve ligjore për këta kandidatë.
“Në përgjigje të kësaj shkrese, Prokurori i Përgjithshëm ka kthyer përgjigje zyrtare në datën 3 shkurt 2017. Sipas deklarimeve të djeshme të ambasadorit Lu prokuroria ka dhunuar frymën e kushtetutës duke sjellë 3 kandidatë për tre pozicionet. Gjithashtu Lu është shprehur se Prokuroria e Përgjithshme i zgjodhi vetë 3 anëtarët duke zgjedhur vetëm 3 emra“, tha Meta.
Ai theksoi se kushtetuta në pikën 3 përcakton se KED-si përbëhet nga 9 anëtarë.
“Në pikën dy të këtij neni përcaktohet se kandidatët që nuk plotësojnë kushtet, përjashtohen nga shorti. Sipas shkresës së datës 19 janar 2017 dhe shkresën e datës 3 shkurt 2017, rezulton se kandidatët e përcjellë plotësojnë kriteret e kushtet në mënyrë të plotë siç ka vendosur kuvendi për ligjin e “Organeve të Drejtësisë” të asistuar edhe nga partnerët ndërkombëtar“.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, tha se këto vende i plotësojnë kushtet vetëm 2 prokurorë.
“Sipas shkresës së sotme të Prokurorisë së Përgjithshme, në prokurorinë e Përgjithshme nuk ka pasur asnjë prokuror tjetër që të kishte mbaruar Magjistraturën. Si edhe në prokurori të Apeleve nuk ka pasur asnjë prokuror që të plotësonte kriterin e mësipërm. Në këtë shkresë specifikohet se nuk ka pasur asnjë rast të uljes në detyrë të prokurorëve që kanë mbaruar Magjistraturën”.
“Bazuar në këtë informacion- tha Meta- rezulton se Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar Kushtetutën. Asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme dhe as në Kuvend, apo publikisht lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion në Kuvend për shortin”.
Lidhur me pretendimin e vetë Llallës se është shantazhuar nga ambasada e SHBA-ve, Meta u përgjigj: “Askush nuk e bllokon dot reformën në drejtësi dhe askush nuk e ngatërron dot atë”.
Në fund ai tha se, “ftoj partnerët ndërkombëtarë që të jenë model për ne, të respektojnë institucionet”.
Deklaratën Meta e mbylli me një varg nga poezitë e Dritëro Agollit. Në vendin tim, e në vendin tënd, një kokë e çmendur, të gjithë i çmend.