Gazetari Mustafa Nano në emisionin e tij të fundit “Zululand” u fokusua tek një investim gjigant që ka ngjallur mjaft dyshime, siç është ai për portin e Karpenit. Nano ka bërë një rezyme të gjatë të historisë së këtij projekti, të cilën gjatë gjithë emisionit e ka parë me dyshim duke ngritur mjaft pikëpyetje.
Sipas tij, gjithçka po bëhet në fshehtësi dhe kompanitë që ka afruar Rama për këtë projekt janë të dyshimta. Nano ka hedhur dyshime edhe për rolin e këshilltarit mediatik të kryeministrit, Endri Fuga, në gjithë këtë aferë.
“Më bëjnë që ta shoh me dyshim një numër gjërash, siç janë fakti që kompania ‘Star Bridge..’ ka si kapital fillestar vetëm 100 stërlina, fakti që ajo është një kompani e re, disavjeçare, fakti që një pjesë të aksioneve të veta ia ka shitur shpejt e shpejt një kompanie tjetër gjithashtu të re në Singapor (është fjala për kompaninë “One gate Asia PTE Ltd”), e cila po njësoj ka një kapital fillestar qesharak, fakti që ajo në periudhën 2013-2105 ka qenë në gjumë absolut (është pa asnjë aktivitet), fakti që të gjitha kompanitë e mëdha, emrat e të cilave përmenden nga qeveria, siç janë banka britanike e Investimeve, William Blair, kompania amerikane AECOM, kompanitë zbatuese gjithashtu me emër, mohojnë të kenë ofruar 5 miliardë dollarë, dhe thonë se ato thjesht janë kontaktuar për një projekt të tillë, dhe se ato kanë marrë përsipër një rol këshillues, asgjë më tepër, fakti që dy prej tyre nuk pranojnë të japin shpjegime, gjë e rrallë kjo për kompanitë serioze të botës, fakti që ligji për këtë koncesion u fut më 22 korrik 2016, një ditë pasi deputetët votuan ligji e famshëm për drejtësi, fakti që sipas ligjit që u miratua atë datë, për këtë koncesion, sot duhej të ishin mbyllur negociatat, duhej të ishte lidhur kontrata e ndoshta duhet të kishin filluar të ngrinin kantierin në Karpen, të gjitha këto pra të bëjnë të mendosh se ky është një projekt i mistershëm”.