Home KRYESORE “Mut më kërkuat, mut ju dhashë”!

“Mut më kërkuat, mut ju dhashë”!

Nga Ilir Demalia

Duke dëgjuar emisionin Opinion të Fevziut, më erdhi ndërmend kjo shpreheje e lirikut Lasgush Poradeci. Historia është kjo: Lasgushit i kërkuan të shkruaj dhe ai për optimizmin e jetës komuniste sipas parimeve të realizmit socialist. Nga fillimi i viteve 60’, Lasgushi bëri diçka pa vlerë dhe ja dërgoj L.Sh.A-së, ku kryetar në atë kohë ishte Dhimitër Shuteriqi. E thirrën dhe i thane, se ke shkruar nje gjë të dobët dhe pa asnjë vlerë. A e dini si ju përgjegj Lasgushi? “Mut më kërkuat mut ju dhashë”.

Të ftuarit dhe vetë drejtuesi i emisionit, për mënyrën si diskutonin me një kakofoni zërash, ku secili mundohej të dominonte tjetrin duke e fyer, tregon qarte se këta që mbahen si elita intelektuale-kulturore, pra, vetë këta nuk janë shkëputur nga mentaliteti punist, manipulues dhe simulues i regjimit komunist. Si ata që mbronin veprën letrare të Agollit dhe ata që ishin kundra. Si ata që gjykonin për pozicionet partiake, politike shoqërore të Agollit dhe ata që mundonin të justifikonin këto pozicione.

Këto dy kampe pro dhe kundër Dritëro Agollit, nuk gjykojnë për të njëjtat funksione politike dhe shoqërore dhe letrare si Agolli, shkrimtarin tjetër Kadarene, po shkojnë deri aty, sa Marku, veprën e Ismail Kadaresë e quan disidencë dhe funksionet e tij I fshin me gomë. “Disidencë” ku heroi kryesor pozitiv është diktatori!

Drejtuesi emisionit Fevziu, si djathtë, sëbashku me Ngjelën, por që i ha palla majtas e djathtas sipas nevojës dhe rastit, e quajnë veprën e Agollit dhe të Kadaresë si më e larta dhe më e arrira vepër letrare e gjithë historise së letërsisë shqipe. Me këtë si Fevziu edhe Ngjela tregojnë se kultura e tyre letrare kufizohet brenda atyre njohurive qe u ka ofruar regjimi në mënyrë zyrtare.

Nga ana tjetër që të dy I shërbejne fushatës së ruajtjes së miteve të regjimit I cili shpartalloi Ngjelen dhe familjen e tij per gati dy dekada.Në asnjë vend të botës së lire nuk shikon gjykime të tilla imponuese-aboslutizuese për artin.

Arti i vlefshëm është ai që i qëndron kohës. A mendojnë këta seriozisht se arti i realizmit socialist i krijuar në regjimin më të egër diktatorial e më barbar – e më të izoluar të botës komuniste do ti rezistojë kohës në pjesën më të madhe të saj nga shkrimtarët më me zë në shërbim të regjimit?

Treshja që përmëndej gjatë emisionit, Agolli-Kadare-Arapi, të cilët ishin topat letrarë të partise për shplarjen e trurit shqipëtarëve, siç tregonte dhe rasti në sallë me një vajzë të re që ishte pedagoge, Belina Budini, e cila, nuk e ka jetuar atë kohë, dhe ishte indoktrinuar me realizmin socialist, tregon sa nuk jemi ndarë nga kultura komuniste. A mendon ndokush se do do ti rezistojnë kohës me vepër kryekëput në shëbim të regjimit letërsia dhe arti gjatë regjimit komunist? Në qoftë se pranojmë këtë, atëherë, duhet të pranojmë se në Shqipëri kemi pasur një socializëm-liberal me disa kufizime të vogla ideologjike. A mund të pranohet kjo? Atëherë duhet të pranojmë Enver Hoxhën si social-liberal! Po kështu dhe letërsinë, a ishte në shërbim të regjimit diktatorial apo regjimi nuk “e çante kokën” se cfarë shkruanin shkrimtarët, pra kishim një socializëm liberal? Zgjidhni e merrni, të dyja bashkë nuk mund të rrinë.

Të gjithë e dime së çdo libër, çdo film, çdo dokumentar, çdo ekspozitë pikture kontrollohej nga aparati i propagandës në K.Q te Partisë dhe nga vetë sekretari pare Enver Hoxha për të ju dhëne visto për botim apo premierën e filmit.

“Fjalori Enciklopedik Shqiptar” i Akademisë Shqiptare të Shkencave e kishte të përcaktuar rolin e L.SH.A si: ”Organizatë shoqërore që bashkon krijuesit e fushave të ndryshme: shkrimtarë, punonjës të arteve figurative, kompozitorë edhe këngëtarë, regjisorë e aktorë. Në veprimtarinë e saj Lidhja udhëhiqet nga ideologjia dhe estetika marksiste-leniniste, nga dokumentet e PPSH dhe mësimet e sh. Enver Hoxha. Qëllimi i saj është bashkimi i të gjitha forcave krijuese mbi bazën e metodës së realizmit socialist për t´i shërbyer çështjes së popullit e të revolucionit, frymëzimi dhe edukimi ideologjik e profesional i krijuesve, sigurimi i kushteve për njohur jetën e masave punonjëse dhe për punë krijuese”.

Gjithashtu në çdo institucion kulturor, si Lidhja Shkrimtarëve, Teatri, Opera, Kinostudio, deri dhe në Vatrat e kulturës, në çdo hyrje ishte e shkruar: “Shkrimtarët dhe atristët janë ndihmës të parties”

Enver Hoxha

Jashtë këtyre kornizave, përfundoje ose i ndaluar dhe në punë hamalli apo bujqësie, më e pakta, ose në burg, pushkatim ose litar.

Kur u ndaluan këta dy shkrimtarë apo vuajtën punë të rënda?

Jo. Të dy ata dhe shpura e L.SH.A, por sidomos këta të dy, morën të gjitha shpërblimet, të gjitha ofiqet, privilegjet, duke dhe u financuar nga shteti shqiptar dhe vetë diktatori për botimet e tyre jashtë ashtu si dhe veprat e diktatorit që e njehsonte veten dhe ai si shkrimtar. Keto diktatori nuk ja dha pse ishin disidente kundër regjimit, por si ishin më të zellshimit për regjimin dhe diktatorin me veprën e tyre.

Tash po na thonë se kanë paguar “haraçin”! Çfarë haraçi? Haraç është e gjithë vepra dhe aktiviteti tyre në shërbim të keqes.

Gjatë u dëgjua dhe “ÇIFTELIA” e Preçit në emision, si përhera… E kuptoj hallin e Preçit dhe gjithë “talenteve” të Lezhës si “Holta” , “Cjapi” apo të tjerë që hapat e parë i kishin hedhur si bashkëpuntorë në revistën “Në shërbim të popullit”, dhe për shërbimet, partia i solli në Tiranë. Hall i madh shërbimi! I kuptoj dhe gjithë artistët që mbrojnë dy “buajt e realizmit socialist” Dritëron dhe Ismailin, jo se duan ata, por mbajnë godinën e letërsisë dhe veten e tyre të realizmit socialst në diktaturë. Po të bien këta të dy dhe të analizohen normalisht, Preçi dhe korporata e socrealizmit shkon për letër amballazhi vepra e tyre, se atyre të dyve, Kadarsë dhe Agollit, si do që të jetë, për talentin dhe mundësitë e tyre do ti ngelet diçka. Por jo, këta dhe s’ka tjetër. Letërsia dhe këta të dy, do të gjykohet atëherë kur të çlirohen shqiptarët, dhe letërsia shqiptare që nuk fillon dhe as nuk mbaron me këta të dy, do të rrjedhë e pa imponuar dhe e absolutizuar sipas ideologjive dhe interesave të ruajtjes së elitave të regjimit komunist

Ajo që më ra në sy gjatë emisionit ishte dhe mosnjohja e vetë letërsisë së para-luftës dhe letërsisë underground disidente gjatë regjimit. Silleshin po në disa emra që kanë qenë lejuar dhe gjatë regjimit, si Mjeda, Migjeni etc. Nuk u përmend qoftë dhe njëherë i vetmi poet kombëtar i para luftës, laureati për çmim Nobel, akademik i shtatë vendeve të Europës, kryetari Komisionit Kongresit Manastirit at Gjergj Fishta! Nuk u përmendën Arshi Pipa ne poezitë e tij, nuk u përmendën Anton Harapi, Vinçenc Prenushi, Dom Lazër Shantoja e plot klerikë katolik që janë Visaret e Kombit. Nuk u tha se çfarë demi i ka sjellë ndalimi dhe groposja e kësaj letërsie – letrave shqipe, kulturës shqiptare, modelit letrar, ku në groposjen dhe baltosjen e tyre një peshë të rëndë në moralin e tij ka Ismail Kadare por edhe Agolli. Nuk u përmend poeti me vlera jo vetëm si poet,por edhe simbol i moralit si qëndrim, duke prishur kontratën me jetën Trifon Xhagjika. Nuk u përmenden vlerat e prozës dhe poezisë dhe drama e tyre at dhe bir Petro dhe Jamarbër Marko e të tjerë.

Pra ata planprishës të djeshëm dhe të sotëm, ata jokonformistë si dje dhe sot nuk na duhen. Na duhen zhiterat e përdorur me të cilët rreken t’i servirin si simbol disidence apo…

Dhe për ta mbyllur aty ku e filluam me Lasgushin, nuk mund të përjashtohen nga përgjegjsitë që ka Dritëroi dhe Kadare dhe gjithë armata e shkrimtarëve, artistëve të realizmit- socialist, nuk i ka kërkuar kush të bëni heroin, as të merrnin topin e Xhagjikës për të goditur sistemin, siç ju drejtua Ai prokurorit në sallën e gjygjit, por të jepnin mut në vend të ditirambeve një ideologjie kriminale në funksion të diktatorit, këtë mund ta bënin si e bëri Lasgushi.

Konformizmi dje me regjimin vazhdon dhe sot, nga që kemi po ato elita dhe po atë mendësi, shije-estetike që sundon shoqërinë tone jo të lire ndaj vetvetes prej manipulimit me kujtesën emocionale të realizmit-socialist në art dhe sundimit diktatorial dje dhe sot autokratist në politikë.

Ende nuk jemi shkëputur si shoqëri nga metastazat e regjimit komunist.

Share: