Home KRYESORE Neranxi nga çadra e protestës me Bashen: Per biznesin, taksat dhe Himaren!

Neranxi nga çadra e protestës me Bashen: Per biznesin, taksat dhe Himaren!

Nga Nikollaq Neranxi

Dy miliardë dollarë të gjeneruara nga trafiku i drogës mund të blejnë zgjedhjet e qershorit. Ne e themi për ditë këtë në rrjete sociale dhe në media, por dy ditë më parë e tha edhe Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri. Paraja e pistë në qarkullim ka varfëruar njerëzit dhe ka shkatërruar biznesin e ndershëm.

Partia Socialiste erdhi në pushtet me premtimin e uljes së taksave dhe na mashtroi. Siç e dini taksat janë rritur për të gjithë, duke filluar nga fatura e shtëpisë e qytetarit të thjeshtë e deri tek çdo sipërmarrës i vogël apo i madh.

Nuk kishte skandal më të madh për një qeveri se sa kjo e Edi Ramës, e cila pasi dhjetëfishoi taksat, bëri edhe ligjin e supergjobave, ku me një gabim minimal, biznesit i vihej 100 milionë lekë gjobë, ligj të cilin e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese. Dhe, a e dini pse e bënë këtë? Që të falimentonin biznesin ekzistues dhe në vend të tyre të vinin trafikantët, sepse paratë e drogës duhen investuar diku.

Presionin e pushtetit dhe të kriminelëve të tyre, ne e ndjejmë për ditë në punën tonë. E ndjen ai tregtari i vogël ambulant që e marrin zvarrë, sepse tek ai vend Erion Velia do vendosë kioskën e tij, por e ndjen edhe një biznesmen i madh si unë, i cili vetëm se i dola publikisht kundër pushtetit, për taksat dhe gjobat, pa bërë asgjë, më morën me furgona policie nga kompania ime duke më prishur një aktivitet për të cilin kishim 6 muaj që punonim dhe investonim.

E di që ata nuk mund ta konceptojnë dot se çfarë do të thotë të ngresh një punë me djersë, të fitosh para në mënyrë të ndershme. Dhe në fakt si mund ta dijë si fitohen paratë, një pushtet i cili fiton 2 miliard dollarë nga droga, kur 104 mijë biznese në Shqipëri, fitojnë vetëm gjysmën e kësaj shifre?

Dua të flas edhe për një problem tjetër.

Dëgjova dje Kryeministrin në Parlament që tregoi një barcoletë. Ai tha se aq të vjetra janë dokumentat e kadastrave, saqë, kur njëri fitoi një gjyq prone, dhe u hap harta për ta përcaktuar se ku i bie kjo pronë, ajo i binte tek pjesa e grisur dhe gjyqtari tha që prona e zotërisë është tek vrima. Por tashmë ishte vënë në vijë puna e regjistrimit të pronave dhe nuk do ketë më harta me vrima, sipas Ramës.

Por si ka mundësi që paralelisht me këtë punë, njerëz shumë pranë pushtetit, po grabisin me lejet, firmat dhe vulat tuaja, pronat e banorëve autoktonë ne Himare dhe me këtë katrahurë që po bëni, ne as te vrima dhe as jashtë vrimës nuk do arrijmë të marrim çertifikatat e pronësisë.

Kemi kaq muaj që ju kemi akuzuar ju, në vetë të parë si arkitekti i kësaj grabitjeje dhe ju zoti Rama, që i përgjigjeni gjithkujt edhe në facebook, nuk denjoni t’i përgjigjeni një komuniteti të tërë që po plaçkitet për ditë? Prandaj ne jemi kundër qeverisë tënde Edi Rama, sepse në këto katër vite, nuk keni bërë gjë tjetër, por na keni shkatërruar biznesin, na keni grabitur pronat dhe keni rritur varfërinë.

Prandaj duhet të largoheni dhe t’i hapni rrugë një qeverie teknike. Mjaft e mbajtët peng këtë vend! Nuk ju a kemi borxh! Ju faleminderit!

Fjala e mbajtur sot ne Bulevardin e protestes:

Share: