Home KRYESORE Pse duam të ndajmë Agollin nga Kadare?!

Pse duam të ndajmë Agollin nga Kadare?!

Nga Ilir Demalia

Largimi nga jeta i Dritëro Agollit me ceromoninë funerale nga partia në pushtet, ngjasonte me ceremonitë e varrimeve të anëtarëve të byrosë politike në kohën e komunizmit.

Reagimet dhe shkrimet për Dritëron, si nga ata që e vlersuan si “patriark të letrave shqipe”, si nga ata që mohonin çdo gërmë të tij, hapën nje temë që mbahet me qëllim e mbyllur si vazhdimësi e sundimit politik-kulturor të elitave të regjimit diktatorial.

Në këtë turfëllimë na u çfaq një grup tjetër, si Baba-Ramot dhe Mark Markajt, të cilët, vdekjen e Agollit e shfrytëzuan për të ndarë Agollin nga Kadare. Agollin e trajtonin si një komunist të pandreqshëm që me veprën e tij i ka shërbyer regjimit komunist dhe Enver Hoxhës. Kadarenë e kundërta e Agollit. Babaramo, shkoj deri në absurdin sa quajti Ceremoninë e Agollit një ceremoni për të poshtëruar Kadaren?! Ky grupim në favor të manipulimit të jetës dhe veprës së Kadaresë, janë po ata njerëz te medias, letrave, shoqërisë që miku im Agim Rada i quante që para 1990, Uturakët e Kadaresë.

Pa u futur në vlerësimin letrar për Dritëron dhe Kadaren, le ti vendosim ata në pozicionet e tyre si funksione partiake, administrative –shtetërore që kanë pasur në diktaturë.

1 Agolli, anëtar i P.P.Sh, po kështu edhe Kadare.
2 Agolli, deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, po kështu edhe Kadare
3 Agolli, anëtar i KQ me sekretar të pare sh. Enver Hoxha, Kadare nën/kryetar i Frontit Demokratik (organizatë që rekomandonte interrnim-dëbimet, arrestimet politike, e.t.c, masha e parties dhe sigurimit shtetit) me kryetare shoqen Nexhmie Hoxha
4 Agolli, Kryetar i L.SH.A –së Kadare anëtar i kryesisë.

Ku ndryshojnë të dy këta shkrimtarë në këto pozicione? I vetmi ndryshim është se Dritëro Agolli i ka pranuar këto pozicione dhe nuk ka marrë mundimin ti mohoj apo justifikoj si Kadare, i cili, mundohet ti fshijë nga biografia e tij këto pozicione duke i kaluar si gjëra të parëndësishme dhe formale dhe nuk do që të i’a përmendin.

Përsa i përket llogarisë që i kërkohet Dritëroit për burgosjen dhe vrasjen e poetëve, unë besoj, se ata nuk i ka denoncuar dhe rekomanduar arrestimet e tyre Dritëro, por partia e Dritëros dhe Kadares me organin e sigurimit-shtetit dhe me ndihmën e spiunëve të frontit demokratik. Për këtë e njëjta llogari duhet ti kërkohet edhe Kadares dhe të gjithë kryesisë së lidhjes dhe anëtarëve të lidhjes për ngritjen e dorës për këta njerëz si “armiq”. Megjithëse shumë prej tyre, fillimisht nuk janë arrestuar për veprën letrare apo …. por për diçka tjetër. As nuk kanë pranuar që janë kundër regjimit, por kanë kërkuar falje dhe mëshirë. Një gjë krejtë normale. Në këtë kontekst është detyrim edhe hapja e dosjeve të tyre, edhe për të pare akt-akuzën, edhe për të parë poezitë e tyre apo veprën letrare së çfarë vlere dhe disidence ka vepra, por edhe për të pare qëndrimin e tyre që manipulojnë sot me fillesën e akt-akuzës dhe veprës së tyre letrare që pretendojnë se janë arrestuar.

Pra, për të kuptuar realitetin dhe atë se çfarë ka ndodhur me ne si popull gjatë regjimit komunist, duhet të jemi të pamëshirshëm në raportin me të vërtetën.

Burgu apo dhe dënimi me vdekje nuk është pasaportë për të qenë shkrimtar apo artist i madh!

Të qënit komunist nuk të heq të drejtën për të qenë shkrimtar apo artist i madh! Kemi shembullin e shkrimtarit Shollohov me çmimin Nobel, Sartrin, Kamyn, Nerudën, Pol Eluar, Pasternak, Kundera, e të tjerë. Këta kanë art apo filozofi që vlersohet si model dhe rrymë, plus kanë çfaqur raportin me të vërtetën, vrasjen e ndërgjegjes për periudhën që i shërbyen nga frika apo se besonin. Pra, kanë bërë katarsisin.

Për të kaluar në veprën letrare!

“Të dy këta BUAJ të letërsisë shqipe që tëheqin pas tyre parmendën e letërsisë së realizmit socialist” siç i pati quajtur kryeministri asokohëshëm Mehmet Shehu, janë konstruksioni metalik në të cilin u mbajt dhe u ngrit binaja e realizmit socialist si shpëlarje e truve të shqipëtarëve.

Të dy me veprën e tyre i kanë thurur himne sistemit kriminal komunist dhe diktatorit Enver Hoxha. Të dy kanë qenë të llastuarit e regjimit. Kadare ka qenë më i llastuar, i ftuar në shtëpinë e diktatorit dhe jo Agolli! Kadare hynte- dilte në shtëpinë e krimnelit kryeministër të Shqipërisë Mehmeht dhe jo Agolli! Kadare kishte miqësi dhe rrinte me djemtë e anëtarëve të byrosë politike dhe hynte e dilte në shtëpitë e tyre si dhe në shtëpinë e kryetarit komisionit interrnim dëbimeve Manush Myftiu, dhe jo Agolli.

Për Kadarenë investonte partia për botimet e tij në Francë, jo për Dritëron.

Janë të dy këta shkrimtarë që me gjithë shpurën e anëtarëve të L.SH.A-së anatemuan dhe vollën vrer kundër letërsisë së ndaluar, lëtërsisë së paraluftës. Kadare më i rregullt, më permanent, më i egër se Agolli dhe e gjithë shpura. Të kujtojmë vetëm sulmet kundër Fishtës, Koliqit dhe gjithë shkrimtarëve të klerit katolik dhe lëvruesit të gjuhës shqipe Faik Konica çfarë ka shkruar e ka thënë Kadare, nuk i gjen në shkrimet e thëniet e Agollit atë egërsi për këta shkrimtar.

Nuk dime deri më sot që Agolli të jetë shkaktar i nisjes një proçesi interrnimi, burgosje, apo torturash fizike, futjes në psiqiatri të ndonjë personi! Dimë për Kadarenë, rastin e Renatos, të dashurit të vajzës, që pasi u torturua në policitë e Tiranës, u internua dhe u fut në psiqiatri ku e mbytën me me ilaçe dhe sot e kësaj dite jeton si invalid në Amerikë. Kadare të mundohet e ta justifikoj e ta mohojë këtë krim sa të dojë, por krimi me Romeon do ta ndjek deri në varr! Deri më sot, sëpaku, nuk ka treguar një akt pendese si në të gjitha gjërat e tjera.

Letërsia e të dy këtyre shkrimtarëve si dhe arti periudhës së komunizmit si art i realizmit socialist, në të gjithë organizimin dhe aktivitetin e sajë ka qenë në shërbim të regjimit. Të pakta, shumë të pakta do të jenë ato vepra që i krijuan gjatë gjithë kësaj periudhe, ku shkrimtarë si Kadare dhe Agolli vranë talentin e tyre duke u bërë vasalë të regjimit si zëdhënesit kryesor të letrave me ditirambet për partinë dhe monumentet letrare për diktatorin.

Shqetësimi që ngriti vdekja e Dritëro Agollit është se: ne nuk jemi ndarë nga komunizmi as si shije letrare-artistike, as si gjykim dhe ndëshkim, as edhe si nostalgji për atë regjim nëpërmjet vlersimit që i japim këtyre dy shkrimtarëve si dy “patriarkët më të mëdhenj” të letrave shqipe, por edhe me kanibalizmin qëndrimeve kundra, dhe jo analizës për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me ne.

Si mund të frymëzohesh dhe keshë vlersime absolute për këta dy shkrimtarë si dy më të mëdhenjtë e letrave në historinë e letërsisë shqipe kur krijmtaria me qëndrimet e tyre politike, letrare, i kanë shërbyer një prej diktaturave më të egra dhe më gjaksore në botën komuniste dhe historinë e Shqipërise?

Atëherë, çfarë duhet të themi për ato vlera letrare, edukuese, morale, frymëzuese atdhetare me shërbimet e tyre ndaj atdheut dhe kulturës shqipëtare si At Fishta, F.Konica, E Koliqi, A. Harapi, Vinçes Prenushi, A.Pipa, At Gj. Shllaku, Mitrush Kuteli, Musine Kokalari, At. B.Palaj, P.Marko, At.M.Sirdani, Pater Gj.Karma, At, B. Palaj, T. Xhagjika, F. Kokomani, V. Lexho, Xh. Koprencak e të tjerë?

Si mund të kemi një sistem të tillë referimi vlerash sot dhe të themi se jemi ndarë nga diktatura dhe diktatori?

A mund të ndërtojmë në këtë mënyrë modelet tona dhe një hierarki vlerash morale kulturore-kombëtare?

Nga modelet që krijojmë, tregojmë dhe atë çfarë jemi dhe si mendojmë, dhe si gjykojmë e jetojmë në postdiktaturën tone me këngën, “Ne jemi komunistë!”.

Share: