Në “Dritare me Rudinën”, në Vizion Plus, akademiku Rexhep Qosja, foli gjatë për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Profesor Qosja tha se e ka mbështetur Ramën, sepse ka nisur ta reformojë Shqipërinë, që e gjeti në një stad mes autarkisë dhe anarkisë.
Por, profesor Qosja, shkruan dritare.net, për herë të parë, numëroi edhe tre gjëra që nuk i pëlqejnë te kryeministri Rama. Ja si u shpreh alademiku në “Dritare me Rudinën”:
“Mendoj se Edi Rama, është një politikan, shtetar dhe intelektual njëkohësisht. Ai për mua, është i rëndësishëm në radhë të parë sepse ka filluar ta reformojë Shqipërinë, ta bëjë një shtet bashkëkohor dhe ta evropianizojë. Shqipëria ishte si ishte, mes një autarkie dhe një anarkie. Edi Rama dëshiron ta reformojë Shqipërinë, ta modernizojë dhe kjo nuk është pak, por është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën.
Megjithatë, me gjithë këtë përkrahje që unë i kam dhënë dhe i jap Edi Ramës në përpjekjet e tij për reformimin e përgjithshëm të Shqipërisë, nuk do doja t’i shihja disa veprime dhe mendime të Edi Ramës.
Do të doja ta shihja më pak në televizion. Televizioni për një farë kohë i afirmon njerëzit, por televizioni edhe mund t’i dëmtojë, mund t’i shkatërrojë njerëzit në qoftë se e teprojnë.
Pra do masë dhe masa është formuluar në Greqinë antike prej Platonit e Aristotelit, masa është përbërës i veprës shkencore, i veprës artistike, i etikës, i sjelljes së njerëzve, i organizimit të tyre politik, shtetëror.
Do të doja që Edi Rama ta ketë këtë masë në paraqitjet e tij publike dhe të mos paraqitet në vendet e të gjithë ministrave të tij.
E treta, nuk do të doja që Kryeministri i Shqipërisë të futej në çështje fetare, Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, feja është e ndarë prej shtetit, politikanët nuk duhet të merren me çështje fetare. Është ligji, është Kushtetuta, çështjet edhe për fenë të cilat janë të rregulluara me ligj.
Tjetër, Papa Françesku është një figurë e madhe fetare, morale, etike, mund të jetë figura më e madhe në botë me ndikim etik. Unë kam shumë përkushtim për fjalët e tij, për ndikimin e tij në botë, por nuk e quaj të arsyeshme ngritjen e shtatores së Papës në një shtet laik.
Unë nuk e quaj të arsyeshme këtë dhe nuk e quaj të arsyeshme sepse, e para, Shqipëria është shtet laik dhe nuk duhet t’i japim kuptime fetare dhe e dyta, jemi popull me tri fe dhe duhet të kemi kujdes për harmoninë shumëshekullore të vazhdueshme dhe që dëshirojmë e shpresojmë të vazhdojë kështu”, – tha Rexhep Qosja, në një intervistë të pazakontë për argumentet që numëroi për mënyrën e komunikimit politik të kryeministrit Rama, të cilin ai e ka mbështetur prej fillimit dhe ruan të njëjtin qëndrim ndaj tij./dritare.net