Komisioni Hetimor i drejtuar nga demokratët për hetimin e zgjidhjes me marrëveshje të konfliktit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë CEZ është përfshirë në debate të ashpra gjatë marrjes në pyetje të Avokates së Shtetit, Alma Hicka.
Kryetari i Komisionit Hetimor, Edmond Spaho, e ka pyetur Hickën se kush e autorizoi që të negociojë me palën çeke për t’i ofruar 100 milionë euro për të mbyllur konfliktin, por kjo e fundit ka deklaruar se këtyre pyetjeve u ishte përgjigjur në seancën e kaluar.
Por Spaho i ka kërkuar disa herë Avokates së Shtetit që të mos sillej në mënyrë arrogante, por t’u jepte përgjigje pyetjeve.
Tonet u acaruan kur Spaho i kërkoi disa herë Avokates së Shtetit që të pushonte dhe të dëgjonte pyetjet, por ajo ka përsëritur vazhdimisht se po shkelin rregullat e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
“Ju nuk jeni prokuror i kohës së komunizmit, ju jeni kryetar i Komisionit Hetimor, dhe duhet ta drejtoni procedurën sipas Kushtetutës”, iu drejtua Hicka Spahos.
Mbledhja është ndërprerë për disa çaste, pasi asnjëri nga të pranishmit nuk lejonte tjetrin të fliste. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, deputeti i PD-së, Helidon Bushati, i kërkoi Avokates së Shtetit të sillej në mënyrë të edukuar, dhe se po tallej me Komisionin.
Ai iu drejtua se po përfitonte nga fakti që është femër, sepse po të kishte qenë mashkull, do të përballej para kamerave me tone dhe akuza të forta.
Avokatja e Shtetit është larguar nga salla, pasi deputeti Eduard Shalsi u rikthye në mbledhje dhe i kërkoi që të largohej. Por Edmond Spaho i bëri të qartë se do të merrej me polici nëse do largohej.
DEBATI ME DYER TË MBYLLURA
Alma Hicka: Unë nuk ju jap asnjë përgjigje, deri sa ju të respektoni ligjet mbi pyetjet për dëshmitarët. S’kam ardhur këtu të dëgjoj komentet tuaja mbi personalitetin tim. As t’ju dëgjoj juve që shani.
Edmond Spaho: U qetësuat? Keni nevojë për ujë?
Alma Hicka: I nderuar kryetar, ju siguroj që unë nuk e humbas qetësinë lehtë. Kam pasur të bëj në sallën time të gjyqit me vrasës, me njerëz të rrezikshëm dhe nuk e kam humbur qetësinë. Por, sigurisht nuk do t’ju përgjigjem dhe të lejoj njeri që të më fyejë. Dhe jo të thoni që je arrogante dhe jeni duke gënjyer.
Edmond Spaho: Nuk keni durim të ballafaqoheni me dokumente.
Alma Hicka: Unë s’kam ardhur këtu që ju të më vërtetoni diçka mua, por kam ardhur për t’iu përgjigjur pyetjeve. Por ju nuk dini se cili është roli juaj.
Edmond Spaho: Ju s’po thoni të vërtetën e asaj që ka ndodhur në grupin negociator.
Alma Hicka: Unë ju përgjigja mbi dy orë e gjysmë seancën e kaluar, por ju nuk keni më pyetje dhe prandaj bëni këtë lloj sjelljeje.
Edmond Spaho: Mos kini frikë nga e vërteta.
Alma Hicka: Unë nuk kam frikë nga e vërteta, por nuk mund të pranoj që ju të më drejtoheni dhe të më thoni: Mos ki frikë nga e vërteta. S’kam ardhur të dëgjoj këshillat tuaja këtu.
Namik Kopliku: A u qetësuat?
Edmond Spaho: Ne të qetë ishim, po qe se zonja është e qetë.
Alma Hicka: Zoti kryetar, ju nuk mund të thoni nëse zonja është e qetë. Nuk jeni ju këtu për të bërë komente për qetësinë time. Apo personalitetin tim. S’kam ardhur këtu të dëgjoj komentet tuaja mbi personalitetin tim. Ku jemi këtu, në gjyqin para komitetit të partisë së lagjes?!
Helidon Bushati: Shiko, je duke u sjellë në mënyrë shumë të paedukuar. Je femër, por nuk mundesh. Asnjë dëshmitar nuk është sjellë deri më sot në mënyrë të tillë.
Alma Hicka: Të lutem shumë, asnjëri s’mund të bëjë përcaktime mbi sjelljen time.
Helidon Bushati: Ke shans të madh se do të ishim përballë edhe para kamerave. Por ke shans të madh që je femër. Të ishe mashkull, do ta kishe parë si do të ishim sjellë me të vërtetë. Pra, mos abuzo me këtë gjë. Mos abuzo, se je shumë abuzive që në fillim. Tallëse dhe abuzive.
Alma Hicka: Të lutem shumë, mos më ngri mua zërin! Unë s’po bëj asnjë përcaktim për sjelljen tuaj.
Helidon Bushati: Të kishe qenë mashkull, ta kisha treguar mirë edhe para kamerave. Je tallur që minutën e parë…
Alma Hicka: Pa diskutim që do të kërkoj të zbatohen rregullat.
(RINIS MBLEDHJA, EDUARD SHALSI RIKTHEHET SËRISH NË KOMISION PASI U LARGUA QË NGA FILLIMI I MBLEDHJES)
Eduard Shalsi: Çfarë i thanë dëshmitares? I kanë thënë që gënjen?!
Alma Hicka: Jo vetëm gënjen, por ti je arrogante, ti do të vish me polici.
Eduard Shalsi: Dëshmitare faleminderit, mund të largohesh.
Edmond Spaho: Nuk mund t’i thuash ti të largohet. Le të provojë të largohet dhe do ta shikosh.
Ervin Bushati: Po çfarë do t’i bësh?!
Edmond Spaho: Ta provojë dhe do të vijë me polici pastaj. Por ju nuk jeni burra. Ju nuk përballeni dot me faktet.
Alma Hicka: S’ka më pyetje. Unë po largohem.
Edmond Spaho: Zonjë, ju nuk keni të drejtë të largoheni! Do t’ju sjell këtu me polici! Nuk merr urdhër nga partia, pavarësisht se je ushtare e bindur e partisë. Këtu je në funksionin e Avokates së Shtetit. Këtu do të vish do përgjigjesh si Çeçua! Do të vini me polici të përgjigjeni! /Panorama