Të 190 kandidatët, të cilët kanë aplikuar për të shërbyer në institucionet e Vetingut, do t’i nënshtrohen një verifikimi të trefishtë nëse i plotësojnë kriteret e parashikuara në ligjin për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Verifikimi do të kryhet fillimisht nga institucioni i Avokatit të Popullit, më pas nga ekspertët e SHBA-BE, si pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe në së fundmi nga organet e Kuvendit.
Pika “e” e nenit 6 të ligjit të Vetingut parashikon që një nga kushtet për t’u bërë anëtar i organeve të Vetingut është që kandidati nuk duhet të ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ishSigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ishshërbimit të sigurimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Ndërkaq, në zbatim të ligjit të Vetingut, Avokati i Popullit ka nisur verifikimin e 190 kandidatëve në raport më ishSigurimin e Shtetit.
Do të jetë autoriteti i për hapjen e dosjeve të ishSigurimit, institucioni i cili do të informojë Avokatin e Popullit për kandidatët që nuk plotësojnë kriterin e parashikuar në pikën e të nenit 6 shkruan “shqiptarja.com”. Pas këtij procesi, për të cilin ligji ka parashikuar një kohë shumë të shkurtër, Avokati i Popullit, pasi konsultohet me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, përpilon një listë me kandidatë të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere.
Verifikimi
Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit do të verifikojë kandidatët për institucionet e Vetingut nëse kanë qenë bashkëpunëtorë aktivë të ishSigurimit të Shtetit si dhe nëse kanë qenë anëtarë ose kandidatë të Byrosë Politike, anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetarë të Gjykatës së Lartë, Prokurorë të Përgjithshëm, kryetarë të Hetuesisë së Përgjithshme, anëtarë të Këshillit të Ministrave, kryetarë të degëve të punëve të brendshme, anëtarë të Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokurorë, gjyqtarë në procese posaçme politike, apo punonjës të nivelit të lartë i ish Sigurimit të Shtetit.
Verifikimi nga ONM
Një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët e listuar nga Avokati i Popullit. Jo më vonë se 14 ditë nga paraqitja e dy listave, ky komision, bazuar në vlerësimet e arsyetuara, lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, i dërgon rekomandimet Avokatit të Popullit, i cili ia përcjell ato Kuvendit. Të gjitha këto veprime ligji ka parashikuar fillimisht për Presidentin e Republikës, por meqenëse ky i fundit nuk pranoi ta ushtronte këtë detyrë, kompetenca i kaloi Avokatit të Popullit.
Kriteret ligjore
a) Ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi.
b) Të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues.
c) Të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale.
ç) Nuk ka ushtruar funksione politike gjatë 10 viteve të fundit.
d) Ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal.
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna.
e) Nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ishSigurimi i Shtetit
ë) Nuk ka qenë gjyqtar dhe prokuror gjatë dy viteve të fundit.
f) Nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.
g) Nuk është më shumë se 65 vjeç.
gj) Zotëron shumë mirë gjuhën angleze.
Kriteret që vlerësohen
a) Titujt shkencorë në fushën e së drejtës.
b) Përvojë të veçantë të kandidatit në sfera të caktuara të së drejtës.
c) Vjetërsinë në profesion.
ç) Përvojën studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar;
d) Notën mesatare jo më pak se 8.