Home KRYESORE A është ekonomia shqiptare e drejtuar nga fryma liberale?

A është ekonomia shqiptare e drejtuar nga fryma liberale?

Nga Kasem Seferi

Liberalizmi në ekonomi përfaqëson rrymën e atyre ideve ekonomike që argumentojnë se ndërhyrja e qeverisë në treg duhet të jetë e kufizuar dhe e kujdesshme, për arsye se e mira i takon gjithë shoqërisë dhe jo një grupi interesi të veçantë që fiton zgjedhjet.

Rryma e mendimit ekonomik liberal e kondenson ekonominë në një fjalë të vetme: pronë, që nënkupton pronësinë private mbi mjetet e prodhimit, transportit, shërbimev të ndryshme etj, pasi të gjitha kërkesat e tjera rezultojnë nga kjo kërkesë themelore.

Në këtë kontekst, rryma e mendimit ekonomik liberal mendon ndryshe nga rryma e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi (ose qeverisë në treg), që përpiqet të argumentojë se qeveria ka për detyrë ose të mbështesë, ose të subvencionojë, ose të japë privilegje për grupe të veçanta.

Praktikisht, në një realitet të tillë të jetës politike, partitë politike shihen vetëm si grupe presioni dhe grup presioni nuk është gjë tjetër, veçse ai grup njerëzish që duan të përfitojnë privilegje të veçantë për interesa vetiakë në kurriz të pjesës tjetër të kombit.

Me privilegj, rryma liberale, konsideron që u siguron individëve, ose grupeve të caktuara të interesit një tarifë të ulët, në mënyrë të padrejtë, për importe konkurruese, ose një subvencion për një prodhim ose shërbim, ndryshe nga ai që vendoset në treg.

Një ligj që shtrembëron konkurrencën në treg dhe që, me çdo kusht, u siguron një pozicion të veçantë grupeve të caktuara të presionit, duke i dhënë atyre diçka që u mohohet, ose duhet t’u mohohet grupeve të tjera, duke cënuar interesin e përgjithshëm.

Rryma liberale duke i pasur themelet te prona, pra, te të gjitha rëndësitë dhe fuqitë që ka ajo, si dhe te puna njerëzore, tregon se këto dy faktorë prodhimi sigurojnë kushtet për një bashkëpunim të qëllimshëm për të siguruar të gjitha mallrat dhe/ose shërbimet, që i shërbejnë plotësimit të kërkesave të konsumatorit.

Rryma liberale bën një dallim të qartë ndërmjet diferencës që ka bota e një njeriu që riskon jetën dhe pronën e tij për një çështje të drejtë dhe botës që ka njeriu që i sakrifikon ato pa i siguruar përfitime shoqërisë në cilëndo mënyrë.

Rryma liberale mendon se çdo gjë që shërben për të ruajtur rendin shoqëror është e moralshme, ndërsa çdo gjë tjetër, diametralisht e kundërt me këtë, është e pamoralshme.

Rryma liberale mendon se, hap pas hapi, me fjalën “pronësi” çdo njeri, në mënyrë të përshtashme, mund të vendosë fjalët: “liri” dhe “paqe” për arsye se kur nuk respektohet pronësia, atëhere liria dhe paqja sulmohen në mënyrë të dhunshme pikërisht nga kundërshtarët dhe është drejtësia e kundërshtimeve ajo që ngrihet kundër atyre.

Rryma liberale, si filozofi, ngrihet mbi kriterin e lirisë dhe mbi kriterin më pak shtet më shumë treg, i cili mbrohet me argumentet e lirisë së këmbimit dhe të pronës, si dhe të efikasitetit ekonomik me mirëqënien, që rezulton prej tij, por kufizimet shoqërore ndaj lirisë së njeriut nuk janë thjesht pasojë e veprimit të shtetit, por edhe e veprimit të personave të tjerë (privatë apo të organizmave të tjerë).

Rryma liberale, parimin e saj mbi lirinë, e zbaton në të drejtat e qytetarit (që ai të mos jenë objekt i dhunës, që të ketë lirinë e zhvendosjes, të shprehjes, të krijimit të shoqatave); të drejtat politike për pjesëmarrje në marrjen e vendimeve kolektive që kanë të bëjnë me personin (demokracia) dhe fusha e dytë, të drejtat ekonomike: e drejta nga krahu i punës; puna dhe frytet e saj; e drejta për të lënë të drejtat e veta; për të marrë dhe për të dhënë të drejta; për të lënë trashëgimi; për të këmbyer; për të ndërmarrë; etj.

Rryma liberale ndahet në liberalizëm ekonomik, që ka për synim jetën ekonomike, në liberalizëm politik, që zbatohet në drejtimin politik (pluralizmi dhe disa forma demokracie), në liberalizëm të zakoneve, ose një “morali” që predikon tolerancën dhe lirinë lidhur me stilin e të jetuarit dhe të menduarit, dhe në liberalizëm shoqëror, për të treguar shoqërimin e një liberalizmi të zakoneve dhe të drejtave qytetare.

Filozofia e rrymës liberale në ekonomi, liderin, e sheh si kapiten të një anije dhe, pavarësisht se përparësi ka të drejtën e komandimit, si privilegj të vetëm të kapitenit nuk konsideron thjesht aftësitë e tij “për ta drejtuar anijen përmes shkëmbinjve gjatë stuhisë, duke i shërbyer vetëm vetes, por duke i shërbyer të gjithë ekuipazhit.”.

Kjë e vërtetë bën bisht në qoftë se qytetarët nuk perqendrohen me të gjithë vemendjen për ta ndjekur atë dhe ndërkohë që ajo u bën bisht, iluzioni e vonon më shumë njohjen e së vërtetës dhe çon në shumë keqkuptime.

Shpesh, të kuptuarit e të vërtetës kufizohet te konceptimi politik, te iluzioni se rreziku nga e pavërteta mund të largohet nëpërmjet spekullimit dhe manipulimit; e vërteta është se spekullimi dhe manipulimi janë shumë më të thella dhe e prishin qetësinë dhe besimin te demokracia.

Ndryshimet në filozofi mund të çojnë në mosmarrëveshje përsa i takon sferës përkatëse të veprimtarisë ekonomike të qeverisë, mirëpo, krijimi i mendimeve inteligjente rreth politikës publike nuk kërkon vetëm një filozofi politike, por edhe një kuptim të qartë mbi atë se çfarë bën në fakt qeveria.

Analiza e ndërhyrjes qeveritare në treg nuk do të ishte e plotë në qoftë se nuk do t’i referohej dukurisë së korrupsionit, që shkakton dëmtime në sfondin e çdo veprimi të ndërhyrjes së qeverisë në proçesin e tregut.

Përvoja nuk njeh ndonjë metodë të qartë dhe të drejtë të ushtrimit të një pushteti shumë të madh, si ai që ndërhyrja qeveritare vendos në duart e ligjvënësit dhe ekzekutivit, me pretendimin për të zevendësuar efektet “shoqërisht” të dëmshme të pronës private me maturinë e pakufizuar të legjislatorit të mençur, të painteres dhe të shërbëtorëve të ndërgjegjshëm e të papërtueshëm në mënyrë të përkryer, zyrtarëve.

Fatkeqësisht, zyrtarët nuk janë engjëj, sepse ata shumë shpejt marrin vesh se vendimet e tyre për biznesmenët duan të thonë: ose humbje të konsiderueshme, ose nganjëherë fitime të konsiderueshme.

Sigurisht, jot ë gjithë zyrtarët marrin rryshfet, por ka të tjerë që mezi presin të marrin përparësi për çdo mundësi “të sigurt” të “ndarjes” së pjesës me ata të cilët favorizojnë me vendimet e tyre; korrupsioni është një efekt i rregullt i ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi dhe u takon historianëve dhe juristëve të merren me problemet që përfshin dukuria e korrupsionit.

Duke marrë në considerate sa kemi parashtrua më lart, fakti që u ndërruan katër ministra, a e ka ndërruar “zakonin“ e qeverisjes në lidhje me ndërhyrjen qeveritare në treg dhe korrupsionin që e shoqëron atë?!

Protesta është politike në formë, por ekonomike në përmbajtje, përmbajtje që nuk nuk mund të mbulohet me një qime të re.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: