Home KRYESORE Akademikët maqedonas kundër shqipes

Akademikët maqedonas kundër shqipes

Akademikët maqedonas kundërshtojnë përpjekjet e shumicës së re parlamentare të udhëhequr nga LSDM­ja për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni. Ata këtë e vlerësojnë si “të rrezikshme për shtetin maqedon” dhe që mund të çojë në “shqiptarizimin dhe islamizimin e Maqedonisë”. “Përpjekjet e tanishme për zbatimin e dygjuhësisë në të gjithë territorin e Maqedonisë shpijnë drejt shkatërrimit të karakterit krishter dhe ortodoks të popullit tonë dhe islamizimin dhe shqiptarizimin e vendit tonë”, ka deklaruar akademiku Mitko Maxhunkov, duke kërkuar nga shqiptarët të heqin dorë nga deklarata politike shqiptare, që parasheh avancimin e statusit të tyre juridik në Maqedoni.

“Tani është koha që shqiptarët të kërkojnë falje dhe të tërheqin Platformën e tyre, ndërsa faktori ndërkombëtar të distancohet nga ajo platformë, e cila, me fjalë të tjera, shkatërron Maqedoninë ose e shndërron atë në Shqipëri, apo drejt projektit për Shqipërinë e Madhe”, ka deklaruar Maxhunkov në konferencës vjetore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Ndërkohë, kryetari i ASHAM­-it, Taki Fiti ka shprehur shqetësim të thellë për retorikën nacionaliste në Shkup dhe përpjekjet për përçarje në baza etnike. Ai tërhoqi vërejtjen për situatën serioze që mund të përshkallëzohen në konflikt të rëndë. “Është e rëndësisë kyçe zgjidhja e çështjeve që i preokupojnë marrëdhëniet ndëretnike që në kulmin e krizës në mënyrë shtesë politizohen dhe ashpërsohen. Ato duhet zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike pa kushtëzime dhe kërcënime të ndërsjella përmes dialogut konstruktiv, tolerancës, respektimit të ndërsjellë të të gjithë akterëve politikë”, ka deklaruar akademiku Taki Fiti.

Qëndrimi i akademikëve maqedonas kundër shqipes është kundërshtuar nga tre akademikët shqiptarë, nga gjithsej 43 sa ka ASHAM­i. “Këtë nuk guxon ta bëj një akademik, duhet të distancohemi të gjithë këtu.Unë personalisht distancohem. Mendoj se të gjithë ne duhet të distancohemi nga këto qëndrime”, ka deklaruar akademik Alajdin Abazi. Akademia maqedonase e shkencave dhe arteve edhe më parë ka ndezur tensione ndëretnike ndërsa veçohen ofendimet që kishte bërë ndaj shqiptarëve me Enciklopedinë maqedonase. Kjo Akademi në vitin 2001 kishte dalë edhe më një propozim për shkëmbimin e popullsisë dhe territoreve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. /Rel

Share: