Aleanca kundër Importit të Mbetjeve ka shprehur shqetësimin për lajmet që qarkullojnë së fundmi lidhur me mundësinë e tregëtimit dhe groposjes së kontenierëve me mbetje në territorin e Shqipërisë si rrjedhojë e tranzitit të tyre nga Italia për në Maqedoni.
Në një deklaratë për mediat dhënë përpara Prokurorisë së Përgjithshme, një zëdhënës i AKIP u shpreh se bëhet fjalë për një shqetësim që meriton vëmendje: “Për këtë arsye i kërkuam sot Prokurorisë që të na japë një informacion, nëse ka nisur një hetim siç kanë bërë vendet fqinje dhe nëse nuk ka nisur një hetim i tillë, ne si Aleancë kërkojmë që të nisë sa më shpejt hetimi i çështjes që ka ndjeshmëri të madhe në publik dhe padyshim rrezik të madh nëse është e vërtetë.”
Mësohet se Aleanca Kundër Importit të Plehrave do i kërkojë informacion edhe Ministrisë së Financave drejtuar nga ministri Arben Ahmetaj, nëse ka dhënë autorizime për mbetje të cilësuara si mbetje.
“A ka pasur tranzit kontenierësh me mbetje në 2014-2016? Cilat pika doganore janë përdorur për kalimin e mbetjeve? A keni informacion për kontenierët e mbetur në territorin tonë? A është nisur procesi hetimor për këtë çështje?”, janë disa prej pyetjeve të AKIP në letrën drejtuar Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Financave dhe kryeprokurorit Llalla.