Europa mund të përballet me një fluks të paprecedentë emigrantësh nga vendet afrikane, brenda pak viteve. Kreu i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, thotë se 20 milionë emigrantë afrikanë janë gati për të ardhur në Europë.
Europa do të përballet me dyndje të paprecedentë emigrantësh nga Afrika brenda pak viteve të ardhshme. Paralajmërimi vjen nga kreu i ri i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, i cili tha se 20 milionë emigrantë janë gati të dynden drejt vendeve të BE-së. Kaq përllogaritet të jetë shifra e refugjatëve dhe afrikanëve që janë gati të nisen drejt Europës nga brigjet e Afrikës së Veriut, sipas të dhënave nga qeveritë afrikane. Deklaratën e bëri në një intervistë për të përditshmen gjermane Die ëelt, ku në këtë mënyrë u përpoq të përshkruante se sa e rëndë është situata me emigrantët. Ai kërkon nga Bashkimi Europian, që të akordojë sa më shpejt fondet për ngritjen e qendrave të pritjes së refugjatëve nga vendet afrikane në territorin libian. Plani europian është që në këto qendra të strehohen ata refugjatë, që vijnë nga vendet e konfliktit në Afrikë dhe aty të trajtohen të gjitha kërkesat për azil në vendet europiane. Vetëm kështu mund të shmanget dyndjet direkte masive drejt Europës.
Tajani thotë se aktualisht në Libi janë ngritur rreth 30 qendra paraburgimi për emigrantët që përpiqen të nisen ilegalisht nga brigjet libiane drejt Europës. Këto qendra – sipas tij – janë në kundërshtim me rregullat europiane për të drejtat e njeriut dhe shpesh shfrytëzohen nga trafikantët e qenieve njerëzore. Këta të fundit përfitojnë shuma të konsiderueshme nga personat që mbahen në këto qendra për ti kaluar ilegalisht drejt vendeve europiane.
Që prej fillimit të 2017-s ka patur një rritje me 40% të numrit të emigrantëve afrikanë, që nisen nga brigjet libiane drejt Italisë, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Rreth 12 mijë emigrantë e refugjatë kanë ardhur në Europë nga Mesdheu në muajt e parë të këtij viti.
Agjencia e Bashkimit Europian për kufijtë paralajmëroi se trafikantët e qenieve njerëzore po shfrytëzojnë organizatat që merren me shpëtimin e refugjatëve që rrezikojnë mbytjen në Mesdhe. Ata madje i hedhin qëllimisht në det, duke mos u lënë asnjë mundësi patrullave europiane të ndalojnë hyrjen në ujërat europiane, duke e bërë të detyrueshëm shpëtimin e tyre./Abc News.al