Nga Llesh P. GJETA
Hyri me 40 parti Ali Baba i rilindjes dhe po del gjysmë i divorcuar edhe nga LSI në 4 vite qeverisje. Në ka një gjë që mund të thuhet qartaz për koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane është se funksionoi perfekt deri në çastin që solli në pushtet Edi Ramën dhe më pas humbi çdo funksion. Për të mos thënë se në ca raste edhe hëngri vetveten.
Le të marrim për shembull Demokracinë Sociale të Paskal Milos, që mori gati 12 mijë vota. Me pahir u detyrua të kthehet në koalicion në zgjedhjet lokale 2015, pas një ngrirje shumë të gjatë me Ramën. Dhe deklarata e tijë e asaj kohe ishte që mbështesim kandidatët e majtë. Që atëhere, Paskali është puthur me Milon e nuk ka dëgjuar më njeri për të.
Më herët, edhe socialdemokrati Skënder Gjinushi që i dha koalicionit mbi 10 mijë vota, kishte deklaruar se koalicioni nuk funksionon. Kjo që në vitin 2014. Që atëhere askush nuk ka dëgjuar më gjë për të. Flitet së fundi që po ia jep me qera partinë një lobi të njohur politik të veriperëndimit. Kaq.
Po Vangje Dule? I dha rreth 15 mijë vota Ramës kryeministër në 2013. Më herët, në 2009, Vangjel Dule i qëndroi besnik Edi Ramës e qëndroi me të, pavarësisht joshjes e tundimit prej Shile e Karibde të Berishës që e thërriste drejt pushtetit dhe privilegjeve, pasi Dulja i vetëm atëhere vlente një pushtet të tërë. Por PBDNJ qëndroi me Ramën ndërkohë që kur Rama morin pushtetin, me dredhi prej Odiseje e bëri ish aleatin besnik të largohet prej tij e të kalojë në opozitë.
Po Aleanca Popullore e Artur Dojakës? I dha mbi 9 mijë vota koalicionit fitues. Por për çështje parimore nuk u përfshi në qeverisje e nuk mori poste….
Pa vazhduar më tej, thjesht për ilustrim se sa luajal ka qenë kryeministri me aleatët e koalicionit, le të shohim partinë G99. Sipas KQZ, ka marrë…2977 vota!! As 3000 vota dhe …gjysmën e pushtetit të rilindjes.
Kthehemi tek “çifti gati i divorcuar”
Çarja e madhe iu shfaq shqiptarëve me çështjen “Doshi”.
– A po ndahen Rama me Metën?
Kjo pyetje ka plot dy vjet që qarkullon herë më fort e herë më butë në çdo tavolinë kafeneje, tavolinë studiosh televizive, politike e kudo tjetër. “Nuk duhen por kanë interesa të përbashkëta” – kanë deklaruar figura nga secili krah.
Interesa?
Në rastin konkret veç pushtetit për pushtet, nuk ngjan të ketë tjetër interes madhor. Me totalitarizmin e tij Rama jo vetëm që ka nxjerrë jashtë çdo funksioni koalicionin e tij, por çdo aleancë e bashkëpunim e bën haptas e qartas për interesa pragmatiste elektorale. Jo më kot sakrifikoi “grekët” e Dules për “çamët” e Idrizit. Si numra zgjedhësish PDIU pati më shumë se aleati besnik grek, dhe prandaj u ftua të ngopet me ca drejtori për ca klientë të Shpëtimit dhe po ashtu të mbahet peng me dosjet për deputetët e tij. Të përdoret po ashtu si gogol kundër kockës së fundit të fortë, Metës.
Me “babaxanllëkun” e tij Ilir Meta ka rritur dhe konsoliduar elektoratin e tij, duke patur – paradoksalisht – hasmin më të madh aleatin në vend të opozitës. “O Mete për vete!” – pra, është koalicioni tani 3 muaj para zgjedhjeve. Të gjithë të përdorur nga kryetari….apo kryetarët? Pra nga Rama? Apo nga Rama e Meta? I njohur për mbajtjen e fjalës dhe si punëmbaruar, të paktën brenda koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane Ilir Meta nuk mund të flasë më me gjuhën hermetike për të mos thënë asgjë. Natyrisht nëse si njëri ashtu edhe tjetri në rradhë të parë duan të shkojnë në zgjedhje me njëri – tjetrin dhe më tej edhe me ata aleatë që hynë në 2013 -ën./parrena.com