Avokati i Popullit dorëzoi sot pasdite në Kuvendin e Shqipërisë, listat dhe dosjet e kandidatëve aplikues, që shprehën interesin për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë të përcaktuar në ligjin nr. 84/2016.
Avokati i Popullit përcolli në Kuvendin e Shqipërisë edhe rekomandimet e hartuara nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).
193 kandidatë aplikuan për vendet vakante:
– Anëtarë të Komisionit
– Gjyqtar të Kolegjit të Apelimit, si dhe
– Komisionerit Publik.
Vlerësimi mbi përmbushjen e kritereve formale nga ana e kandidatëve u shoqërua me një intensitet të lartë pune për verifikimin e çdo dokumenti të paraqitur në dosje, nga secili prej tyre, dhe u monitorua në mënyrë të pandërprerë nga ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Avokati i Popullit përpiloi dy lista: e para me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe lista e dytë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere. Pas përfundimit të këtij procesi, listat dhe dokumentacioni përkatës iu dorëzua ekspertëve të ONM-së, për verifikime të mëtejshme, proces ky që u përmbyll ditën e sotme.
“Avokati i Popullit, Igli Totozani, shpreh një falënderim të veçantë dhe vlerësim maksimal për ekspertët e ONM-së, të cilët me një nivel shumë të lartë profesional asistuan dhe monitoruan përgjatë gjithë kohës ekspertët e Avokatit të Popullit, në procesin e vlerësimit të dokumentacionit të secilit prej kandidatëve, që shprehën interesin për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Totozani përshëndet dhe vlerëson mbështetjen e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në këtë proces tejet të rëndësishëm për Shqipërinë. Avokati i Popullit, Igli Totozani i uron sukses Reformës në Drejtësi dhe shpreh bindjen se kjo reformë jetike për shqiptarët, do të realizohet deri në fund”, thuhet në njoftimin e AP./lapsi.al