Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njëherësh ish-ministër i qeverisë “Rama”, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar dje se zgjedhjet e 18 qershorit nuk kanë asnjë mundësi ligjore që të shtyhen, siç kërkon Partia Demokratike.
Në një intervistë për “Top Channel”, ishministri i Marrëdhënieve me Parlamentin ka deklaruar se Kushtetuta nuk u jep asnjë mundësi ligjvënësve që të shtyjnë zgjedhjet, edhe nëse arrihet një pakt mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Sipas Celibashit, e vetmja mundësi është që ato të zhvillohen një javë pas datës së 18 qershorit, por jo në tejkalim të këtij afati.
“Edhe nëse partitë bien dakord për të pasur një datë zgjedhjesh, nuk ka asnjë mundësi kushtetuese dhe ligjore për të caktuar një datë tjetër zgjedhjesh. Në vlerësimin tim edhe Presidenti i Republikës nuk ka asnjë lloj mundësie dhe nëse partitë bien dakord për një datë tjetër zgjedhjesh. Përjashtimisht, ka mundësi që data 25 mund të jetë një datë tjetër zgjedhjesh, pra një javë më vonë, po jashtë kësaj date, absolutisht për mendimin tim”, ka thënë dje ish-kreu i KQZ-së.
Ilirjan Celibashi ka komentuar dje edhe kërkesën e opozitës për qeveri teknike dhe qëndrimin e maxhorancës. Sipas tij, të dyja palët shohin interesin e tyre politik.
“Ky është një qëndrim politik qoftë i njërës palë, apo i tjetrës. Opinioni publik është i ndarë në lidhje me atë se sa qëndron pretendimi i opozitës për të pasur një qeveri teknike si garanci për zgjedhje të lira dhe të drejta. Po ashtu, edhe pretendimi i maxhorancës së sotme sipas së cilës është një qeveri e zgjedhur dhe legjitime që ka mandat për të qeverisur deri në ditën e fundit të mandatit të saj. Në pikëpamje politike është vështirë të japësh një gjykim dhe secili e shikon sipas interesit të vet”, deklaron Celibashi.
Në Kushtetutën e Shqipërisë është vetëm një nen që flet për rastet e shtyrjes së zgjedhjeve dhe zgjatjes së mandatit të Parlamentit të Shqipërisë. Në nenin 66 të Librit Themeltar të Shtetit theksohet se vetëm në raste lufte parlamentit i zgjatet mandati automatikisht. “Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu”, thuhet në nenin 66 të Kushtetutës.
Ndërsa në Kodin Zgjedhor shqiptar theksohet se zgjedhjet mund të realizohen në një nga dy të dielat e muajit qershor. “1. Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit.
Në rast se mandati i Kuvendit përfundon më herët se 30 ditë nga fillimi i periudhës zgjedhore, zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore pararendëse. Për efekt të këtij Kodi, mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij”, thuhet në nenin 9 të Kodit Zgjedhor.