E para dhe e vetmja dëshmi e ish-të fejuarës së djalit të Mehmet Shehut për lidhjen me Skënderin, është ajo e kumtuar në procesin e bujshëm të Kadri Hazbiut. Rrëfimi i ish-volejbollistes së njohur të klubit “Dinamo” përballë hetuesve ka qenë diçka e veçantë dhe interesante njëherazi.
E thirrur në seancën e 27 dhjetorit 1982 për të penalizuar ish-ministrin e Brendshëm, sportistja e divorcuar tashmë me të birin e kryeministrit të vetëvrarë ka shpjeguar me sinqeritet e vërtetësi historinë e njohjes dhe rrethanat që kushtëzuan prishjen e fejesës me Skënder Shehun. Fillimisht ka qenë djali i kryeministrit që ka shprehur interes për t’u njohur me vajzën e profesorit të Matematikës, duke e ndaluar në rrugë një pasdite dhjetori të vitit ’80.
Por ajo ka hezituar të bisedojë duke i thënë se nuk e njihte. Disa përpjekje të tjera pas kësaj të djalit të ishkryeministrit kanë rezultuar pa sukses. Megjithatë, aventura e Shehut ka vazhduar më tej. “Në fillim të shkurtit ’81,- pohon ish-‘dinamovitja’, -Skënderi erdhi më takoi në Shverin të Gjermanisë Lindore, ku kishim një ndeshje volejbolli me ekipin ‘Traktori’. Më tha se vinte aty nga Suedia ku ishte me studime për të parë ndeshjen”. Që këtej, sipas dëshmitares, takimet e tyre janë bërë më të shpeshta.
Në korrik ’81, Skënderi shkonte gati çdo ditë në shtëpinë e pushimit të MPB-së në Durrës, ku stërvitej ekipi i saj. Në një nga takimet e radhës i shprehu edhe idenë e fejesës. Më 31 gusht 1981, familja Turdiu ka rënë dakord dhe Qazimi, i ati i Silvës, ka pritur në shtëpi Skënder Shehun. Qazimi duke u shfaqur hezitues për fejesën, i ka përmendur kleçkat në biografinë e familjes dhe e ka porositur t’ua bëjë të qartë edhe prindërve.
I biri i kryeministrit, duke pohuar dijeninë e tyre për çka flitej, e ka ftuar profesor Turdiun për një vizitë në familjen e tij. Fill pas këtij takimi, Silva ka vizituar për herë të parë shtëpinë e të fejuarit dhe ka biseduar nga afër me Mehmetin dhe Fiqreten. Deri këtu, dëshmon e ish-e fejuara e Skënder Shehut, gjërat kanë shkuar mirë, por kreshendoja e lidhjeve të ngushta do të ndërpritej befasisht shtatorin e vitit ’81/360grade.al