Home KRYESORE DUKE PRITUR SHPËTIMTARIN

DUKE PRITUR SHPËTIMTARIN

Nga Kliton Nesturi

Hm! Njeriu është i çuditshëm!… Megjithëse natyra (dikush mund të thotë edhe Zoti), e ka pajisur me mjaft dhunti të çmuara si energjia, guximi, mprehtësia, e të tjera si këto, ai, sado i shkolluar e i ditur që mund të jetë, sërish beson tek pritja. Madje, në çastet më kulminante të jetë së tij, bëhet rob i saj.

Po, po, rob i saj! Ai pret që të vij një çast, një njeri që t’i ndryshojë rrjedhën e mëtejshme të jetës, në se ajo do të ecë deri në fund të saj ashtu siç ai dëshiron. Pak a shumë si në përralla. S’ka rëndësi nëse ai është një princ i kaltër apo një plak i mençur, një Hirushe, apo…

Këtë e vendos sekonda e vetme, ajo që vitet, ditët dhe orët e sjellin me kurnacëri.

Ai mund të vij, por edhe mund të mos vij kurrë! Megjithatë, njeriu e pret. E, në këtë pritje jemi ne; unë , ti, të gjithë. Ai nuk ka një identitet të përcaktuar qartë, një emër. Po si mund të presim një njeri pa emër, një bamirës?! Djalli t’a marrë, por s’mund t’a lemë tjetrin, shpëtimtarin, pa emër! Nuk është logjike! Duhet që patjetër atij t’i gjejmë një emër. Pra, le t’a quajmë…

Godo! Po, pse pikërisht Godo? Për Beketin, Godoja është simbol i atij që nuk vjen kurrë! Le t’a quajmë Godo dhe pikë. Ky emër më erdhi në mendje. S’kemi nge të lodhemi për të gjetur emra të bukur. Dikujt i pëlqen njëri, dikujt një tjetër dhe kështu s’bëhemi kurrë dy veta në një mendje. Prandaj, le t’a quajmë Godo dhe të mos e zgjasim! Pastaj, për sa i përket Beketit, ai është një mendim personal.

Megjithëse në një çast të vështirë, ne të shtyrë nga sensi i optimizmit, jemi të sigurtë se Godoja do të vijë patjetër. Pak rëndësi ka se, kur dhe se me çfarë do të vijë: me kal të bardhë, a me ndonjë veturë luksoze, me avion a me tren ekspres, me jaht, traget apo me ndonjë makinë të rastit, nga cila anë e horizontit, apo dhe në ç’segment të njëzetekatër orëshit. Vërtet, pak rëndësi ka! Neve na takon vetëm të presim duke shpresuar që ai të vijë së shpejti.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ne duhet që t’i nënshtrohemi rutinës së pritjes, e cila herë pas here tregohet e vrazhdë dhe cinike me ne. E dimë se, ashtu si ne, janë edhe të tjerë që e presin Godonë, por ne na mban gjallë ideja, e cila na e shton edhe kurajon për të jetuar, që Atë do t’a takojmë sa më shpejt. Para tij, të gjithë profetët dhe shenjëtorët, janë një hiç! Është vetëm Godoja, ai që do të sjellë shansin, do të parashtrojë alternativat, paratë, jetën,…

E, gjatë pritjes, mes ankthit të nervozizmit, ne dashur pa dashur, përfytyrojmë mbërritjen e tij. Godoja vjen duke buzëqeshur. Fut dorën në xhep dhe nxjerr… FATIN! Sigurisht, dy lule për të, do t’i gjejmë. Edhe një shishe vere të shtrenjtë, të blerë me para borxh, apo diçka tjetër për t’i uruar mirëseardhjen! Jo vetëm pse duhet respektuar tradita, por edhe pse Godoja e meriton.

Kuptohet që, kjo nuk është asgjë para detit të tij të fisnikërisë dhe bujarisë,… por nderi është nder, ama! Pastaj, mjaft që të vijë, se sa për të tjerat… Deri atëherë, për të mos e vrarë veten më shumë, duhen bërë një sy qorr dhe njëri prej veshëve shurdh, sepse ashtu siç mund të jetë e shkurtër, pritja mund të vazhdojë shumë gjatë. Kalojnë orë, ditë, muaj…

Dhe ja!… Më së fundi, ja tek vjen Godoja! Ndryshe nga ç’mund t’a kishim parashikuar, ai vjen ngadalë, në këmbë. Dalëngadalë, afrohet drejt nesh i heshtur. Duket i lodhur, i mrzitur dhe i rraskapitur. Ka bërë rrugë të gjatë, shumë të gjatë. Për buzëqeshje, as që bëhet fjalë! As për optimizëm, jo e jo. Edhe fisnikëria i ka humbur rrugës…

E shohim nga xhepat. Asgjë që mund të na bëjë për vete. I veshur si mos më keq, ai dridhet nga të ftohtit. S’na mbetet gjë tjetër, veç t’a mëshirojmë! Gjithë ç’ka patur, i ka lënë rrugës. Marrim një xhaketë nga tonat, ia hedhim krahëve dhe e vëmë pranë zjarrit që të ngrohet. Vështrojmë në heshtje: Ai – flakët e zjarrit, ne – atë. Pasi e merr disi veten, e ulim në tavolinë dhe i vëmë përpara bukë dhe një pjatë me supë.

…Eh, Godo! Më mirë të mos kishe ardhur!…

Share: