Cilat janë rajonet me pabarazinë më të madhe në vend, ato më të pasurat, më të varfrat. Një publikim i përbashkët i Bankës Botërore dhe INSTAT, “Portreti i varfërisë dhe pabarazia në Shqipëri”, jep të dhëna të detajuara, që mund të përdoren nga politikëbërësit për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë në vend.
Nga Monitor.al
Më se një dekadë më parë, Farka ishte një zonë rurale si gjithë të tjerat, me avantazhin e vetëm që ishte afër kryeqytetit dhe kishte pak më shumë hapësira të gjelbra. Sot, ajo është kthyer në një zonë të mbushur me vila luksoze e të pasurve të vendit, që bashkëjetojnë me banorët e varfër, duke u bërë kështu dëshmitare e qartë e pabarazisë që po krijohet në vend.
Një publikim i fundit, i përbashkët i Bankës Botërore dhe INSTAT, “Portreti i varfërisë dhe pabarazia në Shqipëri”, tregon se është pikërisht Farka, komuna që ka nivelin më të lartë të pabarazisë nga 373 njësitë administrative (fshatra e qytete) sipas ndarjes së mëparshme territoriale në Shqipëri. Indeksi Gini, që mat nivelin e pabarazisë, është gati 30% për Farkën.
Studimi është i bazuar në Censusin e vitit 2011 dhe Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës 2012, po ashtu dhe në vëzhgimet me familjet për pjesën më të madhe të rajoneve dhe i është përshtatur ndarjes së re territoriale me 61 bashki, por duke ruajtur dhe ndarjen e vjetër me 373 njësi vendore, në mënyrë që të prodhojë rezultate, që janë më domethënëse për politikëbërjen sot.
Pas Farkës, komuna me pabarazinë më të madhe në vend është Lezha. Më pas renditet sërish një komunë e Qarkut të Tiranës, Dajti (edhe kjo një zonë e preferuar për vila), të ndjekur nga qytetet e Durrësit, Sarandës, Tiranës, Vlorës. Komuna me pabarazinë më të ulët në vend është Kalis në Kukës.
Për qarkun e Tiranës, pas Farkës dhe Dajtit, pabarazia më e lartë është brenda në qytet, ndërsa më e ulëta është në zonat që janë edhe më të varfëra si Zall Bastar, Baldushk, Shëngjergj.
Për gjithë vendin, sipas Bankës Botërore dhe INSTAT, niveli i pabarazisë matur nga koeficienti Gini, ishte rreth 24%. Niveli më i lartë i pabarazisë ishte në Qarkun e Tiranës (25.7%) ndërsa më i ulët, niveli ishte në rajonin Malor (22.7%).
Kalisi është gjithashtu dhe zona me varfërinë më të lartë në vend, ku gati 40% e banorëve janë të varfër. Kukësi ka absolutisht njësitë më të varfra në Shqipëri. Nga 10 komunat më të varfra në vend, 7 prej tyre ndodhen në Kukës dhe 3 të tjerat në Librazhd, Dibër e Tropojë, nga 373 njësitë vendore.
Në të kundërt, zonat me varfërinë më të ulët në vend ndodhen në Jug të vendit, në Gjirokastër. Komuna më pak e varfër në Shqipëri është Zagoria, ku niveli i varfërisë është vetëm 2.5%. Nga 10 njësitë më pak të varfra, 7 janë në Gjirokastër dhe 3 të tjerat në Korçë, Sarandë e Përmet.
Sipas raportit, në Shqipëri, 14.3% (2012) e popullsisë jetonte në varfëri. Niveli më i lartë i varfërisë u përqendrua në Verilindje të vendit, ndërsa në Jug dhe Juglindje ky tregues është shumë më i ulët. Niveli i varfërisë është më i lartë në zonat malore (20.6%) ndërsa niveli më i ulët ishte në Qarkun e Tiranës (11.7%).
Niveli më i lartë i varfërisë ishte në Prefekturën e Kukësit (rreth 22%) ndërsa niveli më i ulët është shënuar në Qarkun e Gjirokastrës (rreth 8%).
Po në Gjirokastër janë dhe njësitë që kanë konsumin më të lartë për frymë në vend, ku kryesojnë Zagoni, Pogoni, Odrie, Antigona, Dropulli i Sipërm, qyteti i Gjirokastrës etj.
Në Tiranë, njësia me konsumin më të lartë për frymë është Farka.
Rajonet që konsumojnë më pak janë ato më të varfrat, në Kukës. Kalisi, duke qenë më i varfëri, ka banorët që shpenzojnë më pak në Shqipëri, të ndjekur nga Ujëmisht, Surroj e Topojan, po në Kukës.
Sipas të dhënave të vitit 2012, konsumi mujor mesatar për frymë në vend ishte 8,477 lekë. Mesatarja e nivelit të konsumit për frymë rezulton më e lartë në Jug të vendit krahasuar me zonat e tjera. Vlera më e lartë e konsumit për frymë ishte në rajonin Qendror (8,991 lekë), ndërsa vlera më e ulët është regjistruar në rajonin Malor (7,368 lekë). Prefekturat me nivelin më të lartë të konsumit për frymë ishin Gjirokastra (10,190 ALL), Korça (9,260 ALL) dhe Berati (8,785 lekë), ndërsa qarqet me nivelin minimal të konsumit për frymë ishin Kukësi (7.126 lekë), Dibra (7,551 ALL) dhe Elbasani (7,979 lekë).
Varfëria, sipas ndarjes së re territoriale
Raporti bën një përshkrim të varfërisë edhe sipas ndarjes së re territoriale, me 61 bashki. Niveli më i lartë i varfërisë është në Komunën e Kamzës (rreth 24%), ndjekur nga Komuna e Hasit (23.3%) dhe Komunën e Kukësit (23.2%). Niveli më i ulët i varfërisë është regjistruar në Komunën e Pustecit (5%), Libohovë (6.7%) dhe në Gjirokastër (6.8%).
Komunat me numrin më të madh të të varfërve janë komunat e Kamzës (24.695), Durrësit (27.773) dhe Bashkia e Tiranës (55.561). Numri më i ulët i të varfërve është regjistruar në Komunën e Pustecit (158), Libohovë (246) dhe Dropull (273).
Niveli më i ulët i konsumit mesatar mujore për frymë ishte në komunat e Kukësit (7067 lekë), Hasit (7.192 lekë) dhe Dibrës (7,232 lekë).
Ndërsa konsumi më i lartë mujor për frymë ishin në komunat Libohovë (10.895 lekë), Pustec (11213 lekë) dhe Gjirokastër (11,215 lekë).
Komunat me nivelin më të ulët të pabarazisë (sipas koeficientit Gini) ishin Bulqiza, Kukësi dhe Dibra, që e kanë këtë koeficien më të ulët se 8%, si dhe niveli më i lartë është në bashkitë e Vlorës, Durrësit dhe Sarandës, rreth 27%.
Banka Botërore: Përdoreni hartën për të luftuar varfërinë
Banka Botërore thekson se rezultatet e hartës së varfërisë në Shqipëri mund të jenë të dobishme për hartimin e politikave në dy mënyra. Së pari, raporti paraqet hartat e varfërisë të rishikuara sipas njësive të reja vendore administrative të përcaktuara me anë të reformës territoriale, që filloi në qershor 2015, për të demonstruar se harta e varfërisë mund të përshtatet dhe të bëhet e dobishme në kuadër të një strukture të ndryshuar të zonave gjeografike e administrative.
Së dyti, raporti tregon se të dhënat e Censusit mund të kombinohen me informacione të tjera në interes të politikave (arsimit, infrastruktura rrugore, shpenzimet e mirëqenies publike, etj.) për të ndihmuar në zhvillimin e zonave të vogla gjeografike, në bazë të karakteristikave të veçanta të tyre, duke zbatuar programe kundër varfërisë, duke mbështetur zhvillimin e përshtatshëm të infrastrukturës dhe kështu me radhë.
Banka Botërore sjell shembullin e Marokut, që kërkoi ndihmë në vitin 2002, se si t’i përdorte teknikat e hartës së varfërisë. Një raport u publikua në vitin 2004, që jepte informacion mbi varfërinë dhe pabarazinë.
Në vitin 2005 u prezantua Nisma Kombëtare për Zhvillimin Human. Qeveria njoftoi se për këtë program do të jepeshin 1 miliard dollarë, gjysma e kësaj shume do të shkonte për të shënjestruar burime shtesë në 360 komunat dhe 250 njësitë urbane më të varfra. Hartat u përdorën për të shënjestruar synimet drejt këtyre zonave. Hartat gjithashtu filluan të luanin rol interesant në promovimin e qeverisjes lokale. Disa kryetarë bashkie u habitën nga rezultatet e të dhënave dhe ndërmorën vizita në terren për t’i konfirmuar ato. Hartat e varfërisë shërbyen në këtë mënyrë për të kontribuar në një axhendë më të gjerë të transparencës dhe qeverisje më të mirë
Këto harta janë përdorur dhe në shumë vende të Bashkimit Europian, si Estonia, Hungaria, Letonia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, si pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Europian për të prodhuar harta varfërie në të gjithë rajonin.