Home KRYESORE Hashtag zbulon arsyen e blerjes së vilës 1.6 mln euro nga Vlahutin:

Hashtag zbulon arsyen e blerjes së vilës 1.6 mln euro nga Vlahutin:

Blerja e një vile me vlerë 1,6 milionë euro nga Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, në një zonë rezidenciale të kryeqytetit, hapi një valë polemikash.

Për këtë arsye vetëm para pak ditësh eurodeputetja gjermane Ingeborg Grassle njëherazi Kryetarja e Komisionit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentit Evropian i dërgoi një letër Frederica Mogherinit, ku i drejtonte 11 pyetje për blerjen e vilës nga Vlahutin në Tiranë.

Shefja e Shërbimit të Jashtëm Frederica Mogherini i ka adresuar pyetjet e eurodeputetes pranë delegacionit të BE-së në Tiranë, për të marrë përgjigje më të saktë.

Delegacioni i BE-së në Tiranë i ka kthyer përgjigje eurodeputetes duke i saktësuar se nuk ka patur asnjë abuzim, por gjithçka është kryer konform rregullave dhe standarteve.

Në përgjigjen e kthyer nga zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë për eurodeputeten gjermane ajo që bie në sy është një përgjigje e paparë më parë.

Sipas stafit të zonjës Vlahutin afër me vilën 1,6 milionë euro, ndodhej një vilë tjetër me çmim më të ulët, por që nuk i përmbushte kushtet e sigurisë.

Zyra e BE-së deklaron se vila tjetër ishte me dritare të pafortifikuara, me mure të ulëta dhe e rrezikuar nga tërmetet. Prandaj kjo blerje megjithëse me çmim më të ulët nuk u aprovua, dhe u zgjodh vila tjetër me çmim 1,6 milion euro.

Në shpjegimet e hartuara nga zyra e Vlahutin shkruhet:

Çmimi për të cilin ishte rënë dakord nuk ishte as shumë i lartë as shumë i ulët.

Një tjetër vilë e cila nuk u mor parasysh, në të njëjtën lagje nuk ishte e pranueshme për arsye sigurie: që të mund të ishin në regull me kërkesat e sigurisë së EEAS-së, vila tjetër ishte me dritare të pafortifikuara, lartësitë e mureve rrethuese kishin nevojë të rriteshin nga 1.8 metra në 2.5 metra, por kjo gjë nuk mori aprovim. Ndër të tjera , vila gjendej në një vend i cili rrezikohej nga tërmetet.

Ky është një arsyetim interesant. Duket sikur Delegacioni i BE-së në Tiranë, është kthyer në një qendër shkencore sizmike, madje qendër tepër e specializuar, aq sa mund të dallojë edhe efektet e tërmetit në dy vila të ndryshme të së njëjtës lagje. / Hashtag.al

Share: