Udhëheqësi i “Shtetit Islamik”, Abu Bakr al-Baghdadi, ka pranuar humbjen në Irak dhe ka urdhëruar militantët xhihadistë t’ia mbathin për të shpëtuar, ose të vetëvriten në sulme kamikaze.
Ideatori i terrorizmit thuhet të ketë lëshuar një deklaratë të quajtur “fjalimi i lamtumirës”, e cila është shpërndarë mes predikuesve të ISIS-it dhe klerikëve në disa pjesë të Irakut, që janë ende nën kontrollin e xhihadistëve.
Sipas medieve lokale, ai u ka bërë thirrje mbështetësve të ikin e të fshihen, ndërsa “luftëtarëve joarabë” u ka thënë të rikthehen në vendet e tyre dhe të hedhin veten në erë, sipas premtimit “72 gra në qiell”.
Lajmet për deklaratën, e cila gjithsesi nuk është verifikuar ende, vjen në një kohë kur ushtria irakiane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara mori kontrollin e rrugës së fundit më të madhe në perëndim të Mosulit, që ishte në duart e ISIS-it.
Vetëm pak ditë më parë, sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon tha se priste që ISIS të zmbrapsej nga zonat kryesore të Irakut brenda fundit të këtij viti.
Sipas “Al Arabiya”, rrjeti televiziv irakian “Alsumaria” po raporton se al-Baghdadi ka pranuar humbjen në këtë shtet.
Vendndodhja e saktë e udhëheqësit të terrorizmit mbetet ende mister, pavarësisht se ka pasur raportime të vazhdueshme se ai ose është plagosur rëndë, ose është vrarë gjatë konfliktit.
Muajin e kaluar u raportua për herë të fundit se ai ishte “plagosur në gjendje të rëndë” nga një sulm ajror në veri të Irakut.
Por thuhet gjithashtu se ai është plagosur gjatë bombardimeve në Al-Ba’aj. Pentagoni, gjithsesi, deklaroi në dhjetor se besonte që shefi i ISIS të ishte ende gjallë, pavarësisht përpjekjeve nga koalicioni i udhëhequr prej Amerikës për ta vrarë udhëheqësin e grupit xhihadist./lapsi.al