Arsyeja që LSI jep për mospjesmarrjen e zgjedhjeve të 7 Majit në Kavajë është emri i përzgjedhur nga PS për të kandiduar.
Në arsyetimin që bëri për tërheqjen nga zgjedhjet e Kavajës, Luan Rama tha: “Zgjedhja e kandidaturës është bërë në mënyrë të njëanshme. Mbetet çështje e PS, dhe LSI nuk ka pse të implikohet”.
Sipas të gjitha gjasave, kandidatja e PS për 7 Majin do të jetë një grua. Bëhet fjalë për Silvana Dajën, bashkëshorten e ish kryetarit të degës së PS në Kavajë, Gentian Dajës.
Ky i fundit dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS në Kavajë, pas kandidaturës që shpalli bashkëshortja e tij. De fakto, kandidatja e PS në Kavajë u përzgjodh pa u konsultuar me LSI.
Zyrtarisht në garën e kandidaturave janë 6 socialistë. As për fasadë, nuk ka pasur konsultime me LSI.
Kjo ka mjaftuar që aleatët të reagojnë ashpër duke njoftuar se nuk do ta mbështesë kandidaten e PS. Ende nuk është e qartë nëse LSI do të regjistrohet në zgjedhje dhe do të bojkotojë fushatën, apo nuk do të pranojë të regjistrohet fare në proces.