Home KRYESORE Kandidatët nga Shqipëria kalojnë provën si Gjyqtar në Strasburg!

Kandidatët nga Shqipëria kalojnë provën si Gjyqtar në Strasburg!

Tre kandidatët për të zëvendësuar gjykatësin Ledi Bianku në mandatin e ri 9-vjeçar në Gjykatën e Strasburgut kanë kaluar provën e parë të panelit këshillues të ekspertëve, pasi janë gjykuar që plotësojnë kriteret e Këshilllit të Evropës.

Tashmë Aleksandër Muskaj, Aurela Anastasi dhe Sokol Berberi do të intervistohen në Paris më 6 prill nga komiteti përzgjedhës, i përbërë nga 22 deputetë nga vendet anëtarë të KiE-së, i kryesuar nga deputeti socialist letonez Boriss Cilevis.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e përbërë nga 324 parlamentarë do të votojë më 25 prill me votim të fshehtë për gjykatësin e ri që do të përfaqësojë vendin tone në Strasburg deri në vitin 2026.

Zgjedhja në raundin e parë bëhet me shumicën absolute të anëtarëve të Asamblesë dhe nëse asnjë nga tre kandidatët nuk arrin të shpallet fitues do të zhvillohet raundi i dytë me 26 prill, mes dy kandidatëve më të votuar.

Tetorin e kaluar tre kandidatët e parë të paraqitur nga qeveria Rama, Sokol Berberi, Ina Rama dhe Gent Ibrahimi u refuzuan sepse procedurat e përzgjedhjes së tyre në Shqipëri nuk ishin në përputhje me standardet e kërkuara nga kjo organizatë ndërkombëtare, duke e lënë që nga janari 2017 vendin tonë pa përfaqësim në Gjykatën e Strasburgut.

Share: