Nga Romeo Gurakuqi
T’u vidhesh kapercimeve në heshtje dhe djallëzi dhe ta bësh Kombin në Shqipërinë e Vjetër, të kalojë pa e ndier, nga Republika Parlamentare e paarrirë, në një Republikë Popullore Socialiste, me anë të dukurive të rremë kushtetuese:
1. reformës së drejtësisë së kontrolluar nga një ekip juristësh ish hetuesë, që e kaluan ligjërisht kontrollin pushtetit gjyqësor në duart e Byrosë Parlamentare të një Parlamenti tashmë monist;
2. Reformes Territoriale që i dha 2/3 të peshës politike dhe administrative të vendit, zonave të sigurta kooperativiste, tradicionalisht pro puniste;
3. reformes se sistemit të taksimit progresist, bazuar në filozofinë jakobiniste të shkatërrimit të klasave të mesme dhe lirisë ekonomike;
4. Rivendosjes së kontrollit politik mbi Policinë e Shtetit;
5.ndërtimit të një administratë publike, vendet e lira të së cilaës kontrollohen në mënyrë rigoroze nga deputetet e zonave përmes linjës së nëndheshme të emërimeve në DAP, etj., etj., kjo e gjitha është një udhë e neveritshme që e ndriçon popullin dhe kombin me një dritë të rreme, e cila ka vyshkur parimet kushtetuese dhe e ka futur Shqipërinë në qilarin e errët të studios së piktorit, ose në dhomën e errët të qetësorit idhnak.
Karta e ndryshueme e korrikut 2016, tashmë qartësisht po sherbën si një maskë, në të cilen gjenden genjështrat e reformave, të cilat kanë ç’ekuilibruar sistemin institucional, kulturor dhe politik të Shqipërisë. Reforma e Sistemit të Drejtësisë erdhi për ta pastruar elitën politike, legjislative dhe juridike të Shqipërisë dhe për ta përgatitur vendin drejt integrimit.
Mirëpo, në duart e kthetrat e Ligësisë e Injorancës së bijve të Eterve të Dhunës, reformat u shndërruan në instrumenta juridikë të prishjes së ardhmënisë në paqe, ligj e rend të vendit më të varfër të Europës. Shqipëria e sotme, pasi ka zbrazur nga të drejtat kushtetuese sovrane mbi dy milion shqiptarë të nxjerrun në rrugët e botës, po ecen pa drejtim, jashtë udhës europianizuese dhe perëndimizuese, pa respekt për Shqipërinë historike, atë të andrres së desidencës së pushkatuar në vitet e terrorit të kuq; po ecën duke injoruar Shqipërinë djemve dhe vajzave të Shkodrës që rrëzuan Stalinin dhe shkatërruan ateizmin, atë të studentëve të dhjetorit 1990, rinisë së Tiranës që rrëzoi bustin e diktatorit.
Po ecen përkundër gjithë linjës së zhvillimit të një Shqipërie Tradicionale, të themelueme mbi Shqiptari, Ndershmëri, Liri dhe Dije.
Vendi prej gati një muaji, tashmë pa dorashka dhe pa veshje, është shndërruar në një Republikë të kontrolluar nga një binom i shpërvjelur nga PPSH, me një parlament monist, për shkak të bojkotimit përfundimtar të legjislaturës nga Opozita.
Binomi i shpërvjelur dhe në konkurencë jo parimore, mbasi ka shpartalluar pasurinë publike me një grykësi të pangjashme për më se tre vite, tani por lufton brenda vehtës në një ballafaqim hienash, për kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme; po përgatitet të përfundojë sipas mënyrës së vet reformën në drejtësi përkundër frymës së kushtetutës, po përpiqet me anë të mekanizmave të forcës, të krijojë një strukturim të ri politik, të rikonfiguruar brenda së majtës së prodhuar nga Punizmi tradicional dhe Rilindja e Kooperatizimit Diktatorial.
Këmbëngulja e qeverisjes së vjetëruar për t’u bërë e amëshuar dhe e rinovuar në ditët e fundit të vet të pashmangshëm dhe të palavdishëm, i përngjet dashurisë së kufomave, që do të ktheheshin për të përqafuar njërëzit e gjallë. Rilindja socialiste ngjan të jetë një lukuni maskarenjsh, dhunuesish të paskrupull të andrrës së një populli për jetë të përbashkët në paqe, nga Toskëria në Gegëni, pa dallim.
Dhe lëngata që i kanë injektuar ato Republikës, Kombit, Bashkimit shoqnor të shqiptarëve, duhet shëruar. Tashmë, pas katër vite vendosje nën ankth e presion të shoqërisë, pjesa që mendon e këtij vendi e ka të qartë se çfarë kishte në pjesën frontale të kokës, ky injorant i shkëlqyer, që i vërsulej Shtetit, Shoqërisë dhe të Ardhmes së vendit, Republikës së vlerave qytetare të reformueshme për nga liria, ligji dhe rendi.
Të ndalësh zgjatjen e pafundme të kësaj gjëje të shkërmoçur nga grykësia e pamatë dhe ta zëvëndësosh pa ngurrim qeverisjen e njërëzve të ballsamosur me fletët e kanabisit dhe të dehur nga kokaina, është misioni që ka filluar Opozita.
Opozita, në udhën e saj për një Republike të Re, ka nevojë për një zgjerim të konsensuseve, jo më më injorantët e vjetër të koalicionit të partive të vogla të qesharakëve, por me Eliten Intelektuale e Qytetare të Tiranës dhe Shqipërisë, partitë e mendimit dhe dijes.
Është koha për ndërtimin e një ekipi permanent rezistues dhe programues, që do të udhëheqë bisedimet me përfaqësuesit e qeverisë, që do të ulet një ditë, për të bërë lëshimin final paqësor, për zgjidhjen e krizës më të rëndë që kalon vendi nga viti 1997.
Opozita e qartësuar për natyrën, kronologjinë, kompozitën dhe programin e qeverisë që do të përgatisë kushtet e barazisë formale në zgjedhje;
Opozita që e din se e vetmja mënyrë për të ndryshuar gjendjen e vendit, është gjetja e mekanizmit të sigurtë ligjor dhe teknik, që të gjithë qytetarët shqiptarë, pjesë e regjistrit civil të vitit 1990, fëmijët e tyre, të jenë pjesë e votimit të ardhshëm politik;
Opozita që e ka të qartë, se vetëm një elitë e kualitetit krejtësisht të lartë intelektual, e pastër, e ndritur, civile dhe gjithpërfshirëse mund ta ndalë lukuninë e ujqërve të Rilindjes së farkëtuar me 1 prill 2013 me transfomersin e përhershëm të pushtetit;
Është kjo rruga për të kaluar nga banketet politike, tek veprimi konkret i zgjidhjes me mjete politike dhe institucionale të krizës së republikës së katërt, të mbytur nga grykësia e politikës, parasë së madhe të lavatriçëve dhe medias së kapur me qerren e bllokut autoritarist.