Nga Enriko Ceko
Në ditët tona ka shumë djaj që vërtiten çdo ditë përreth nesh dhe që me mjete, metoda, mënyra e teknika nga më të ndryshmet përpiqen që të na bindin se ata janë engjëj. Këto pjella të së keqes bëjnë përpjekje që të përhapin midis njerëzve të mirë doktrina false nëpërmjet të cilave kërkojnë që t’i tërheqin qytetarët në rrugë të gabuar drejt greminës.
Kjo shenjë tipike e ekzistencës së të keqes midis nesh është mëse e dukshme këto 25 vitet e fundit në Shqipëri, ku gremina është fare pranë pas një periudhe të gjatë përleshjesh shumë të mëdha të doktrinave false. Për shembull debati taksë e sheshtë dhe taksë progresive është aq fals sa mjafton që të përmendet fakti se me të dyja llojet e taksave, në Shqipëri, mblidhen pak a shumë rreth 200 milionë dollarë në vit në të dy rastet, që do të thotë se debati, në sytë e specialistëve dhe publikut serioz është shterpë dhe pa vlerë, dhe vlen si debat vetëm në aspektin se cilës apo cilave shtresa do u merret ky 200 milionësh dhe asgjë tjetër.
Një nga shenjat kryesore se djalli është midis nesh është prania e lakmisë, urrejtjes dhe epshit midis shumicës së atyre që kanë drejtuar dhe drejtojnë vendin tonë. Ata janë pasuruar në mënyrë të pandërprerë në mënyrë marramendëse, kur paralelisht pothuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë është në kufijtë e varfërisë dhe rreth 20 % e popullsisë jeton në varfëri të plotë. Shtëpitë e tyre janë shumë më të shtrenjta dhe me më shumë orendi e pajisje luksoze se sa shtëpitë e mjaft prej lordëve anglezë apo princërve evropianë.
Një shenjë tjetër e ekzistencës dhe e veprimit të djallit dhe e forcave të së keqes është arroganca dhe mendjemadhësia në maksimumin e mundshëm, kryesisht midis klasës politike aktuale në Shqipëri. Tipike është arroganca e pushtetit dhe mendjemadhësia e opozitës. Pushtetarët janë aq arrogantë sa nuk bëjnë as edhe një përpjekje minimale për të marrë në konsideratë ankesat e qytetarëve ndaj institucioneve, ndërsa opozita është aq mendjemadhe sa që kujton se është në qeveri e në drejtim dhe jep urdhëra sikur ajo ta kishte vetë kryeministrinë, parlamentin, financat, ushtrinë e rendin publik.
Daljet e krerëve të opozitës në publik ngjajnë me sfilatat madhështore të Armanit e Versaçes në pasarelat e New Yorkut, Parisit, Milanos, Londrës, etj, me veshje super luksoze e makina super të shtrenjta, ndërsa daljet e pushtetarëve në publik ngjasojnë me paradat madhështore të diktatorëve më të mëdhenj që ka parë ndonjëherë historia botërore, kur shqiptarëve të zakonshëm u përmbyten tokat e pasuritë pothuajse çdo pranverë, dhe ende nuk po gjejnë zgjidhje as për këtë dhe as për ndonjë problem tjetër që kërcënon jetët e tyre dhe të familjeve të tyre.
Një nga karakteristikat tipike të djallit është mashtrimi, gënjeshtra. Mashtrimet 25 vjeçare janë bërë si puna e këngës së këndezit në mengjes dhe këta mashtrues e gënjeshtarë janë bërë aq të paskrupullt sa që kanë filluar t’u besojnë edhe vetë mashtrimeve e gënjeshtrave që thonë vetë dhe, me këtë kërkojnë që të marrin me vehte pas tyre qytetarët e t’i çojnë ata drejt rrugës pa krye dhe kjo demagogji pa fund nuk paska kufij.
Këta mashtrues e gënjeshtarë kanë si karakteristikë të tyre edhe një shenjë tjetër të djallit që është deklarimi i ëndrrave false apo të (gjasme) vizioneve që ata kanë për të ardhmen, duke krijuar iluzionin se ata janë të vetmit që mund të bëjnë mrekulli për shqiptarët dhe Shqipërinë, sikur këta të kenë shkopin magjik në dorë, por në fakt ajo që kanë në dorë është vetëm fakti se ka ende persona që i ndjekin nga pas ngaqë janë të mashtruar e të gënjyer. Pamja e vizionarit dhe e magjistarit është një nga karakteristikat më të spikatura të mashtruesve profesionistë, që kanë në gjak djallin me brirë.
Një karakteristikë tjetër e këtyre djajve është se ata kanë në shpirt hidhërimin dhe përçmimin ndaj jetës dhe qytetarisë. Ata, duke menduar se dinë gjithshka dhe duke kujtuar se kanë në dorë fatet e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, arrijnë deri në shprehjen e hidhësisë së shpirtit të tyre nëpërmjet përçmimit të çdo gjëje të mirë dhe çdo ideje të mirë që mund të dalë nga shpirti dhe zemra e njerëzve të thjeshtë, të cilët përpiqen të bëjnë diçka të mirë me sa mundësi që kanë për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe të shoqërisë shqiptare. Këta djaj, me mjete dhe metoda të ndryshme bëjnë të gjitha përpjekjet që të mbysin fjalën e lirë dhe të pengojnë shprehjen e lirisë së mendimit dhe veprimit të qytetarisë dhe e tërë kjo ndodh sepse këta djaj kanë një mungesë totale të besimit te njeriu dhe kjo është edhe karakteristika kryesore e djallit.
Këta persona mezi presin që dikush të thotë diçka me vlerë për shoqërinë dhe bëjnë përpjekjet maksimale që t’a kopjojnë, t’a përvetësojnë, t’a vjedhin idenë e qytetarit të thjeshtë apo të specialistit që e do vendin, duke dalë në publik e duke trumbetuar sikur çdo gjë është pjellë e mendjes së tyre dhe e vizionit të tyre. Për shembull: ka disa kohë që në disa fletushka partiçkash shkruhet për bujqësinë sikur do jetë motorri i ekonomisë shqiptare e kjo trumbetohet sikur e ka thënë një nga më të mëdhenjtë e politikës shqiptare të viteve të fundit, kur këtë e kanë thënë prej vitesh disa nga specialistët më të mirë të bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare.
Si pasojë, këta persona tip politikanësh “vizionarë”, “magjistarë”, “të gjithanshëm”, që (pa asnjë pikë çudie) rrethohen nga kurva, plehra, rrugaçë, palaço, shkërdhata, e tipa pasionantë, që janë të aftë të bëjnë gjithshka përveçse gjërave të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët, e kanë shumë të vështirë që të gjejnë rrugën e vertëtë në jetë dhe ka shumë mundësi që të mbeten deri në vdekjen fizike nën pushtetin e djallit, sepse vdekjen e tyre reale ata tashmë e kanë ezauruar, pasi vdekja në fillim vjen në shpirt dhe pastaj në aspektin fizik dhe është fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë dhe e shqiptarëve që ende drejtohen nga njerëz pa shpirt.
Shqipëria dhe shqiptarët ende janë nën thundrën e individëve që kanë si karakteristika disa nga shenjat e vdekjes që tyre që për së gjalli, shenja që janë edhe disa nga shenjat e ekzistencës së djallit brenda tyre. Por, a e dini se cila është shenja më dalluese e vdekjes së shpirtit brenda njeriut dhe e lindjes së djallit brenda tij? Besimi se je i/e bukur, që shkon në variantin më të keq në besimin se je më i/e bukuri/a në botë. Në këtë pikë, vdekja e shpirtit dhe djalli janë më pranë se kurrë dhe në këtë pikë askush nuk ka se ç’farë të bëjë më për të ndihmuar e mbrojtur. O Zot, mos i fal se dinë fare mirë se ç’bëjnë, sepse e bëjnë me koshiencë të plotë.