Home KRYESORE Ndikimi rus në zgjedhje, drejtori i FBI-së dëshmon në Kongres

Ndikimi rus në zgjedhje, drejtori i FBI-së dëshmon në Kongres

Hetimet e FBI-së për ndikimin rus në zgjedhjet amerikane dhe akuzat e Presidentit Donald Trump se ish-Presidenti Barack Obama përgjoi telefonatat e tij në Kullën Trump në Nju Jork, gjatë fushatës, do të jenë në qendër të seancës dëgjimore të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.

Dejtori i FBI-së, James Comey, do të dëshmojë publikisht për herë të parë rreth këtyre akuzave, raporton “Zëri i Amerikës”.

“Do ta pyesim nëse ekziston ndonjë provë që mbështet pretendimin e Presidentit. Më shqetëson thellësisht që Presidenti bën një akuzë të tillë pa patur baza dhe mendoj se është në interesin e publikut që kjo çështje të trajtohet publikisht prej drejtorit të FBI-së”, janë shprehur ligjvënësit demokratë, pjesë e debatit të ditëve të fundit nëse seanca duhet të ishte apo jo publike.

Komisioni i Zbulimit i ka kërkuar FBI-së të paraqesë emrat e shtetasve amerikanë nën përgjim. Nëse emri i Trump apo bashkëpunëtorëve të tij gjenden në atë listë, mund të kuptohet si shenjë se FBI-ja po heton kontaktet ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë.

Share: