Home KRYESORE Në kafen e mëngjesit

Në kafen e mëngjesit

Nga Jeta Toçila

Më thuaj, çfarë bisedon çdo ditë në kafen e mëngjesit? (Përveç rasteve kur i kushtohesh telefonit tënd). Ti flet për punën, për familjen, për miqtë, për vipat, për politikën, për marrëdhëniet, për ushqimin, për dietat, për shëndetin, për sëmundjet, për motin, për rrobat…etj…

Ka plot tema diskutimi, dhe pasi i konsumon, me siguri ti i kthehesh gjërave të vogla të përditshmërisë në punë, të cilat si pika e ujit mbi shkëmb të gërryejnë dalëngadalë qetësinë duke shkaktuar stresin.

Ti flet për shefin që një ditë më parë të ka hequr ditën e punës, sepse arrite me vonesë. Ti e shan dhe mallkon sepse kujton që shpesh herë ke punuar edhe jashtë orarit të punës pa pagesë. Por ti nuk ngre zërin, sepse shefi mund të të qepet keq. Ai madje mund të të tundë para syve listën e gjatë të të papunëve që ti të ndihesh me fat që je nën urdhrat e tij, madje mirë do të ishte ti bëje herë pas here ndonjë dhuratë për mirënjohje. Ai mund të të kujtojë përmes mesazheve ose e-maileve që të ka nën vëzhgim, që ti të kujdesesh më shumë për performancën në punë. Ai të thërret në zyrë dhe nuk të sheh në sy, sepse sytë e tij janë zhytyr në fantazinë e pushtetit. Ai të rikujton se institucioni ka rregulla dhe disiplinë, sepse në fakt ai vetëm këto 2 fjalë ka në fjalorin e tij të varfër teknik. Prandaj ti duhet të shkruash emrin në bllok dhe orën kur vjen e kur ikën, sepse shefi “I aftë” mund të të ndëshkojë nëse ti neglizhon këtë rregull të pashkruar në asnjë rregullore zyrtare.

Ti nuk flet dhe i jep të drejtë, ndërkohë që kujton vargjet e poezisë “Hakërrim” të Ali Asllanit.

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe

Edhe ai e di që ti nuk flet…Sepse ai e di që ti nuk ke përkrahje nga politika, nuk ke as ndonjë “të fortë” që të dalë për zot. I dukesh i/e dobët që je i/e pajisur vetëm me diplomat e tua, prandaj mendon se je një pré e mirë për të mbuluar inferioritetin e tij.

Dhe qëllimshëm punën ta pengon, padrejtësisht të mënjanon, meritat nuk ti takon, aplikimet për trajnime nuk ti miraton.

Ai e di që ti nuk ngre zërin as kur nuk të japin përgjegjësitë e merituara, e as kur të veshin përgjegjësitë e të tjerëve, as kur nuk të promovojnë, as kur të harrojnë, as kur nuk të tregojnë informacionet e nevojshme ose kur të japin enkas të gabuarat, as kur padrejtësisht të fajësojnë.

Por ti nuk flet sepse ti je i/e fortë dhe beson në të mirën që një ditë do të vijë.

Por ti mund të rrish pa u ankuar edhe për arsye të tjera. Ndodh të jesh punësuar nga shefi yt dhe të ndihesh në borxh ndaj tij. Ti ul kokën dhe bëhesh qeni ose buçja e tij besnike. Ti përgjon pas dyerve të zyrave dhe vrapon të përditësosh bosin tënd. Ti flet për kolegët dhe i spiunon ashtu kot për sport, vetëm sepse jeta e tyre të duket më e bukur, ose vetëm sepse takat e tyre kërcasin në korridor ose hapat e tyre të rëndojnë xhelozinë.

Nuk e ke problem të të shajnë ose përflasin, nuk e ke problem të të ulërasin e ofendojnë, nuk e ke problem të ushqesh çdo mëngjes shefin tënd, jo vetëm me byreqet 30 lekëshe ose kosin “low fat”.

Shefi ose shefja e di që ti nuk flet, sepse e ke pranuar atë pozitë ose për shkak të nevojës ose për shkak të rrethanave ose për shkak të hallit.
Dhe ti o i zi, je në pikë të hallit!!

Ja pra, aty në kafen e mëngjesit, ndodh të shfryhesh kështu me kolegun tënd të mirë dhe më pas nis një ditë e re. 

Share: