Home I pakategorizuar NGJARJE MESOBURRASH NË AEROPORT!

NGJARJE MESOBURRASH NË AEROPORT!

Tregim nga ELONA PAJA

Deti ishte tërbuar dhe shkumonte në breg dallgë rrëmbyese. Prej ditësh anijet ishin ankoruar dhe nuk lëviznin vendit,deri në pritje të një urdhëri të dytë për tu nisur. Era e fortë e atyre ditëve ngrinte pupthi gjithçka që i dilte përpara. Ky mot i pazakontë nuk mbahej mend prej vitesh.

Sipas sinoptikanëve erërat e forta priteshin të kalonin shpejtësinë e 70 km/h ditëve në vijim. Fluturimet ajrore ishin ndërprerë dhe nëpër aeroporte ishte një rrëmujë e paparë. Agjensitë e udhëtimit përpiqeshin të qetësonin udhëtarët,të cilët vazhdimisht pyesnin nëse kishin marrë ndonjë njoftim për tu nisur.

Damiani qëndronte i ulur në stol,me valixhen e dorës para këmbëve. I heshtur, duke rrotulluar telefonin mes gishtave, shpresonte që ajo vonesë, do të zgjidhte diçka. Përveç ankthit, i cili herë pas here i shkaktonte një aritmi të lehtë, dukej se edhe dhimbja e kokës do bënte punën e saj. Nga xhepi i brendshëm i xhaketës nxori një stilolaps dhe mbi letrën kafe e cila mbante brenda një sanduiç me zarzavate nisi të vijëzonte pa kuptim. Nga nervozizmi,duke i rënë vijave me dhjetra herë përsipër,maja e stilolapsit u ngul në brumin e fryrë nga majaja. Një meso burrë, i cili i ishte ulur pranë e pa çuditshëm dhe nga mënyra se si u ngrit, u duk se e trembi veprimi i tij.

Damiani e ndoqi me sy deri sa ai zuri vend në një stol tjetër përballë tij. Meso-burri uli sytë i pari, kur shikimet e tyre u kryqëzuan,ndërsa ai ,u ngrit dhe e flaku sanduiçin së bashku me stilolapsin. Zuri vend sërish në të njëjtin pozicion si më parë: çantën mes këmbëve, telefonin mes gishtave dhe këmbën mbi këmbë.

Meso-burri nxori një libër dhe nisi të lexonte. Ndërkohë që nga altoporlanti i aeroportit u dëgjua një zë femre e cila dukej se po jepte një njoftim, dhe ai ngriti sytë si për të bërë më të qartë dëgjimin. Nuk arriti të kuptonte gjë pasi u përball me vështrimin e Damianit, i cili i kishte ngulur sytë. Duke mos u ndjerë rehat nga shikimi i tij,ai nisi të rrëmonte kot brenda një çante shpine. Ndërkohë Damiani u ngrit dhe iu afrua koshit ku kishte hedhur pak çaste më parë sanduiçin e tij.

Udhëtarët e tjerë ,të cilët kalonin pa reshtur aty dukej se e kishin mbushur plot qesen e zezë që ndodhej brenda tij. Kjo nuk e shqetësoi aspak atë. Ai nuk përtoi të zhyste dorën. Pasi rrëmoi një copë here e preku më në fund kapsen metalike të stilolapsit. E mori, e fshiu në krahun e xhaketës dhe e futi sërish në xhepin e brendshëm. U ul dhe nisi të vriste kohën duke hedhur shikimin rreth e qark. Mesoburri i cili tashmë ishte ngritur,kishte marrë një gotë të madhe plastike me kafe dhe futi brenda saj nje pipëz.

-Çfarë njerëzish- mendoi Damiani. Se di si mund të pihet kafja me pipëz. Duket që nuk është qejfli kafeje, por e pi kot për pordhë. Në përgjithësi njerëzit që përdornin pipza, kishin qejf që në fund kur mbaronin së piri, rrinin e luanin duke e kafshuar atë. E fusnin mes dhëmbëve dhe pikën e fundit e shijonin shumë më tepër.

Nuk ju durua më dhe u nis drejt meso-burrit. Ky i fundit zgurdulloi sytë dhe i mbeti pipza mes dy buzëve të puthitura kur pa që ai e kishte me të. Duart nisën ti djerësinin. Damianit nuk iu drodh qerpiku i syrit që po ndërhynte e po i prishte qetësinë këtij të huaji.

-Të relaksohesh me një filxhan kafeje ,është një zakon prej të cilit shumë njerëz nuk heqin dorë. Pra, zakoni i pirjes së kafesë ekziston, por janë specifike edhe vendet ku mund të të shijojë më shumë. Duket që ty nuk po të jep ndonjë kënaqësi ,përse e pi me zor. Pastaj,nuk ka kafe më të shpifur dhe pa shije sesa kjo e aeroportit këtu.

Mesoburri u gëlltit dhe gati sa nuk u mbyt nga ajo pikë që i shkoi keq. Damiani nuk u shqetësua aspak, por shkoi drejt vendit të tij ku e priste çanta. Mesoburri ndërkohë e mori kafen dhe e flaku. Nuk i shpëtoi pa parë buzëqeshja e Damianit, i cili me ngritjen e vetullave i tregoi se po vepronte mirë.

Duhet të kishte kaluar rreth shtatë a tetë minuta kur meso-burri nxori nga çanta e shpinës ,një libër dhe pasi vendosi syzet optike, nisi të lexonte. Ishte e vetmja mënyrë për ti shtyse ato orë pritjeje. Ndërkohë Damiani po tentonte të lidhej në telefon me të motrën. Mesazhi i fundit që i kishte ardhur prej saj ishte “Po të presim”. Ja edhe bateria e telefonit po i mbaronte. Kërkoi në çantën e tij për baterinë rezervë,por u kujtua që e kishte harruar në sediljen e taksisë, e cila e solli në aeroport. U ngrit dhe u drejtua nga meso-burri.

-Çfarë libri po lexoni?- dhe ndërkohë nuk priti të merrte përgjigje, por ja mori nga duart dhe i hodhi sytë direkt tek kopertina. Duhet të jetë e dhimbshme-iu kthye atij pasi lexoi titullin. Tjetri nuk ktheu asnjë përgjigje, kështu që Damiani vazhdoi. Nuk është turp. Gjithë-sesi unë u afrova për tjeter gjë. Mos ju ndodhet ndonjë bateri…(i nxori telefonin)

Mesoburri mohoi me kokë. Damiani vazhdoi:-po më lë bateria. Pastaj ju kthye sërish bisedës së librit.-Meshkuj si Charlie Chaplin kanë pasur fëmije në moshë goxha të madhe. Natyrisht që nuk është diçka matematike që një burrë, i cili i ka mbushur të 60-at të ketë andropauzë, mund të ketë një rënie të dëshirës seksuale, gjë që lidhet edhe me problemet fizike. Mund të ndodhë që gruaja të bëhet më e ftohtë me kalimin e viteve, atëherë mashkulli mund të mendojë se vuan nga andropauza. Por me një stimul të përshtatshëm çifti mund të ketë një jetë seksuale normale. Kështu që merre më qetë.

Mesoburrit nisën ti djersitnim duart për herë të dytë. Damiani i la librin në dorë dhe u ul sërish tek vendi i tij, ndërsa ai iu drejtua tualetit. Duhej patjetër të freskohej pak. Ishte i mbuluar i gjithi nga djersët. Kur doli që andej, ishte i zverdhur si ajo gjethja e vjeshtës e cila nga çasti në çast do të shkëputej nga dega, mjaft të frynte një puhizë e lehtë ere. Stomaku i tij nisi të kullonte dhe zorrët po bënin një zhurmë të çuditshme. Ai u drejtua për nga restoranti që ndodhej në të majte të Damianit. U ul qetësisht dhe i hodhi një sy menusë. Tek ngriti sytë për ti bërë shenjë kamarierit, pamjen ia kishte zëne Damiani. Ai u ul përballë tij dhe i bëri me shenjë kamarierit.

Në kohën që ky i fundit ishte duke dorëzuar porosinë në një tavolinë tjetër, Damiani përfitoi nga rasti për të zhvilluar një bisedë të vogël.

-Vura re që shkoni shpesh në tualet. E kuptova menjëherë që vuani nga prostata. Një pakujdesi e vogël, në mostrajtimin në kohë të kësaj sëmundjeje mund të të çojë në pasoja fatale për jetën. Kjo sëmundje, prek në masë burrat mbi 50 vjeç, si puna juaj, por në raste të caktuara shfaqet dhe në mosha më të reja, si unë për shembull. Ndërkohë që pasojat janë të rënda sepse çojnë deri në vdekje si dhe shfaqin impotencën seksuale. Pra një në dy burra mbi të pesëdhjetat ka shqetësime prostate. Me problemet gjatë urinimit vjen ankthi. Nuk e di, por duke ju parë juve gjatë gjithë kohës, kuptova që shqetësimin nuk e keni nga vonesa e avionit,por pikërisht prej kësaj sëmundje të mallkuar.

Në kohën që Damiani fliste, në kokën e tjetrit, vërtiteshin lloj – lloj mendimesh. Çfarë kërkonte ky i panjohur nga ai? I nguli sytë sikur të kërkonte të zhbironte diçka. Si mundet tjetri të fus hundët vend e pa vend. Damiani ishte rehatuar në karrige dhe priste i qetë kamarierin ti merrte porosinë. As që e vriste mendjen se çfarë po mendonte tjetri. Mirë është ,që njeriu të thotë atë që mendon,por ta mendojë më parë atë që do të thotë. I ngriti sytë nga mesoburri dhe e pikasi menjëherë shqetësimin e tjetrit. I bëri me shenjë që të afrohej sikur donte që biseda e tyre të mbetej një sekret i të dyve. Mesoburri afroi pakëz veshin drejt gojës së tij,e cila i pëshpëriti

-Mos u prekët gjë,për çfarë ju thashë pak më parë-i foli ai ftohtë.

Mesoburri po zgurdullonte sytë dhe dukej se do t’ja jepte klithmës pas pak. Por ai vazhdoi:

-Im atë kishte të njëjtin problem me tuajin. Po të kishte folur me ndokënd tani nuk do ishte në botën tjeter. Nuk bën që njeriu ti mbajë gjërat me veten, ndryshe do plasë nga marazi. Nuk ka gjë më të …. Ai nuk arriti ta mbaronte fjalinë sepse ky tjetri e kapi nga jaka e xhaketës dhe sa hap e mbyll sytë i vuri thonjtë në fut.

-Çfarë kërkon prej meje?! Fol! Kush të ka dërguar? Si ka mundësi që ti di gjithçka për mua?! Foooool..

Por Damiani nuk arriti të kthente dot përgjigje, pasi ashtu i shtrirë në dysheme, me tjetrin që gati po e mbyste, kishte shtangur dhe vetëm përpiqej të mbronte fytyrën nga grushtet e tij. Rojet e sigurisë së aeroportit ia behën në çast dhe e mbërthyen meso-burrin nga krahët duke e ngritur zgupthi në ajër.

Pas disa çastesh kur gjithçka nisi të qetësohej, një polic nga ata të sigurisë së aeroportit nisi ti kërkojë ndjesë për gjithçka ndodhi dhe duke ju shfajësuar njëkohësisht, duke i thënë që ishte e pamundur të kontrolloje që në hyrje gjithë atë fluks njerëzish që hynin e dilnin çdo ditë. Ndërkohë u dëgjua njoftimi se fluturimi i tij ishte shtyrë sërish.

-Çdo të bëhet me atë burrin-pyeti ai rojen e sigurisë së aeroportit.
-Do ta mbajnë për dhunim personi-i tha ai. Vetëm nëse ju nuk do ta denanconi -i tha ai.

Damiani u mendua pak.

-A mundet ta takoj për disa minuta-i tha ai. Vetëm disa minuta.

Roja e sigurisë e pa me çudi,megjithatë e drejtoj me kokë për nga vendi ku mbanin mesoburrin. Rrugës ai i tregoi dhe vendin ku mund të bënte kallzimin rreth atij të çmenduri që e sulmoi.
Vetëm për vetëm, me atë në dhomë, Damiani, pasi u sigurua që kishte prangat në dorë, ju ul pranë. Mesoburri nuk fliste. Atij i kishte rënë heshtja në fjalë,në portret,në inde,gjithandej.

-Gjithçka varet nga ty, tani-i tha ai . Nëse do të thuash po, unë iki i qetë në punën time dhe ti fluturon i qetë drejt shtepise tënde.

Mesoburri nuk po fliste.

-Po apo jo?- pyeti ftohte Damiani. Avioni yt niset pas pak. Nuk ka shumë kohë.

Mesoburri nuk kishte ç’të humbte. Pranoi ta dëgjonte njëherë, pastaj edhe mund ta refuzonte prap. E shumta do humbiste avionin dhe për të mund të merrej një masë fare e lehtë.

-Besoj ke dëgjuar për Akrofobinë -i tha ai. Unë i kam frikë lartësitë. Kjo kuti-dhe ai nxori nga çanta e dorës një kuti;- mban hirin e tim eti. Familjarët e mi janë në pritje prej dy ditësh. Nëse ti pranon t’ua dorëzosh, unë të lë të qetë.

Mesoburrit iu duk njeriu më anormal ky i huaj. Gjithësesi pranoi. Damiani nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës stilolapsin dhe i shkruajti adresën sipër. U ndje i çliruar dhe pasi i dha dorën, doli i qetë nga aeroporti.

Ai nuk e pa mesoburrin sesi ju djersitën duart për të disatën herë brenda pak orëve. As se si dridheshin ato kur flakën kutinë me hirin të të atit të tij ,në të njëjtin vend ku ishte hedhur edhe sanduiçi me zarzavate. Çdo ditë ai i lante duart me detergjente të ndryshëm ,por era e hirit i kishte mbetur në to…

Share: