Home KRYESORE Nikollë Lesi: Ja pse jam kundër idiotëve që flasin kundër Linda Ramës

Nikollë Lesi: Ja pse jam kundër idiotëve që flasin kundër Linda Ramës

Nga Nikoll Lesi

Linda Rama është një personalitet publik dhe i spikatur në fushën e specialitetit të saj në ekonomi dhe administrim. Nuk ka asnjë lidhje aftësia e saj se është bashkëshortja e Edi Ramës. Ajo ka qenë dhe mbetet specialiste e nivelit të lartë edhe para se u martua me Ramën. Por të jesh grua kryeministri natyrisht se nuk është e lehtë, ndonëse nganjëherë kthehet edhe në privilegj. Këto ditë Linda Rama po sulmohet me aludime dhe nënkuptime pse është zgjedhur anëtare e Këshillit Drejtues të ABI Bank (Banka Amerikane e Investimeve).

Në një shoqeri demokratike dhe të lirë bashkëshortet e kryeministrit apo presidentit të shtetit zgjedhin të vazhdojnë profesionin e tyre apo përkushtime të tjera publike. Prezenca e tyre publike varet shumëherë nga zgjedhja e tyre, por edhe staturës intelektuale që kanë mbi supe para se të gëzojnë togfjalëshin “grua kryeministri apo grua presidenti”.

Kemi parë në këto 26 vite presidentë si Berisha, Mejdani, Moisiu, Topi dhe Nishani, bashkëshortet e të cilëve (përjashtuar Moisiun, bashkëshortja e cilit ishte ndarë nga jeta para se Alfredi të ngjitej në kolltukun e kryetarit të shtetit) kanë preferuar një jetë normale, pa shumë zhurmë e bujë, të cilat përveçse Zonjë e Parë, ishin dhe kanë mbetur mbi të gjitha njërëz me virtyte, paçka se burrat e tyre mbartin akuza të shumta për mënyrën e drejtimit të shtetit. Ka patur akuza për ndonjëren, porse në një shoqeri të lirë nuk e ndalon mendimin e gjithsejcilit, paçka se për mua, ndonëse me statura të ndryshme intelektuale apo angazhimi, të gjitha mbeten femra dinjitoze, të cilat kanë manifestuar virtyte. Nuk themi se kanë qenë Hillary Clinton apo Mishel Obama, pasi krahasimi do çalonte, por të paktën mbahen mend si ikona të ndryshme.

Ndërsa kur flitet për kryeministrat e 26 viteve kemi dy ndarje: Kryeministra që kanë preferuar të mbeten me qetësinë e tyre të panjohjes nga publiku të bashkëshorteve si në rastin Meksi, Majko, Fino, ndonëse me bashkëshorte virtuoze. Kurse kryeministrat Meta, Nano, Berisha dhe Rama kanë tjetër staturë bashkëshortësie. Monika Kryemadhi është një grua e angazhuar në politikë para se të njihej me Ilir Metën. Ajo ka CV e saj, të cilën e gëzon falë aftësisë personale, pavarësisht se mbiemri i bashkëshortit ndikon dhe rrit kreditet publike. Ndërsa Fatos Nano kishte zgjedhjen e tij. Nuk flas për të pasi mbart konflikt interesi me familjen Nano, sepse siç dihet nga kritikat që pata bërë në media dhe në parlament ndër vitet 2003-2005 për pak më hoqën kokën, bile dueli shkoi në parlament për heqje imuniteti përse kisha kritikuar për shfrytëzim të postit kryeministror në interesa familjare. Gjithsesi nuk dua të shtoj me tej se historia është aty, e shkruar dhe e regjistruar. Ndërsa Sali Berisha si një kryeministër, nga ish-president, preferoi si një lider i fortë me një bashkëshorte profesioniste në fushën e saj të mjeksisë. Së fundimi, Edi Rama ka një bashkëshorte profesioniste në fushën e ekonomisë dhe bankave, siç thamë në fillim. Dhe është normale se nuk do të mbyllet në shtëpi pse është gruaja e kryeministrit. Ajo do vazhdojë udhën e profesionit të saj, krejtësisht normale. Çka këtu për tu shqetsuar se pse e kanë zgjedhur anëtare të keshillit mbikqyrës të një banke? Ia falën apo e meriton? Natyrisht që banka në fjalë, si çdo bankë tjetër, ka interes për profesionistë. Linda Rama është një e tillë. Apo pse duhet sulmuar kryeministri Rama le t’i biem së shoqes?! Edi Ramën le ta bëjmë copash me kritika, ta rrëzojë populli me votë, por pse duhet të sulmojmë të shoqen? Aq me tepër që Linda Rama me të vertetë është një nga specialistet me të mira të Shqipërisë, e jo vetëm, në botën e financës, ekonomisë dhe bankave.

Nëse prezenca e saj në këshillin e bankës sjell përfitime të paligjshme për bankën atëhere po, le të hetojmë dhe të copëtojmë. Por vetëm për faktin se e përzgjodhën në këshillin e bankës nuk ka sens sulmi.

Ose nëse doni, atëhere hajde e miratoni një ligj që bashkëshortet e presidentëve dhe kryeministrave nuk duhet të punojnë apo të dalin nga shtëpia për sa kohë burrat kanë këto poste! Por është absurde dhe idiote si ide !

Share: