Partia e Nikola Gruevskit, VMRO-DPMNE vijon t’i bëjë thirrje partisë LSDM e udhëhequr nga Zoran Zaev të heqë dorë nga platforma shqiptare e iniciuar sipas VMRO në Tiranë, pasi vetëm në këtë mënyrë do marrë mbështetje për të formuar qeverinë. Ndërkohë nga kjo parti këmbëngulin për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale nëse pranohet deklarata e përbashkët e partive shqiptare.
“Heshtja e LSDM-së dhe Zaevit lidhur me deklaratat e tilla dhe të ngjashme të dhëna në periudhën e kaluar dhe mosprononcimi kundër platformës së Tiranës, sipas VMRO-DPMNE tregon se “ata janë të gatshëm të udhëheqin qeveri të Tiranës të bazuar në themelet e platformës së formuar prej një shteti të huaj dhe nën diktimin e një kryeministri të huaj. Njeriu i cili pa turp e hapi derën për debat dhe kontestimin e identitetit të Maqedonisë si dhe federalizimin e Republikës së Maqedonisë është i aboluari Zoran Zaev”- thuhet mes te tjerash në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga VMRO e kanë quajtur komplot të hapur federalizimin e Piter Vanheutes dhe kanosjen e deputetes shqiptare Mesila Doda. Sipas kësaj force politike nëse Zaev nuk heq dorë nga platforma, atëherë të gjithë shqiptarët do të angazhohen “rreth ëndrrës për Iliridën”.