Zhvillimi i sotëm politik është komentuar dhe nga kreu i PDS-së, Paskal Milo, i cili ka mbajtur më parë dhe postin e Ministrit të Jashtëm. Duke e cilësuar lëvizjen e ministrit Tahiri si një lëvizje taktike të Ramës, Milo thekson se opozita nuk do të kënaqet me kaq. Sipas tij, ajo do të inkurajohet për të vazhduar më me forcë politikën që po gjeneron çadra në bulevard.
“Siç kam theksuar këto ditë, në horizont të politikës shqiptare po shfaqet kërcënueshëm rreziku i një krize politike dhe elektorale.
Viktima e parë e saj sot mund të konsiderohet Saimir Tahiri. Opozita nuk do të kënaqet me këtë lëvizje taktike të Ramës, por do të inkurajohet për të vazhduar më me forcë politikën që po gjeneron çadra në bulevard.
Mendoj se dorëheqja e Tahirit është lëvizje disa dimensionale: Për t’i dhënë opozitës një karrotë, për të ulur tensionin në rritje, për të bërë një ‘mea culpa’ për kanabizimin e Shqipërisë e për të treguar një profil reflektimi ndaj problematikave të rënduara në Shqipëri.
Ndofta edhe si një urë për të bashkuar mazhorancën në një front politik dhe elektoral duke e ditur se LSI ka patur me kohë kontestime në adresë të ministrit të Brendshëm”, thotë Paskal Milo.