Nga Kasem Seferi
Informaliteti, ose ekonomia në hije ka pasur dhe ka sidomos këto vite të fundit përmasa dramatike në Shqipëri
Kjo dukuri është arsyeja e ndërlikimeve politike dhe shoqërore, që simbolizon shfaqjen e pakënaqësisë dhe zemëratës së qytetarëve kundrejt ndërhyrjes së qeverisë në jetët e tyre duke vënë një barrë të madhe tatimore mbi shpatullat e tyre.
Fillimisht, në vitet 2014 – 2015 tatimpaguesit (veçanërisht, tatimpaguesit e vegjël) nuk e ngritën zërin e tyre për ndryshimet që qeveria Rama i bëri legjislacionit tatimor, por kur u ndeshën me kontrollet “policore” të vendosjes dhe përdorimit të kasave regjistruese, preferuan opsionin e daljes nga sistemi për t’u strukur në ekonominë në hije.
Një dukuri e tillë, dihet, se do të çonte në një rreth vicioz, për arsye se, gradualisht, u shkërmoq baza për një vlerësim të vërtetë të pagesave tatimore të tatimpaguesve për aq kohë sa ata e fitojnë jetesën e tyre në ekonominë në hije, duke e hequr qafe barrën e rënduar tatimore.
Si rezultat, tatimet u rriten për ata që mbetën në sistem, që nën diktatin e arbitaritetit të administratës tatimore nuk arritën ta balancojnë humbjen e të ardhurave që u shkaktua nga mospagimi i tatimeve i tatimpaguesve që operojnë në ekonominë në hije.
Si shembull i gjallë mbetet rasti i tatimpaguesve të rregullt të sipërmarrjes së ndërtimit, të cilët pasi i paguanin të gjitha deyrimet tatimore gjatë proçesit të ndërtimit të banesave, dyqaneve dhe garazheve, patën bërë hipotekimin e tyre dhe për ato apartamente, dyqane dhe garazhe të pashitura (por të hipotekuara), paguan tatimin mbi pasurinë, taksën e pastrimit, etj.
Tashmë, me rritjen e tatimit mbi pasurinë, këtyre tatimpaguesve të rregullt u duhet të paguajnë një tatim më të madh mbi pasurinë për apartamentet, dyqanet dhe garazhet e hipotekuara.
Ndërkohë, shumë tatimpagues të tjerë të parregullt, që për ironi të fatit, shpesh, apartamentet, dyqanet dhe garazhet e shitura, por të pahipotekuara, i kanë përballë tatimpaguesve të rregullt, nuk paguan dhe me sa duket nuk ka gjasa të paguajnë tatimin mbi pasurinë dhe taksën e pastrimit, etj për arsye të lidhjeve korruptuese me qeverisjen.
Në terrenin e ekonomisë në hije mund u përfshinë edhe fusha të tjera të veprimtarisë ekonomike, që ende sigurojnë të ardhura mjaft të mëdha, madje, duke vënë dorë te energjia elektrike, te përdorimi i mallrave kontrabandë, te falsifikimi i pronësisë së mjediseve të biznesit, duke mashtruar konsumatorët me lëndë që u ngjajnë karburanteve, e plot gjëra të tjera të këtij lloji vetëm e vetëm për të mos paguar tatimet në përputhje me kërkesat e legjislacionit tatimor.
Në këtë dukuri u ndërthur veprimtarita e asaj pjese të administratës tatimore që është rezultat i mosnjohjes sa dhe si duhet e legjislacionit fiskal, nga pakujdesia e veprimeve administrative dhe interpretimi individual i “boshllëqeve” të legjislacionit fiskal, rregullave dhe praktikave zyrtare që e shoqërojnë atë, për të bërë pazar me tatimpaguesin në lidhje me detyrimet tatimore, interesat
dhe gjobat e vlerësuara.
Një histori gjobash jo për faj të tatinmpaguesve, por nga paaftësia, ose keqdministrimi i sistemit. Premtime për falje, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta; pra, e kundërta e ndëshkimit të tatimpaguesve pa faj: kompensimi i tyre.
Në të tilla rrethana ndershmëria e tatimpaguesve dhe ajo e zyrtarëve tatimorë u pa dhe shihet me dyshim, për arsye se pati shumë pak kontroll mbi zyrtarët tatimorë, shumë pak informacion përsa i përket asaj se çfarë ndodhte dhe, kuptohet, ndodhi që “të gjithë duart e tatimpaguesve votuan kundër përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor”.
Perceptimi i tastimpaguesve se paraja që qeveria mblidhte prej tyre, do të përdorej në mënyrë transparente, pra, për të mirën e tyre, si dhe trajtimi i tyre nga administrata tatimore do të ishte i paanshëm dhe me ndershmëri, krahasuar me tatimpagues të tjerë, atëhere të ardhurat tatimore, me të vërtetë, nuk do ishin në hall të madh.
Po ashtu emërimi në pozicione drejtuese të administratës tatimore edhe pse u premtua një nga risitë e “Rilindjes“ nuk u hoq nga duart e njerëzve të veshur me pushtet; gjithashtu nuk u zvogëluan përpjekjet e tyre për favorizim politik, për shkak të njohjeve, lidhjeve dhe interesave personale.
Paketa e sanksioneve të forta, me qëllim që të pengohej shmangia, evazioni dhe mashtrimi tatimor dhe mendimi se, një paketë e tillë do të jetë pikërisht struktura e saktë dhe e domosdoshme e ndëshkimit të atyre tatimpaguesve dhe zyrtarëve tatimorë që shkelin ligjin, për fat të keq katandisi, thjesht, në një fantazi.
Ekonomia në hije veproi si levë për krijimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme, duke shkaktuar një konkurrencë të pandershme në treg, duke rritur riskun e falimentimit të sipërmarrësve, ose kalimin në gjirin e ekonomisë në hije të veprimtarive të tatimpaguesve të rregullt që përmbushin kërkesat e legjislacionit tatimor.
Në këto kushte, tatimpaguesit e rregullt që kanë marrë hua nga bankat tregtare nuk kanë qenë dhe ende nuk janë në gjendje të shlyejnë detyrimet e tyre në masën dhe në kohën e duhur, duke rritur sasinë e huave të këqia dhe të riskut bankar të huadhënies, që ende vazhdon të penalizojë huadhënien për ekonominë.
Ka qenë dhe mbetet ekonomia në hije shkaku i vërtetë i pasigurisë së bankave tregtare për të kredituar komunitetin e biznesit dhe jo rënia e kërkesës konsumatore:
është kjo arsyeja që kreditimi i ekonomisë në Shqipëri në raport me PBB – në është në nivelin më të ulët në rajonin e Ballkanit Perëndimor;
është ekonomia në hije që krijoi huatë e këqia në sistemin bankar;
është ekonomia në hije arsyeja përse rreth 20 përqind e depozitave janë investuar jashtë kufijve të Shqipërisë me një përqindje interesi fare të thjeshtë;
është ekonomia në hije që ka prekur çdo qelizë të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.
Në këto kushte, niveli i ekonomisë në hije (një nga shkaktarët kryesorë të evazionit tatimor) nënkupton më pak para për përfitime publike, ndërkohë që ka lënduar jetën e biznesit, për arsye se konkurrenca në treg nuk është në kushte normale, por është e padrejtë dhe “vrasëse” e tatimpaguesve të rregullt.
Është e dukshme se ekzistenca e ekonomisë në hije përfaqëson një sfidë të rëndë ekonomike dhe politiko – shoqërore dhe suksesi do të arrihej vetëm në qoftë se qeveria do të investigonte shkaqet rrënjë të ekonomisë së rritur në hije, ku ndërmjet tyre, bie në sy barra e rritur tatimore si dhe rregullat dhe praktikat e gjëra të interpretimit të legjislacionit tatimor.
Në një vend ku ka korrupsion, ku pjesa më e madhe e veprimeve tregtare bëhen me para në dorë, ku nuk lëshohet faturë për TVSH – në, ose edhe kur lëshohet ajo është me një çmim më të madhe se çmimi pa faturë, qeveria duhet të siguronte nxitës që bizneset të lëshonin faturë, të hipotekonin apartamentet, dyqanet, garazhet që kanë shitur dhe që nuk kanë shitur, të paguanin tatimin mbi pasurinë, taksën e pastrimit etj.
Pra, politika tatimore më e mirë do të ishte ajo përzgjedhje e tatimeve dhe e tarifave, që janë të qëndrueshme nga pikëpamja administrative dhe të çojnë në mbledhje realiste të të ardhurave tatimore, me anë të zgjerimit të bazës tatimore dhe integrimit në mënyrë progresive të veprimtarive ekonomike të ekonomisë në hije në rrjedhën kryesore të ekonomisë kombëtare.
Qeveria ekzistuese nuk bëri asnjë përpjekje për të krijuar nxitës të tillë:
për shkak të diletantizmit profesional të drejtuesev të ministrive;
për shkak të paaftësisë dhe keqmenaxhimit;
për shkak të korrupsionit;
për shkak të …
Për shkak se e ka zemëruar qytetarin atje ku nuk mban më.
Kasem Seferi – ekonomist