Home KRYESORE Rilindja ble vetëm kohën dhe votat, gjithçka tjetër e plaçkit!

Rilindja ble vetëm kohën dhe votat, gjithçka tjetër e plaçkit!

Nga Arian Galdini

Në mes të fushatës për zgjedhjet e qershorit 2013, kam shkruar për gazetën Panorama një analizë timen të titulluar “Kundër Rotacionit”. Pikërisht ndërsa jemi sot në këtë situatë të fundmandatit të rotacionit që ndodhi, përkundër dëshirës sime, u rikthehem të njëjtave argumenta se përse kisha të drejtë kur e kundërshtoja që në koncept e gjenezë bashkimin e më tej mundësinë e ardhjes në pushtet të dyshes Rama – Meta.

Jo pa krenari, them se asnjë argument nuk më ka rënë poshtë, përveç parashikimit tim se ata të dy nuk do të mund të fitonin. E ndoshta në parashikim kam dështuar, ngase më shumë e kisha dëshirë dhe qëndrim elektoral sesa realizëm.

Jemi në situatën kur ajo që nuk duhej të ndodhte është bërë fakt i kryer e madje ka patur gati 4 vite mandat të lehtë qeverisës.

Opozita e Lulzim Bashës i shfrytëzoi ditët e saj për ta lexuar e shqyrtuar Shumicën e pas qershorit 2013, nga të gjitha këndet e mundshme. Aq e ngeshme dukej në qëmtimin e saj Opozita, saqë shpesh të krijohej ideja se ajo i ngjante atij fqinjit tim në Vlorë që sa herë grindej me të tjerët ia niste e bërtiste: Mbamëni se do ti bëj gjëmën…

Nga njëra anë, kjo ishte edhe e natyrshme ngase Lulzim Basha më së pari duhej të njihte vetveten, më tutje duhej të njihte Partinë që kishte marë përsipër të drejtonte, paskëtaj duhej të njihte e përcaktonte drejt e qartë kundërshtarin, e më tej të kumtonte me shoqërinë shqiptare.

Për shoqërinë shqiptare, kjo kishte një të mirë, ngase Opozita në proçes vetënjohjeje dhe kundërshtarnjohjeje, i la të gjitha mundësitë dhe dyert e hapura për të prodhuar natyralisht qytetarin e vetëmbrojtjes dhe vetëngritjes civile.

Fatkeqësisht, përveç disa kohortave me aktivistë civilë, askush dhe asgjë nuk ia mbërriti ti jepte jetë nervit të lëvizjeve mirëfilli qytetare në vendin tonë. Ne këtë Protodemokracinë tonë langaraqe që kemi ndërtuar në këto 27 vite, të gjitha paratë dhe sponsorizimet financiare, publike, mediatike, vendase e ndërkombëtare që janë bërë për shumë njerëz e grupime, rezultuan dështim total. Shoqëria civile ka prodhuar baronë milionerë ose kauzistë kazuale. Njerëz të besueshëm ka aq pak saqë sfera e tyre e influencës nuk i ka kaluar kurrë numrat e bilbilenjve trembëdhjetë. MJAFTi më shumë kishte para e donacione për të paguar njerëz e administratë sesa njerëz në protesta. E bënë aq të famshme si organizatë, saqë të krijohej ideja se MJAFTi do pushtonte Ballkanin. Në fakt ata kurrë nuk i kaluan 13 vetat për protestë, nëse i bënin vetë e pa marrëveshje me Partitë Politike.

Ata ia dolën të bëhen pakica pushtuese e PS, por asnjëherë nuk u bënë më shumë se 13 vetë në protestat qytetare. E njëjta gjë ka ndodhur me çdo organizatë a strukturë tjetër civile ndër vite. Ç’ka i kishte mbytur pamëshrshmërisht shanset e organizatave dhe aktivizmit civil për tu ngritur e zhvilluar në Shqipëri, vit pas viti e mandat pas mandati qeverisës, ka qenë Opozitarizmi militar që kemi patur, i cili nuk linte as një grimë hapësire veprimi dhe ekzistence për asgjë e askënd tjetër. Modeli i Opozitarizmit që kemi patur deri në dt 23 qershor 2013, ishte gjithçkabërës. Opozita bënte edhe protesta, edhe subversion, edhe alternativën, edhe kritikat, edhe akuzat, edhe luftën, edhe paqen, edhe marrëveshjet, edhe mosmarrëveshjet, e kësisoj, gjithçka në shoqërinë shqiptare partiakëzohej, me hir a me pahir, me dashje a padashje.

Lulzim Basha si Lider i Opozitës, që në krye të herës e deri sot, dëshmoi e po dëshmon se i përket një modeli krejt të ri e thelbësisht të ndryshëm, nga gjithkush tjetër para tij.

Ai vendosi të bëjë detyrën që i takon e për të cilën është votuar si Lider Partiak dhe si Lider i Opozitës duke e lejuar qytetarin shqiptar ti eksplorojë, kuptojë dhe zhvillojë vetë, të gjitha shtigjet dhe mekanizmat e aktivizmit dhe organizimit civil.

Ndodhi më e keqja. Jo për faj të Lulzim Bashës, ose së paku jo krejt për fajin e tij. Ndodhi më e keqja sepse ne si shoqëri e si qytetarë, e kemi më të lehtë të thirremi si qokëbërës partiakë apo si të paguar, për tu mbledhur, sesa të vetëorganizohemi për tu dalë për zot halleve, punëve e çështjeve tona. Ne nuk duam të na shënohet emri askund si njerëz që e kruajmë me Qeverinë. Ne pëlqejmë të na e shënojnë emrin e së fundmi të bëjmë edhe selfie me udhëheqës partie.

Me Qeverinë kruhemi, vetëm kur kemi një strehë të një partie, ku na garantohet një telefon a derë e hapur për ndonjë konsideratë, punë, tender, favorizim a zgjidhje halli nesër. Ne zgjedhim të bëhemi jo qytetarë, por hordhi militantësh partiakë, që mezi presim të rrëzojmë hordhinë në pushtet, që ti turremi ne shtetit e të bëjmë e ndajmë plaçkë. Kjo është zgjedhja jonë, kjo është edhe kultura partitokratike dhe kryetarokratike me të cilën jemi mësuar e mëkuar.

Nga ana tjetër edhe vendasit dhe ndërkombëtarët që kanë investuar në krijimin e ndërtimin e shoqërisë civile dhe aktivizmit civil, kanë dështuar edhe më rëndë, sepse i gjithë produkti i tyre është baronizim, mercenarizim dhe politizim skandaloz i të gjithë strukturave dhe individualiteteve civile.

Ndaj, tërheqja e Bashës në fushën që i përket, nuk u shoqërua nga një mbushje e hapësirës civile nga njerëz dhe organizata civile të afta për të mbledhur qytetarë. Zbrazëtinë civile e shfrytëzoi me babëzi e ligësi të hidhët, Qeveria e Mafias Estetike. Qeveria e Rilindjes në vend që lëshimin politik të bërë nga Opozita, ta shndërronte në një sfidë kulturëtransformuese edhe për mënyrën e saj të funksionimit, dmth të kthehej edhe ajo vetë në një operator realisht reformator, shtetbërës, çlirues dhe demokracindërtues, iu vërsul barbarisht hapësirës civile dhe opozitës me një axhendë të qartë pushtuese, asimiluese dhe asgjësuese.

Batutat, ulërimat, spërkatjet me pështyma fjalimesh e fjalësh plot mllef e tërsëllimë të Edi Ramës, kundër çdo zëri a organizate politike apo civile që është kritike, opozitare apo jo e njëmendësuar me të, është shoqëruar në këto 4 vite, edhe me shpikjen e shoqërisë civile pro Reformës së Bledi Çuçit apo pro Reformës së Fatmir Xhafës, e të tilla marrëzi e fëlligështi të tjera.

Qeveria e Mafias Estetike, duke përdorur matricat e derisotme të bashkëpunimeve dhe partneriteteve ndërkombëtare, ia doli që duke përdorur jo përmbajtjen perëndimore, por thjesht fjalët kyçe, që të përfshinte edhe diplomatë e organizma ndërkombëtarë në këtë instrumentin surrogat të shoqërisë civile që mblidhet për të brohoritur a firmosur peticione pro Qeverisë, e thirrur me mesazhe e telefonata nga organizatat bazë të Partisë në Pushtet.

Nëse në fillesa e Qeverisjes së Rilindjes, kjo ishte një rënie e demokracisë që mund të pranohej e tolerohej, pas kanabisizimit total të Shqipërisë, ky zaptim i hapësirës civile nga Qeveria e Mafias Estetike, po bëhej një rrezik madhor edhe për vetë ekzistencën e Opozitës dhe Opozitarizmit në Shqipëri.

Djallëzia e instaluar në sistem, e mbështetur edhe nga paratë e drogës, e nën mbrojtjen e Pretorianëve të Krimit, të bërë deputetë e kryetarë bashkie, nuk pasqyrohej më në asnjë raport, qëndrim, konstatim apo shqetësim vendor apo ndërkombëtar.

Matrica e derisotme e partneriteteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, ka qenë e tillë që përpos raporteve e qëndrimeve të qeverisë dhe opozitës, një zë të rëndësishëm në kapitull, kanë patur dhe kanë domosdoshmërisht personalitete dhe organizata civile.

Në një realitet kur shoqëria civile është pushtuar, blerë, sajuar, e akaparuar nga Qeveria, atëherë ajo nuk bën gjë tjetër veçse katandiset në një pavion shërbimesh kozmetike për Mafian Estetike në pushtet. Prandaj edhe nuk funksionojnë më matricat e derisotme të vlerësimit të gjendjes në Shqipëri. Asnjë ndërkombëtar nuk do të mund të shihte vërtetësisht e lakuriq një realitet ku mungon shqisa e pavarur, pra shqisa e qytetarisë aktiv. Më keq akoma madje, për çdo ndërkombëtar do të ishte pamundësi bazike qëmtimi dhe kuptimi i një realiteti kur shoqëria civile raporton më proqeveritarisht se vetë Qeveria.

Kjo është edhe arsyeja pse Çadra e Lirisë, është bërë realisht dhe simbolikisht bllokuese e Trafikut në arterien kryesore të Tiranës Politike, Qytetare dhe Ndërkombëtare.

E kështu duhet të ndodhë. Bllokimi sjell kolaps të trafikut, riorganizim e riorientim të tij, e më pas nëse është rezistent dhe afatgjatë, sjell detyrimisht nevojën për zgjidhje.

Këtë po e bën e do ta kryejë si proçes politik edhe Çadra. Qëndresa e vendosur, e palëkundur, e patundshme dhe e patundueshme nga riorganizimi dhe riorientimi i trafikut, do të mbërrijë me patjetër tek momenti i zgjidhjes sikurse edhe kërkohet nga Opozita.

Qeveria e Mafias Estetike po ble kohë. Ata duan të blejnë vota, por që të arrijnë deri aty, kanë nevojë të blejnë kohë. Për të blerë kohë Edi Rama ndërroi 4 Ministra. Për të blerë kohë Rama dhe Meta kanë rifilluar lojën e policit të mirë dhe policit të keq, ku mes urrejtjes dhe dashurisë riformulojnë bashkëpunimin e përpiqen të riorganizojnë e riorientojnë “Trafikun”.

Janë të qartë Qeverisësit tanë te Mafias Estetike. Ata e dinë se u duhet të blejnë vetëm kohën që të kenë mundësi të blejnë votat. Përndryshe, gjithçka tjetër, ata e pushtojnë, tjetërsojnë, zhbëjnë, asgjësojnë ose e plaçkisin.

Ndaj Opozita nuk ka sesi të tërhiqet nga qëndresa e saj. Çadra e Lirisë do të sjellë pa asnjë mëdyshje ose rimatricimin e vlerësimeve për Shqipërinë, e për rrjedhojë fitoren e madhe të qytetarëve shqiptarë nëpërmjet krijimit të Qeverisë Teknike dhe garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ose ngritjen e flamurit të Mafias Estetike në pushtet edhe mbi Selinë e Opozitës.
Edi Rama do të bjerë. Mafia Estetike do të bjerë. Qeveri Teknike do të ketë. Dhe këtë e them dhe theksoj me bindje, në shqip dhe anglisht.

Ky nuk është parashikim, por e vetmja zgjidhje.

Share: