Home KRYESORE Shteti në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe deklaratat e bëra nga Mogherini...

Shteti në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe deklaratat e bëra nga Mogherini dhe Tusk

Nga Kasem Seferi

Rrënjët e problemeve që kanë sot me qeverisjen vendet e Ballkanit Perëndimor shkojnë prapa në dekadat e së kaluarës, pikërisht në ato kohë kur janë bërë ndryshime rrënjësore, politike dhe ekonomike.

Prandaj, që të kuptohen problemet e tanishme, është e dobishme të nxirren qartë në dukje shkaqet e tyre strukturore, rezultat i ndikimit të faktorëve afatgjatë, që kanë sjellë trashëgiminë historike të strukturave institucionale dhe të logjikës që ato trashëguan, sidomos, nga shtetet e mëparshme komuniste.

Në disa kuptime, disa prej shteteve në Ballkanin Perëndimor, janë vërtetë të dobët dhe nuk mund t’i performojnë përgjegjësitë e një shteti plotësisht demokratik të konsoliduar. Ndërsa në kuptime të tjera, ato janë mjaft të fortë, veçanërisht, kur bie fjala për kontrollin mbi aparatin shtetëror dhe burimet e tij sikundër është kontrolli i një pjese shumë të madhe të PBB – së dhe përdorimit të tij.

Këto vende, ende nuk i kanë zgjidhur çështjet kryesore kushtetuese që lidhen me qytetarinë, trajtimin e pakicave të ndryshme dhe konkurrencën e partive dhe, kjo pasiguri kushtetuese, provokon tensione, tendenca autoritare dhe probleme të pakicave kombëtare.

Këto shtete janë të paqendrueshëm për arsye se ato, në mënyrë konstante, ende janë duke u keqdrejtuar nëpërmjet përdorimit si mjet, ose si strukturë nga elitat politike, për të krijuar mundësi, me qëllim që të shfrytëzojnë burimet shtetërore për interesat e grupimeve të tyre personale dhe politike.

Rregullisht, vihet re rënia e lirisë së medias, parlamente të dobët që vuajnë bojkote të shpeshta, emërime të politizuara juridike dhe nivele të larta të korrupsionit dhe lidhjeve me krimin.

Qartë, kontrolli i administratës publike nga partitë politike dominuese është i përhapur në rajon dhe lidhet fort me patronazhin politik, që lidhet ngushtë me korruspionin, financimin e rregulluar në mënyrë të papërshtatshme të partive politike, si dhe me efektivitetin e qeverisjes dhe shpenzimeve qeveritare.

Historia e ndryshme e trashëgimisë institucionale nga Perandoria Osmane dhe Perandoria e Habsburgëve, përsa i përket sistemit politik, sistemit të të tatuarit dhe sigurimit të shërbimeve publike, ka influencuar mbi parashikimet publike dhe logjikën institucionale të shteteve të Ballkanit Perëndimor që dolën nga këto dy perandori.

Proçesi i ndërtimit të shtetit është ende i pambaruar në shumë shtete të këtij rajoni.

Përveç përfshirjes së gjërë nga jashtë, reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor rrallë kanë qenë të suksesshme dhe të vëna plotësisht në jetë. Shpesh, pjesa më e madhe ka shkuar deri në përpjekje gjysmake të elitave politike vendase në ndjekjen e këshillave të aktorëve të jashtëm.

BE – ja ka pasur vetëm një influencë të kufizuar në politikën sociale. Në pjesën më të madhe ka influencuar në politikë – bërjen e barazisë gjinore, përfshirjen shoqërore dhe luftën etnike dhe të tjera diskriminime shoqërore.

Shpesh, trashëgimitë institucionale që kanë, gjithashtu, rëndësi kanë prodhuar rezistencë për tërësitë e reformave nga aktorët e jashtëm.

Roli i shtetit në ekonominë e shteteve të Ballkanit Perëndimor diskutohet nga perspektiva e pasojave të krizës së financiare dhe ekonomike globale që goditi ashpër disa prej tyre dhe një prej çështjeve kryesore që ka dalë nga diskutimi i ekspertëve i referohet sfidave që duhet të përballojnë këto shtete në të ardhmen e afërt, në kuptimin e dy zhvillimeve:

së pari: pasojat politike dhe shoqërore të krizës në vendet e rajonit; dhe
së dyti: tipi (ose “varieteti”) i ekonomisë së tregut që do të dalë në këto vende pas fundit të krizës.

Rishpërndarja e të ardhurave nuk është bërë nga të pasurit te të varfërit por, ka qenë e angazhuar drejt një rishpërndarje “të kundërt”, nga të varfërit te të pasurit, duke e keqësuar situatën e rishpërndarjes së të ardhurave ndërmjet grupeve të ndryshme të popullsisë.

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor përjetuan dhe ende përjetojnë vështirësi që ndikuan dhe ndikojnë negativisht mbi eksportet dhe kursimet private për arsye të përqindjeve të tyre të këmbimit që fiksohen në euro.

Ekspozimet kundrejt shkaqeve të këqia, nuk i lejuan ekonomitë e këtyre vendeve të ishin në gjendje që të zhvlerësonin monedhat e tyre kundrejt euros si pjesë të strategjisë së tyre të shërimit ekonomik.

Sikundër u pa këto vite të fundit, dalja nga pasojat e krizës nuk ishte e mundur pa ristrukturuar gjithashtu borxhin privat, por ekspertët kanë dyshime mbi qendrueshmërinë e ristrukturimit të borxhit privat.

Deklarata e Federica Mogherinit dhe pas saj, deklarata e Donald Tusk në lidhje me gjendjen e përgjithshme politike ekonomike dhe shoqërore në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, deklaratat e Departamentit të Shtetit dhe NATO – s në lidhje me Kosovën, për krijimin e ushtrisë dhe deklaratatat për Maqedoninë për formimin e qeverisë, janë tejet domethënëse dhe u kërkojnë elitave politike të çdo vendi në rajon të gjejnë zgjidhjen e duhur dhe të ofrojnë zgjedhjen e duhur, veçanërisht, në Shqipëri.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: