Home KRYESORE TË KUJT JANË FËMIJËT ME DUART E SHTRIRA NË RRUGË?!

TË KUJT JANË FËMIJËT ME DUART E SHTRIRA NË RRUGË?!

Mentori: Prof Dr Ferid Selimi    Punoi:   Ariana Bytyqi, Prishtinë,

Përmbledhje / Abstrakti

Ka kohë që nëpër rrugët e Kosovës, nëpër trotuare e para dyerve të xhamive ose kishave ka vërshuar vala e lypsarëve, të shumtën e rasteve fëmijë, duke kërkuar lëmoshë. Edhe pse qendrat për punë dhe politikë sociale kanë hartuar politika të qarta, ndërkohë që është miratuar edhe Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, beteja me këtë dukuri duket se do të jetë e gjatë dhe tejet e vështirë.

Shumë fëmijë, të cilët kryesisht i përkasin komunitetit RAE, bredhin lokal më lokal, duke shtrirë duart përpara çdonjërit për lëmoshë. Megjithatë, edhe pse vendi i këtyre fëmijëve është shkolla, ambienti i familjes, si dhe shtëpitë për përkujdesje, prapëseprapë ata i gjen në rrugë.

Në qendrat për punë dhe politika sociale në Kosovë theksojnë se këta fëmijë nuk janë të gjithë nga i njëjti vend. Pjesa më e madhe e tyre sillen në mënyrë të organizuar nga grupe të caktuara, të cilët mjerisht detyrohen që të lypin rrugëve të qytetit. Kjo ndodh pothuaj çdo të shtunë, kur vala e lypsarëve zë rrugën për në tregun e gjelbër, si dhe para dyerve të lokaleve hoteliere.

Keqpërdorimi i këtyre fëmijëve nis nga familja. Këtë e bëjnë familje të cilat kanë probleme organizimi, po edhe nga të afërmit, të cilët për arsye përfitimi po abuzojnë me fëmijët, duke e keqpërdorur fatkeqësinë e tyre dhe humanitetin e njerëzve të zakonshëm.

Disa analiza, dhe hulumtime lidhur me këtë dukuri do të hedhin dritë mbi këtë dukuri shoqërore të cilën shumëkush e ka quajtur “turizëm i lypjes”, dhe si dukuri e jetës në modernitet, përskaj varfërisë dhe varshmërisë së grupeve të caktuara shoqërore.

Fjalë kyç: Lypsar, mirëqenie sociale, shteti, fëmijë, shkollë.

Hyrje

Grupe fëmjësh parakalojnë udhëve dhe trotuareve të Kosovës, me duart e shtrira drejt kalimtarëve të rastit ose automjeteve që ndalen përpara ndonjë shtegu për këmbësorë. Këta fëmijë, përpos që rrugën e kanë “vend pune”, ngase nga aty mund të nxjerrin koren e vështirë të mbijetesës së përditshme, janë shpeshherë edhe pre e shumë keqpërdorimeve nga ana e të rriturve, të cilët në shumë raste po shfaqen edhe si “punëdhënësit e tyre”, ndërkohë që në Ministrinë për mirëqenie Sociale po i ngrenë duart. Ata theksojnë se është vështirë “të luftohet” kjo dukuri e përmasave shqetësuese, jo vetëm në Kosovë.

Materiale dhe metoda të hulumtimit

Dukuria e fëmijëve lypsarë nuk është e panjohur as për vendet më të zhvilluara të Evropës, ose SHBA-në etj. Megjithatë, rajoni i Ballkanit i cili doli nga luftra të vazhdueshme të dekompozimit të ngrehinës së quajtur ish-Jugosllavi, i rriti këta parametra jo vetëm nëpër shtetet e krijuara nga kjo shpërbërje, por i ka shtrirë rrënjët edhe në përmasa rajonale. Në këto shtete, të cilat dolën nga një sundim i egër, lëvizja e lirë krijoi parakushte që këta “nomadë lypsarë” të fitojnë shtrirjen e rrjetit të tyre edhe nëpër vise të tjera të rajonit dhe Evropës. Këta fëmijë ndodhen në rrugë pa vullnetin e tyre. Ata shërbejnë si lypës, cigareshitës, pastrues xhamash të veturave të automjeteve nëpër udhëkryqe, mbledhës të mbeturinave plastike dhe mbeturinave të tjera nëpër kontejnerë, ose në “profesione” të tjera, të cilat nuk janë të denja për një qytetar të zakonshëm. Meqë po flasim për fëmijët, kjo ngjet me keqpërdorim të skajshëm të moshës dhe të djersës së tyre.

Nexho M., lustraxhi, i përket komunitetit rom. Ai thekson se dukuria e lypjes është e pranishme në mesin e komunitetit të tij. Por, në të shumtën e rasteve këta lypësarë nuk janë të kryeqytetit. Romët që jetojnë në kryeqytet prej kohësh, sipas tij, po e nxjerrin bukën nga djersa e tyre, duke u bërë edhe mjeshtër të dalluar në qytet dhe rrethinë. Natyrisht, edhe nga ta ka të tillë që i përkasin kategorisë së lypësve, por ky numër është i paktë. Ai thekson:

Në të kaluarën numri i lypësve të komunitetit tonë ishte më i madh, por tani është më ndryshe. Ne i jemi rrekur punës dhe askush nuk na ndal që duke punuar të sigurojmë ekzistencën. Përmes punës e djersës sime kam arritur të krijoj edhe miqësi të shumta, dhe kësisoj të mos e kem vështirë në gjetjen e punës dhe me këtë edhe të siguroj ekzistencën dhe mirëqenien për mua dhe për familjen time.

Sipas Qendrës Rajonale për Mirëqenie Sociale për evitimin e këtij problemi qendra ka hartuar programe të veçanta. Në to janë përfshirë këshillime me prindër të këtyre fëmijëve duke i njoftuar ata me pasojat nga këto veprime të dëmshme. Sipas analizave që kjo qendër ka bërë gjatë aktivitetit të saj, nga kryeqyteti kanë rezultuar të jenë vetëm shtatë fëmijë lypsarë, me familjet e të cilëvë tashmë është biseduar dhe u janë dhënë këshilla të duhura për evitimin e kësaj dukurie.

Por brengosës është fakti se kontigjente lypsarësh çdo ditë vijnë në kryeqytet për “turizëm-lypje”. Ata shfaqen që në orët e hershme të mëngjesit dhe rrijnë këtu deri në mbrëmje, kur e braktisin kryeqytetin.

 Fluksi më i madh i këtyre fëmijëve lypsarë duket gjatë muajve të verës kur edhe vijnë kurbetçarët, duke i vërshuar rrugët e Kosovës. Pr,o përveç këtyre fëmijëve të cilët vijnë prej qytetesh të tjera, kemi probleme edhe me familje të cilat vijnë prej qyteteve të tjera, qoftë si mysafirë, e mëpas edhe mbeten gjithë kohën duke ngritur  edhe tendat e tyre dhe, të cilat po i rreken lypjes në grup. Qendra për Punë Sociale tashmë i ka evidentuar disa grupe të tilla dhe për këtë ka marrë masa duke kontaktuar me qendrat tjera nga vijnë këto grupe duke i paraqitur nëpër qendrat e qyteteve nga po vijnë ata, që janë kryesisht nga Maqedonia, Shqipëria dhe vende të tjera.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin nacionalitetit rom, të cilat rezultojnë të jenë kategoria më e prekur sociale e shoqërisë” kanë theksuar më tutje nga Qendra për Mirëqenie Sociale.

Gjendja e fëmijëve që bredhin rrugëve shumë brengosëse

Gjendja e vështirë sociale e shumë familjeve në Kosovë, po i detyron anëtarët e tyre të gjejnë rrugë nga më të ndryshmet për të siguruar ekzistencën. Papunësia e lartë po shkakton probleme të natyrave të ndryshme, duke i nxitur gjeneratat e ndryshme, sidomos të rejat, të hyjnë rrugëve jo të ligjshme, ose t’ua mësyjnë vendeve perëndimore për të siguruar një jetë më të mirë për ta dhe familjet e tyre. Gjatë kalimit të rrugës deri në cakun e dëshiruar ata e rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre.

Fëmijët në Kosovë as për së afërmi nuk i kanë kushtet për një zhvillim normal, qoftë ai intelektual, ose fizik. Detyrimi i kësaj kategorie të fëmijëve për të punuar punë të ndryshme, për t’u dalë në ndihmë familjeve të tyre në sigurimin e kafshatës së bukës, duhet të jetë brengosëse për të gjithë, por më së shumti për shtetin.

Numri i fëmijëve që kryejnë punë brenda ditës e që nuk u takojnë atyre është relativisht i lartë. Gjatë ditës kjo kategori e fëmijëve orvatet në forma të ndryshme për të arritur te paratë e nevojshme, duke filluar nga bartja e karrocave ditëve të tregut, shitja e cigareve, kërkimi i lëmoshës e punë tjera që nuk u takojnë fëmijëve. Duket sikur jemi mësuar tashmë me këtë pamje. Kjo gjendje është shumë shqetësuese, prandaj duhet që këtyre kategorive t’u kushtohet kujdes i veçantë institucional.

Fëmijët punojnë edhe gjatë natës

Të gjithë ne jemi mësuar të shohim cigareshitës në çdo kënd, pjesa më e madhe prej tyre të moshave madhore, por të shohim fëmijë të moshës 7 ose 8-vjeçare të merren me këtë veprimtari, është shumë e rëndë dhe shqetësuese. I tillë është rasti i mëposhtëm. Një fëmijë e has vazhdimisht nëpër restoranet e mbushura përplot me njerëz, me një çantë shkollore në kraharorin e tij, duke u endur poshtë-lart mban me një pako të madhe të mbushur me cigare. Ishte një fëmijë shumë i njomë, me një zë “trishtues” dhe fytyrë që tregonte rraskapitje. Ky fëmijë nuk e kishte vendin aty në atë kohë, duke kërkuar kafshatën e bukës dhe duke iu përulur shumë njerëzve për të shitur mallin e tij. Por, në realitet ai jo vetëm që nuk mund të flejë rehat, vonë kur të shkojë në shtëpi, por mëngjesin e nesërm duhet të mendojë rishtas se cilën rrugë ose pjesë të qytetit duhet ta zgjedhë për të shitur cigare.

M.B., 12-vjeç, nga komuna e Kastriotit, vjen çdo ditë në kryeqytet për të kërkuar lëmoshë. Ai së bashku me vëllanë e tij 11-vjeçar kalon rreth dymbëdhjetë orë në rrugët e Prishtinës, duke kërkuar para nga kalimtarët. “Më ndihmoni për bukë” janë fjalët që ai përsërit më së shpeshti. “Mesatarisht në ditë i marr ka katërmbëdhjetë euro”, thotë ai. Sipas tij, nuk është babai ai i cili e detyron të kërkojë lëmoshë. Kushtet e rënda ekonomike të cilat familja e tij nuk i përballon e detyrojnë atë të dalë në rrugë dhe të kërkojë para. “E kom veç babin e ai nuk punon”, thotë M.B. Ai është vetëm një nga 455 personat që kërkojnë lëmoshë në Kosovë.

 Sipas statistikave të Policisë së Kosovës (PK) të vitit 2012, numri i përgjithshëm i lëmoshëkërkuesve në Kosovë është rritur në 318 persona. Në vitin 2009 Instituti për Politika Sociale në Kosovë kishte konstatuar se ishin identifikuar gjithsej 137 lypës. Statistikat e PK-së tregojnë se komunat në të cilat numri i lypësve është më i madh janë: Prishtina: 152, Ferizaj: 108 e Prizreni me 89.

Shteti duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut

Cili është trajtimi i fëmijëve të pambrojtur në Kosovë? A po u mbrohen atyre të drejtat elementare? Nëse shteti nuk merret me ardhmërinë  e fëmijëve, për një edukim dhe arsimim të mirëfilltë për ta, si dhe një jetesë pa brenga, atëherë nuk duhet të presim një zhvillim normal të Kosovës në vitet e mëvonshme.  Duhet të iniciohen shumë aktivitete për të ndryshuar gjendjen e fëmijëve që punojnë, sidomos të atyre në rrugë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit duhet të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe të përbashkët që të ndryshojnë gjendjen momentale. Tani jemi në pushimin shkollor, por nuk do të thotë se fëmijët duhet të shkëputen nga mësimi dhe ta lënë anash atë. Ministria e Arsimit mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në largimin e këtyre fëmijëve nga rruga, duke u siguruar materiale të ndryshme edukuese dhe argëtuese për këtë kategori fëmijësh, që do t’ua tërheqin vëmendjen, por edhe do t’ia lehtësonin punën vetes gjatë muajve shkollorë, duke mos munguar shkollimi i rregullt i fëmijëve të tillë[1].

            Edhe Ministria e Mirëqenies Sociale mund të bëjë shumë më shumë për t’u siguruar këtyre fëmijëve vendbanim më të mirë dhe kushte më të volitshme për jetesë. Po kështu edhe institucionet tjera mund të kenë ndikim në këtë drejtim, duke filluar nga Policia e Kosovës, institucionet korrektuese, bizneset private, OJQ-të dhe shoqëria në përgjithësi. Ne vetë duhet ta ndërtojmë shtetin në bazë të parimeve shtetformuese, me respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe në veçanti të fëmijëve, ashtu siç na garanton edhe Kushtetuta e Kosovës, Neni 2:

Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës e ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj.

Si ilustrim po i sjellim disa të dhëna statistikore nga një projekt i realizuar nga Policia e Kosovës. Të dhënat aty janë paraqitur sipas qyteteve, moshës, gjinisë dhe numrit të personave të cilët janë hasur në rrugë duke kërkuar lëmoshë[2].

 

 

DRP-t

 

 

TRENDI VJETOR I DUKURISË SË KËRKIM LËMOSHËS 2013

 

 

TOTALI

 

 

Prizren Prishtinë Gjilan Pejë Ferizaj Mitrovicë
Numri i personave kërkues lëmosh 28 82 39 39 86 15 289
Gjinia

 

 

 

 

M

 

10 27 24 12 49 7 129
F 18 55 15 27 37 8 160
Mosha

 

 

 

Të rritur

 

27 54 22 20 63 11 197
 

Fëmijë

1 28 17 19 23 4 92
Nacionaliteti

 

 

Shqiptarë 4 13 26 0 13 8 64
Rom 24 38 13 39 69 4 187
Ashkali 0 31 0 0 4 3 38
Serbë 0 1 0 0 0 0 1
Shtetësia

 

 

 

Kosovë 7 23 23 4 8 12 77
Shqipëri        21 59 16 35 78 3 212

Të dhëna tabelare nga projekti i Policisë së Kosovës për vitin 2013 [3]

 

DRP-t

   TRENDI VJETOR I DUKURISË SË KËRKIM LËMOSHËS 2014  

TOTALI

Prizren Prishtinë Gjilan Pejë Ferizaj Mitrovicë. J Mitrovicë. V
Numri i personave kërkues lëmoshe 214 166 66 28 92 12 0      578
Gjinia  M 88 82 35 14 42 5 0 266
F 126 84 31 14 50 7 0        312
Mosha Te rritur       160 71 41 10 93 9 0 384
 Fëmije 54 83 25 18 0 3 0 195
Nacionaliteti

 

 

Shqiptarë 28 31 26 0 2 5 0 92
Rom 186 78 52 28 82 2 0 416
Ashkali 0 56 0 0 8 5 0 69
Serbë 0 1 0 0 0 0 0 1
Shtetësia

 

Kosovë 42 39 30 0 0 12 0 123
Shqipëri      172 127 36 28 92 0 0 455

Të dhëna tabelare nga projekti i Policisë së Kosovës për vitin 2014 [4]

 

DRP-t

    TRENDI I DUKURISË SË KERKIM LËMOSHËS JANAR-PRILL 2015  

TOTALI

Prizren Prishtinë Gjilan Pejë Ferizaj Mitrovicë J. Mitrovicë V. Gjakovë  
Numri i personave kërkues lëmoshe 0 60 11 0 19 0 0 11 101  
Gjinia  M 0 50 8 0 13 0 0 3 74  
F 0 10 3 0 6 0 0 8 27  
Mosha

 

Të rritur 0 19 11 0 9 0 0 7 46  
Fëmijë 0 41 0 0 10 0 0 4 55  
Nacionaliteti

 

 

Shqiptarë 0 0 7 0 7 0 0 10 24  
Rom 0 23 2 0 6 0 0 1 32  
Ashkali 0 34 2 0 6 0 0 0 42  
Serbë 0 3 0 0 0 0 0 0 3  
Shtetësia Kosovë 0 51 7 0 0 0 0 7 65  
Shqipëri 0 9 4 0 19 0 0 4 36  

Të dhëna tabelare nga projekti i Policisë së Kosovës për vitin 2015 [5]

Projekti nga ku janë siguruar të dhënat paraprake është zhvilluar në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Policisë së Kosovës në: Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë-Jugu dhe Mitrovicë-Veri respektivisht në zonën e përgjegjësisë së të gjitha stacioneve policore  me fokus të veçantë në lokacionet ku janë të vendosur sinjalizimet elektrike të komunikacionit-semaforët por edhe ne lokacione tjera. Ky projekt është implementuar gjatë periudhës prej dy muajsh, konkretisht, 15 qershorit 2015 e deri më 31 gusht të po atij viti.

Megjithatë, problemi i “zanatit të lypsarit”, nuk është dukuri që po haset vetëm në Kosovë. Ai njëtrajtshëm ka pushtuar metropolet botërore, si Neë Yorkun, Parisin, Berlinin,  Londrën. Lypsarët e vegjël kanë pushtuar po aq Tiranën sa Prishtinën, kanë pushtuar po aq Shkupin sa Prishtinën, kanë pushtuar  pothuaj çdo cep ku ndodhen njerëzit “zemërmirë, e zemërdlirë”.  Dukuria e lypjes nuk është herrur as në Maqedoni. Meqë shqiptarët e Maqedonisë njihen për nga popullsia që ka marrë mërgimin për të siguruar kafshatën e gojës, ardhjes së tyre në vendlindje, prapë duket se më së shumti i gëzohet “lukunia e lypsarëve” të vegjël, të cilët mbase edhe mund të jenë edhe vegël në duar të ndonjë grupi të organizuar për qëllime të përfitimit, apo të shfrytëzimit të fëmijëve. Mediat dhe sektori joqeveritar andej, në Maqedoni shpesh i është rrekur kësaj problematike, por tani për tani shteti duket i “paaftë”, apo i “painteresuar” që të ndalë këtë “hov prej keqbërësish”, apo “shkelësish tëdrejtpërsëdrejtë” të fëmijëve. Ja se si trajtohet dukurii i lypsarëve, në Kërçovë, që është një vendbanim shqiptar në Maqedoni[6].

            Ardhjes së mërgatës, përpos familjarëve dhe biszneseve të shumta lokale me të madhe i janë gëzuar edhe shtresa më e ultë sociale e shoqërisë, ajo e lypsarëve. Kjo kategori e njerëzve tashmë ka ushtruar në mënyrë të përkryer “zanatin” e përfitimit dhe ka shtrirë “biznesin” përpos rrugëve të qytetit, edhe duke vizituar shtëpitë private nëpër fshatra e deri nëpër lokalet e shumta të restoranteve, ku edhe zhvillohen dasmat e shqiptarëve. Thonë se këta “njerëz të paftuar” vijnë nga qytete të tjera siç janë Prilepi, Manastiri, Shtipi, Berova, Strumica, Koçani, e deri nga qytete më të largëta si Probishtipi e Sh. Nikolla.

Ky karvan prej “nomadësh”, tashmë po organizon “biznesin e lypjes” dhe me të madhe po ia del të jetë i pranishëm në çdo skutë të qytetit, dhe të rrethinës së Kërçovës. Tashmë, “target” i kësaj lukunie të organizuar prej lypësish janë edhe dasmat e kurbetçarëve, dhe pothuaj nuk ka natë, kur përpara dyerve të lokaleve hoteliere ku organizohen këta ahengje, të mos hasish në turma lypsarësh, të cilët u përkasin shtresave të ndryshme, prej tek fëmijët e deri tek invalidët e rëndë[7].

Zeqir Bajrami, profesor në SH.F. ”Rexhë R. Zajazi”, nga fshati Trapçidoll thekson:

Është e pamundur të ulesh e të pish kafe me ndonjë mik për një çast, e gjatë asaj kohe në tavolinë të mos jesh i vizituar sëpaku nga një turmë e pazakontë prej minimum njëzetë lypsarëve, të cilët të renditen në tavolinë si në shirit filmi. Më duket se kompetentët duhet të ndërmarrin masa përkatëse, që kësaj dukurie t’i  vëndohet pika mbi”i”, dhe të shihet se prej nga vijnë këta vizitorë të paftuar, të cilët me sa duket kanë vërshuar në Kërçovë nga vise të tjera, dhe këtu e llogarisin si terren për “kurbet të mirë.[8]

Sipas tij, lypsarët i vënë në pozitë të palakmueshme njerëzit, duke e keqpërdorur mirësinë e tyre. Një grup prej shurdhmemecësh, në një dasmë në njërin nga lokalet ku bëhej dasma, po shetisnin tavolinë më tavolinë duke shpërndarë pankarta për të marrë “ndihmë” nga dasmorët nëpër tavolina. Lokali ku ndodhesha në dasmë, nuk është i vetmi, pasi ky rrjet i “lypësve profiterë”, ka vërshuar të gjitha sallonet e dasmave po edhe nëpër shtëpitë private nëpër fshatra, duke prishur kështu edhe disponimin familjar të dasmorëve” thekson më në fund ai. Feto Asani, nga Kërçova thekson se, “institucionet më duket se ngapak po flenë, dhe më duket se është koha e fundit që këtij “fantomi prej lypsarësh”, të cilët kryesisht janë fytyra të reja, që asnjëherë nuk i kemi parë në Kërçovë, kompetentët t’u gjejnë zgjidhje, sepse ky rrjet i “mafisë së lypjes” ka marrë përmasa shqetësuese, dhe mendoj se organet e rendit duhet të vehen në veprim për të parandaluar keqpërdorimin e fatkeqësisë dhe solidaritetit të njerëzve” thotë i shqetësuar ai.

Sipas shumë të dhënave që po dalin në sipërfaqe nga ajo që po flasin qytetarët, tashmë “sezoni i gjuetisë së solidaritetit” të qytetarit, në veçanti të kurbetçarëve, ka marrë përmasat e shqetësimit dhe, në veçanti gjatë mbrëmjeve nuk mund të kalosh nëpër trotuare nga rituali i lutjeve, të cilat në të shumtën e rasteve, janë shndërruar edhe në paravan mashtrimi, të ndërgjegjes së qytetarit.

Nga Njësia Rajonale e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në Kërçovë, potencojnë se përmes projekteve për përkrahje sociale, kanë bërë përpjekje për tëzbutur këtë dukuri për të regjistruar këtë shtresë të qytetarëve, por rezultatet duken të pasuksesshme, pasi pjesa dërrmuese e “lypësve” janë të ardhur nga qytete të tjera, dhe kësisoj kontrolli i tyre është edhe i pamundur.

Më duket se ky është një rrjet mafioz i mirëorganizuar. Më duket se kjo shtresë kanë edhe bosin e tyre për të cilin bëjnë lypjen dhe për çdo ditë po sillen në mënyrë të organizuar në destinacionin e lypjes, thekson Zufer Rrushaj nga Kërçova. Organet kompetente, të institucioneve duhet të bëjnë punën e tyre dhe kësisoj të japin kontribut për qetësinë tonë, sepse, tashmë dukurii i lypjes është shndërruar në biznes, ndërkohë që shtresat të cilat janë vërtetë të prekura dhe që kanë nevojë për ndihmë nuk arrijnë deri të mjetet, por ato përfundojnë nëpër xhepat e bosëve të shumtë të kësaj shtrese, tanipërtani, të organizuar me mjeshtri, dhe që kanë ndërruar idenë për të përfituar, dhe duke qenë kështu përpos trotuareve e kthinave të qytetit edhe nëpër dasmat familjare dhe sallat e restoranteve”, theksoi për në fund ai.[9]

Duhet thënë se dukuria e lypjes nuk është e re në Kërçovë. Ka vite që kërçovarët përballen me lypësit, por këtë vit ata janë shpeshtuar dhe numri i tyre është rritur, aq sa ka marrë përmasa shqetësuese, dhe nganjëherë paraqet edhe rrezik për sigurinë e pronës private, ku jo të rralla janë rastet e operimit nëpër xhepat e qytetarëve, duke krijuar edhe “zinxhirin e hajnave ordinerë”.

Përfundime

Gjatë hulumtimit dhe vënies në spikamë të dukurisë së “fëmijëve lypsarë”, kemi arritur në përfundim se:

  • përkundër përpjekjeve të shumta, qoftë të nivelit shtetëror, atij familjar, nivelit arsimor e social, numri i fëmijëve në rrugë po rritet vazhdimisht;
  • institucionet përkatës të cilat merren me trajtimin e fëmijëve, sidomos të fëmijëve që janë pre e grupeve të organizuara prej keqbërësish, duken të pafuqishme për t’i mbrojtur ata. Përkujdesja e tyre është joaq gjithpërfshirëse;
  • hartimi i projekteve për socializimin dhe risocializimin e “nomadëve të njomë” është nevojë e kohës dhe ndihma institucionale në këtë drejtim është e pashmangshme;
  • institucionet edukativo-arsimore, Policia e Kosovës dhe qendrat sociale, duhet të ndërmarrin masa përkatëse dhe të hartojnë plane të përbashkëta, siç janë programe të arsimimit plotësues, programe të këshillimit me prindër si dhe programe për kapjen dhe ndëshkimin e masës së organizatorëve të kësaj dukurie, si dhe të ndikohet drejtpërdrejt në angazhimin për zbutjen e kësaj dukurie shqetësuese;
  • ariana bytyqinë kuadër të këtij aktiviteti gjithpërfshirës, roli i mediave është thelbësor, sidomos i atyre vizive, ku do të bëhej promovimi, këshillimi dhe nxitja e zbutjes së këtij problemi që aktualisht shënon përmasa rritjeje.

Literatura/Bibliografia

  1. Manual i projektit të Policisë së Kosovës, ”Fëmijët, të rriturit dhe familjet në situatë rruge”, 2015
  2. Koha Ditore,
  3. Rel/Telegrafi,
  1. Xheladini, A., “Lypsarët mysafirë pushtojnë rrugët e Kërçovës”, KOHA, Aktuale, 30.08.2016, www.koha.mk, www.kercova.net
  1. Statistikat e siguruara nga Rajoni i Përgjithshëm Policor.
  1. Nga terreni drejtpërdrejt në ballafaqim me fëmijët rrugëve.
  1. Të tjera nga hulumtimi

[1] Rel/Telegrafi, dhjetor 2016

[2] Manual i projektit të Policisë së Kosovës, ”Fëmijët, të rriturit dhe familjet në situatë rruge”, 2015

[3] Po aty

[4] Manual i projektit të Policisë së Kosovës, ”Fëmijët, të rriturit dhe familjet në situatë rruge”, 2015

[5] Manual i projektit të Policisë së Kosovës, ”Fëmijët, të rriturit dhe familjet në situatë rruge”, 2015

[6] Xheladini, A., “Lypsarët mysafirë pushtojnë rrugët e Kërçovës”,KOHA, 30.08.2016

[7] Xheladini, A., “Lypsarët mysafirë pushtojnë rrugët e Kërçovës”,KOHA, 30.08.2016

[8] Xheladini, A., “Lypsarët mysafirë pushtojnë rrugët e Kërçovës”,KOHA, 30.08.2016

[9] Xheladini, A., “Lypsarët mysafirë pushtojnë rrugët e Kërçovës”,KOHA, 30.08.2016

Share: