Home KRYESORE Unë kam Profetin tim!

Unë kam Profetin tim!

Nga Jonida Salku

Bota tani nuk po rrotullohet,
thjesht po sillet si një lëmsh pa fill,
pas të cilit nuk rendin macet,
porse tufa lukunish.
Një vend shqiponjash mezi duket,
si një pikëz, si një plesht,
që rend me lëmshin e pas lëmshit,
rraskapitur e rreckosur, por nuk resht…

Në këto kohë me botën vijnë rrotull shumë “Profetë”,
secili gllabëron e lëmshin dredh e zdredh,
aty tek pleshti i shqiponjës,
mbizotëron veç një profet,
atë besojnë,
atë thërrasin,
atë lusin,
amen Migjen!

Aty, po të shohësh pak me lupë,
gjen mijëra duar që të shtrihen si litarë,
ato nuk të lidhin,
s’të tërheqin të të shpëtojnë prej stuhive,
ato të zënë për gryke pa të vrarë.
Aty sheh sy të trishtë fëmijësh,
pa ngjyrë,
si të vizatuar me laps e letër,
që ulen e shohin kembët e veta zbathur,
që ngrihen e shohin tavanin e hapur…
Aty lëmsh i botës ka dimension tjetër.
Aty unë besoj vetëm Profetin tim,
i vetmi që s’gaboi në asnjë predikim.

Amen, Migjen!
Sa mirë e paske thënë,
se mjerimi i njomur me lotë, i ngjyer me baltë,
kafshatë e ngrënë dhe e pangrënë,
do të shitej një ditë si mjaltë,
se uria e fëmijës, zgavra e barkut të plakut e gjiri i tharë i nënës,
do të mblidheshin sot në sofra Bajramesh,
e ca mollëza gishtash të skuqur prush,
do të zbukuronin bredha Krishtlindjesh pa fund…

Sot në gjithë atë lëmsh të madh,
ku në emër të Profetëve të pagëzojnë me gjak,
unë rroj në bark të pleshtit të shqiponjës,
ku profecitë e Librit të Shenjtë
mund të lexohen mbi kapakë,
ku sorollaten njëmijë Profetë,
por vetëm njëri i vërtetë.
Amen, Migjen!
Në emër të mjerimit të shenjtë,
unë ty të shpall Profet!

© Jonida Salku

Share: