Home KRYESORE Vlerësim apo zhvlerësim i demokracisë në këndvështrimin ekonomik

Vlerësim apo zhvlerësim i demokracisë në këndvështrimin ekonomik

Demokracia në Shqipëri që prej vitit 1991 e deri më sot ka qenë një spektakël/show i turbullirës dhe i grindjeve politike, që nuk janë përputhur me sigurinë personale dhe me të drejtat e pronësisë.

Kjo dukuri ka treguar se çështjet e pushtetit duhet të lidhen mirë nga të këqiat me anë të “zinxhirëve“ të Kushtetutës dhe merita e Kushtetutës qëndron, pikërisht, te kontrolli i demokracisë.

Përvoja e deritanishme në politikën shqiptare dëshmon se në fillim të karierës së tij, çdo pushtetar në krye të qeverisë e paraqit vetveten para qytetarëve me një lëkurë liberale (qingji), mjet ky për të kapur pushtetin, por nuk ka qëlluar që qytetari shqiptar të shohë frymën e vërtetë liberale pasi kryepushtetari ka kapur pushtetin.

Natyrisht, as që bëhet fjalë që frymën liberale një kryepushtetar i tillë ta çojë deri në atë pikë, sa të rrezikojë t’i humbë të gjitha, për arsye se sistemi politik shqiptar nuk konkurron me institucione që janë në fuqi në Perëndim, ku administrata favorizon të shumtët në vend që të favorizojë të paktët.

Dihet dhe pranohet se kur një individ dallohet për kontributin e tij, atëhere ai thirret t’i shërbejë vendit (qytetarëve) me pëlqimin e votuesve, jo si një privilegj, por si një dhuratë për meritën, që të pranojë kontrollin e një institucioni tjetër, gjë që nuk është nuk është turp, për arsye se turp është bërja e përpjekjeve për të shmangur kontrollin e institucioneve nga një njeri i veshur me pushtet.

Përvoja e mëparshme dhe veçanërisht kjo e viteve të fundit, ka treguar se individë të tillë nuk kanë interes për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Pra, politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike, në mënyrë rutinë, kanë dëshmuar se i kanë injoruar kufijtë kushtetues mbi pushtetin e tyre, duke ia privuar kështu qytetarëve të tyre liritë dhe të drejtat bazë, dukuri shqetësuese kjo, që në Perëndim e quajnë: demokraci iliberale.

Një sistem politik demokratik dallohet jo vetëm nga zgjedhjet e lira dhe të drejta, por gjithashtu, nga sundimi i ligjit, nga ndarja e pushteteve dhe nga mbrojtja e lirive bazë të fjalës, tubimit, fesë dhe pasurisë.

Natyrisht spektri i demokracisë iliberale, radhitet që nga shkelja e lirive dhe të drejtave bazë dhe, përgjatë një pjese të mirë të këtij spektri, rallë se gjen ndonjë rast të zgjedhjeve të lira dhe të drejat ashtu si në Perëndim.

Zgjedhjet e hapura, të lira dhe të drejta, janë thelbi i demokracisë, që nënkuptojnë se qeveria e dalë nga zgjedhje të tilla nuk duhet të jenë inefiçente, e korruptuar, dritëshkurtër, e papërgjegjëshme, e dominuar nga interesa të veçanta dhe e paaftë për të adoptuar ato politika që kërkon e mira publike, gjë që të tilla qeveri i bëjnë të padëshirueshme.

Natyrisht, zgjedhjet duhet të jenë të hapura dhe të drejta, gjë që kërkon mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe të grumbullimeve.

Por, për të shkuar përtej këtij përkufizimi minimal dhe për t’i vënë vulën një vendi demokratik nuk mjaftojnë vetëm këto fjalë, në qoftë se nuk garantohet një katalog i përgjithshëm i të drejtave sociale, politike, ekonomike dhe fetare, që fjala demokraci të mos kthehet në një medalje nderi.

Të kesh demokraci, nënkupton një qeveri të mirë që, në mënyrë analitike, e kthen atë në një qeveri dobishme.

Tendenca e qeverisë që beson se ka pushtetin absolut, ka rezultuar këto vitet e fundit në qendërsimin e autoritetit me mjete ekstrakushtetuese dhe me rezultate që nuk janë mirëpritur nga qytetarët.

Gjatë këtyre viteve të fundit, qeveria e zgjedhur, ka pretenduar se përfaqëson qytetarët, por vazhdimisht i ka cënuar të drejtat dhe pushtetet e elementëve të tjerë në shoqëri, uzurpim ky që ka qenë si horizontal, nga degë të tjera të qeverisë qendrore, ashtu dhe vertikal, nga autoritetet rajonale dhe vendore si dhe nga bizneset private e grupe të tjera joqeveritare.

Zakonisht, një qeveri si kjo, që në pamje duket si legjitime, nuk ka mundur ta mbajë rendin, por ka ndjekur politika të ashpra me anë të krijimit të koalicionit.

Përvoja sugjeron se kur regjimet mbrojnë të drejtat e individit, ku përfshihen ato të pronësisë dhe kontratës, krijojnë një kuadër ligjor, administrim, ekonomi tregu dhe rritje ekonomike në vazhdim, një gjyqësor të paanshëm, ku pushteti i akumuluar për të bërë mirë, më vonë të mos përdoret për t’i bërë keq qytetarit.

Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, duhet të shihet si një e metë, pasi zgjedhjet janë një virtut i rëndësishëm i qeverisjes, por nuk janë i vetmi virtut.

Qeveria duhet të gjykoheu nga gjërat e krahasueshme lidhur me respektimin dhe plotësimin e kërkesave të Kushtetutës, sepse liritë ekonomike, civile dhe ato të besimit janë në zemër të dinjitetit dhe të autonomisë njerëzore.

Konstitucionalizmi, është një sistem i komplikuar i kontrolleve dhe i balancimeve (checks and balances), i hartuar për të parandaluar grumbullimin e pushtetit dhe abuzimin me detyrën dhe një gjë e tillë nuk bëhet thjesht duke shkruajtur një listë të të drejtave, por me ndërtimin e një sistemi në të cilin qeveria nuk do t’i dhunojë ato të drejta.

Tre janë veprimet kryesore që kanë përdorur politikanët në pushtet për të siguruar përfitime në kurriz të qytetarëve:

Marrja e vendimeve që i kanë kthyer në një drejtim tjetër pëlqimet e votuesve. Aktorët politikë kanë vepruar kështu sepse ata kanë pasur një ideologji për veten e tyre, sepse duke vepruar kështu ata kanë përvetësuar avantazhe materiale dhe jo materiale. Për shembull, politikanët sistematikisht kanë paraplqyer ndërhyrjet direkte në ekonomi që, zakonisht, i kanë lejuar ata të përfitojnë pagesa shumë më të mëdha (për shembull, në rastin e dhënies së konçensioneve).

T’i sigurojnë vetes së tyre privilegje të gjëra në formën e të ardhurave direkte, ose për partitë e tyre, (për shembull, automjete, hua për shtëpi, etj).

Përfundimisht, shfrytëzimi i qytetarëve ka marrë formën e korrupsionit (për shembull, pagesat direkte që marrin për shërbimet e veçanta që u sigurojnë atyre që i paguajnë, por jo të tjerëve).

Politikanët në pushtet kanë pasur interes të përbashkët për të mbrojtur dhe ku ka qenë e mundshme, i kanë zgjeruar këto pagesa (një nxitës ky me qëllim që të formonin kartelin e tyre kundër qytetarit të zakonshëm).

Kartelet politike përfaqësojnë grupe politikanësh të lidhur, të ndarë nga pjesa tjetër e popullsisë, që kanë kryesisht kontakte me njëri – tjetrin dhe, mosmiratimi i veprimeve të atyre pak që guxojnë të thyejnë rregullat e kartelit, bart kosto madhore mbi “dezertorët”.

Karteli administrohet nga lideri i partisë në pushtet dhe politikanët dezertues ndëshkohen shpejt dhe në mënyrë efektive, me anë të kufizimit për të gëzuar të drejtën e pozicioneve zyrtare (në komisione, në qeveri, etj), ose me anë të heqjes së mbështetjes politike nga partitë për të kandiduar.

Kështu që politikani është detyruar, ose të bëhet pjesë e kartelit për arsye se lideri i partisë ka shumë mjete në dispozicion për t’i kontrolluar ata, duke përfshirë këtu edhe dorëheqjen e detyruar, ose ndëshkimin.

Ja pse u larguan katër ministra dhe ja përse u deklarua se mund të hiqen edhe të tjerë.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: