Pak fjalë për ata që “reformojnë” vetveten në këto vite të demokracisë
Nga Kasem Seferi
Të mbyllësh një derë të pakënaqësisë, nuk do thotë të hapësh një tjetër. Por, shpesh, këto ditë që kur nisi protesta më 18 shkurt shumë analisto – politikanë, ose politikano – analistë, për motive, inate, interesa a kush dreqi e di çfarë ka personale në qëndrimin e tyre janë ngulur kaq fort dhe kaq gjatë te “një derë e mbyllur” që në vitin 2013 me një dorëheqje publike të pakthyeshme.
Ose janë verbuar nga frika e së kaluarës, ose janë rrënuar nga hakmarrja që po shuan çdo gjë të mirë që ka njeriu në qënien e tij sa që nuk arrijnë të shohin atë “derë”/erë/epokë të re që është hapur për shqiptarët.
Zotërinj analisto – politikanë dhe politikano – analistë!
Më duhet të përsëris: Çështjet dhe interesat madhore të kombit vijnë të parat, ndërsa partia/individi vijnë të dytët. Përkrahësit e protestës duan informacion, jo udhëzime se kë parti, kë individ, cilin koalicion partiak duhet të mbështesin dhe të votojnë. Informacioni që kanë përcjellë në publik analisto – politikanët dhe politikano – analistët nuk e kapërcen në mënyrë të besueshme dhe objektive mosbesimin që kanë qytetarët te politika dhe politikanët.
Përdorimi retorikës mbështetëse partizane herët njërit grup politik/lider dje dhe kapërcimin te një grup politik/lider politik sot, në mënyrë direkte apo indirekte, e bën “kontributin” tuaj diçka që duket as i rëndësishëm dhe as të besueshëm te qytetarët që ju përpiqeni të mos jenë përkrahës të protestës.
Theksimi se institucioni i zgjedhjeve të drejta/regullta dhe të lira është i vetmi garant që i mban politikanët të përgjegjshëm. Përkrahësit duan që ky institucion të përfaqësojë interesat e tyre, ashtu sikundër u premtohet gjatë fushatës zgjedhore.
Veprimi politik i qeverisë që del nga institucioni i zgjedhjeve të drejta dhe të lira duhet të jetë gjithnjë në interes të qytetarëve përkrahës që arrijnë jo vetëm shumicën në zgjedhje por edhe përfitimet publike për të gjithë qytetarët nga qeveria që del nga zgjedhjet e drejta dhe të lira.
Informacioni është çelësi/hapësi për rritjen e pjesëmarrjes në protestë dhe me të drejtë thuhet se qytetarët përkrahës arrihen më mirë në takimet ballë për ballë, për arsye se veprimi politik është më efektiv kur adreson shqetësimet e përkrahësve në vend të adresimit te një rrugëzgjidhje e përgjithshme që priret t’i përshtatet qeverisë në pushtet, edhe pse keqqeverisja pohohet nga të gjithë dhe, veçanërisht, nga pakënaqësia popullore.
Zotërinj analisto – politikanë dhe politikano – analistë!
Kanë kaluar dy dekada të reformave politike dhe ekonomike që kanë lënë vetëm një trashëgimi të përzier në Shqipëri dhe, për këtë arsye, vitet e fundit, ka lulëzuar klientelizmi dhe gjendja politike, ekonomike dhe shoqërore është shumë larg nga ajo që deklarohet që nga koha kur proçesi zgjedhor mund të abortohet me shumë forma dhe në shumë hapa gjatë rrugës së tij.
Shtrirja e grupeve politike dhe trashja e jetës shoqëruese nuk kanë qenë të mjaftueshme për praktikat e reja demokratike për t’iu afruar masave popullore, për arsye se hapjet e mundësive që krijon demokracia e brendshme në strukturat e grupimeve/partive politike, veçanërisht, ndryshimet në veprimet e qeverisë, duhet t’i paraprinin dhe të shoqëronin rritjet e veprimtarive për forma më autonome të veprimit politik për t’iu afruar qytetarëve përkrahës, ose kundërta.
Aktorët e rinj politikë, kur zenë hapsirat e siguruara nga hapjet nëpërmjet institucionit të zgjedhjeve të drejta dhe të lira, natyrisht, do të kenë një epërsi më të madhe mbi vendimet e aktorëve shtetërorë dhe do të jenë më në gjendje që të kufizojnë veprimet e qeverisë.
Vetëm në një situate të tillë mund t’i jepet shtysë politikave dhe reformave që rrisin interesin e qytetarëve si dhe të sigurohen kapacitetet për të vepruar.
Por një veprimtari e tillë, veçanërisht, kur kërkohet nga opozita, e çon qeverinë të reagojë me anë të mbylljes së mundësive politike dhe kufizimit të veprimit politik autonom.
Megjithëatë, mundësitë për pjesëmarrje, zakonisht, bëhen më të mëdha se përpara dhe vetëm kështu proçesi i ndryshimit të regjimit mund dhe duhet të lëvizë përpara.
Zotërinj analisto – politikanë dhe politikano – analistë!
Përdorimi në mënyrë indirekte i thënies së urtë popullore: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron”, nuk duhet parë në veçori vetëm për ata që urreni, ose nuk i dëshironi ju, por për të gjithë ata që i përshtaten kësaj thënie.
Si qytetar, kam ndjekur me vemendje, pothuajse, gjithë diskuret, komentet, analizat, etj, veçanërisht mbrëmë, në simultanë, mjaft individë të ftuar. Ndër ta, më ngeli në mendje, përfundimi që solli Anila Basha se “Lul Basha” është lideri i PD – së tashmë. Domethënë se hamendësimi dhe dyshimi se kishte qenë i tillë u shua me këtë protestë.
Jo vetëm nga Anila Basha por edhe nga të tjerë u hodhën hamendësime dhe dyshime për Lul Bashën dhe, ndër ta, më ngeli në mendje Arben Iljazaj i UET dhe MAPO, të tjerë në gazetat e përditëshme, ku nuk munguan disa fosile dhe shushunja të “epokës” së demokracisë, që më kujtuan një thënie të urtë popullore që nuk përdoret shpesh: “Ujku! Ujku! Por çakalli bën kërdinë!”.
Mu kujtua një pasazh nga kujtimet e Zotit Ekrem bej Vlora, kur i ankohej Mbretit Zog i Parë për qëndrimin e paqëndrueshëm të disa individëve (dallkaukëve, ose atyre që e kthenin qëndrimin nga frynte era) dhe Mbreti Zog i Parë do t’i përgjigjej me qetësi se kjo dukuri ishte rrjedhojë e viteve të pushtimit, kohës së shkurtër të shtetformimit dhe kulturës politike të trashëguar nga Perandoria Otomane.
Zotërinj analisto – politikanë dhe politikano – analistë!
Nëse jeni properëndimorë! Veproni si të tillë! Për arsye se po nuk vepruat në këtë mënyrë kam vetëm një përgjigje për ju:
Ortodoksia është vdekja e njohurive tuaja që nga koha kur ju, rritjen e njohurive, nuk e varni tërësisht nga ekzistenca e të mos rënit në ujdi me keqqeverisjen dhe hallet e qytetarit të thjeshtë.
Politika është arti i sherrit, që të bën ta kërkosh edhe atje ku ai nuk ekziston, duke e diagnostikuar atë sipas oreksit dhe interesave, si dhe duke zbatuar formulën e gabuar për të zgjidhur një çështje të rëndësishme.
A jeni pjesë e kësaj loje?!
Kasem Seferi – ekonomist