Nga Azem Parllaku
Kur në vitin 2006 u miratua struktura organizative e Forcave të Armatosura, në përbërje të saj u shtua edhe Qendra e Personel Rekrutimit, e cila funksionon me mision të përcaktuar që prej qershorit të vitit 2007. Përgjegjësitë e kësaj strukture fokusohen tek, rekrutimi i kandidatëve për oficerë, ushtarë e detarë profesionistë. Ndërkohë që, përpunon dhe administron dokumentacionin dhe të dhënat e personelit të ushtarakëve aktivë, në rezervë, lirim dhe atij civil, si dhe realizon trajtimin financiar të ushtarakëve në rezervë e lirim. Nga kjo Qendër pajisen shtetasit me vërtetime për kryerjen e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak Aktiv. Gjithashtu aty ofrohen shërbimet për llojet e përfitimeve suplementare për ushtarakët në rezervë lirim apo familjeve të tyre, për trajtimin me pagesë kalimtare, pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pension suplementar, pensionin e plotë të pleqërisë, pension suplementar invaliditeti, pension suplementar familjar, etj.
Edhe pse, të gjitha repartet, Komandant e Forcave dhe Shtabi i Përgjithshëm, kanë në organikën e tyre zyrat e menaxhimit dhe përkujdesjes për personelin, si për ironi nuk mjaftojnë vetëm këto dhe Qendra e Personel Rekrutimit, por duhen edhe Zyrat e Mobilizimit në qytete, një risi e fushës së mbrojtes nën drejtimin e ministres Kodheli. Ministrja thotë se, “Zyrat e reja të Mobilizimit do të shërbejnë kryesisht për proçesin e rekrutimeve të reja në Forcat e Armatosura, duke i ardhur më pranë të rinjve që dëshirojnë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura”.
Nisur nga ky fakt, me të drejtë lind pyetja; Po Qendra e Personel Rekrutimit, në të cilën vegjetojnë gradat e larta ushtarake, e punonjësit civil të përzgjedhur, ka dështuar në plotësimin e misionit të saj?
Praktikisht nuk është e mundur, përderisa zonja Kodheli e ka të tejngopur axhendën e saj, në takimet me të rinjtë gjimnazistë, përgjatë shëtitjeve të saj nëpër fshatrat e qytetet e Shqipërisë, e shoqëruar nga menaxherët e Qendrës së Personel Rekrutimit. Gjatë këtyre takimeve të përgatitura me kujdes nga administratorët lokal të Rilindjes, gjimnazistëve u bëhet thirrje t’i drejtohen Qendrës së Personel Rekrutimit, ku prej aty mund të bëhen pjesë e grave dhe burrave me uniformë.
Zyrat e Mobilizimit do të shërbejnë edhe për mobilizimin e ish-ushtarakëve, tashmë rezervistë, në rastet e emergjencave civile, thotë Ministrja.
Por çfarë asetesh mund të riaktivizohen? Këtë nuk mund t’a themi ende. “Nuk na mjaftojnë shpeshherë forcat aktive që kemi, plus që, pse jo është një eksperiencë, të cilën mund dhe duhet ta ndani me ne akoma”, u thotë Kodheli, rilindasve me kasketë dhe bastun, të shtuar së fundmi në listën e pagave nga Ministria e Mbrojtjes. Të punësuarit e rinj, do të menaxhojnë forcat rezerviste, sidomos në shërbim të qytetarëve në emergjenca dhe në raste nevoje në kushte ekstreme të motit dhe shërbime të tjera, ironi kjo që, njëherësh të bën të qash e qeshësh.
Në tabelën e punonjësve, numri i personelit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2017 është parashikuar 8.860, pra ka një rritje me 360 vetë. Ndërkohë që numri limit i personelit është atribut i Parlamentit. Në rastin konkretet, në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, Strategjinë Ushtarake, dhe Planin Afatgjatë të Zhvillimit të FA 2016-2025, numri limit i miratuar me ligj nga Kuvendi është përcaktuar në 8.500 brenda vitit 2015.
Rilindasit, Kodheli dhe Bushati vetëm para dy ditësh inaguruan Zyrën e Mobilizimit në Shkodër, teksa në Tiranë, Durrës, Vlorë, Peshkopi, Bulqizë, Lezhë, etj, simotrat janë hapur.
360 rilindasit e shtuar në listëpagesën e Ministrisë së Mbrojtjes, në vitin elektoral nuk janë të tjerë, por menaxherët e Zyrave të Mobilizimit. Përse i duhet Ushtrisë ky kontigjent i personelit shtesë, gjithkush mund t’a shkoqisë.